Home / Te ndryshme / Këto janë shoqëritë më të mira ajrore në botë

Këto janë shoqëritë më të mira ajrore në botë

AVIONÇmimi për shoqërinë ajrore më të mirë të vitit në botë, i dhënë nga “Skytrax”, bazohet në një sondazh që bëhet çdo vit me pjesëmarrjen e pasagjerëve nga e gjithë bota, në të cilin janë ftuar të votojnë, nga gushti 2013 deri në maj 2014, 18,85 milionë vetë. Më shumë se 245 shoqëri që përfaqësojnë rreth 105 vende në botë, janë vlerësuar në këtë garë. “Skytrax World Airline Awards” vlerësohet si një çmim prestigjioz në sektorin e aviacionit civil ndërkombëtar. Në mënyrë të ngjashme vjen edhe vlerësimi paralel, me yje, i bërë nga vetë “Skytrax”-i. Vlerësimin maksimal prej pesë yjesh e kanë marrë vetëm gjashtë shoqëri të renditura në listën e votuar edhe nga pasagjerët në sondazh. Sipas gazetës gjermane “Handelsblatt”, e specializuar në çështjet ekonomike, “Lufthansa” e ka bërë tashmë objektiv të vetin, që t’i shtojë vetes edhe një yll që i mungon në këtë vlerësim. Ndërsa shoqëria fatkeqe, “Malaysia Airlines”, e cila brenda harkut kohor prej gjashtë muajsh, pati dy fatkeqësi të mbuluara me enigma dhe ku humbën jetën rreth 550 vetë, nuk haset në renditjen e 12 shoqërive më të mira. Si përfundim, ja se cilët janë 12 shoqëritë më të vlerësuara ajrore ndërkombëtare për vitin 2014…

Vendi i 12: “Eva Air”

Tajvanezja “Eva Air” ka arritur të vlerësohet me katër yje në listën e “Skytrax”. Sidomos shërbimi i personelit të kabinës vlerësohet shumë atje: kështu, përveç të tjerave, lavdërohet shumë eficiensa e shërbimit dhe përgjigjja ndaj kërkesave të klientëve, gjë e cila madje vlerësohet edhe me pesë yje. Në Europë, “Eva Air” – që paraqitet këtu me një aeroplan në stilin e “Hello Kitty”-t, haset në Vjenë, Amsterdam, Paris dhe Londër.

Vendi i 11: “Qantas Airways”

“Qantas Airways” është shoqëria më e madhe ajrore australiane. Shoqëria e vlerësuar me katër yje nga “Skytrax” vlerësohet sidomos për lirinë e hapësirën që të ofron te këmbët nën sedilje, si dhe komfortin në aeroplan. Në aspektin financiar gjithsesi, kjo shoqëri renditet në vendet e ulëta, pasi qeveria australiane e përjashtoi një përfshirje të saj në zgjidhjen e problemeve të veta. Në kuartalin e parë të vitit që shkoi, “Qantas” humbi një vend dhe ra nga pozicioni i dhjetë më të mirëve.

Vendi i 10: “Lufthansa”

“Lufthansa” vijon të vlerësohet me katër yje nga “Skytrax”. Shoqëria më e madhe ajrore gjermane, gjithsesi, po përpiqet të arrijë në nivelin e pesë yjeve. Klasi i saj i parë arrin ndërkohë vlerësimet më pozitive, ku vlerësohen edhe shërbimet e prezenca online dhe “check-in”. Në vlerësimet e pasagjerëve, gjithsesi, ajo futet te dhjetë më të mirët.

Vendi i 9: “Etihad Airways”

“Etihad Airways” është një shoqëri ajrore e Emirateve të Bashkuara, nga Abu Dhabi. Arabët i kanë qëndruar shpesh nën krahë berlinezëve të “Air Berlin” të shtrënguar për mbijetesë dhe janë bërë pjesë e aksioneve të disa shoqërive të tjera në Europë. “Etihad” u themelua në vitin 2003. Sidoqoftë, ajo nuk ka pësuar rritje të shpeshta: në krahasim me një vit më parë, kjo shoqëri ka humbur dy vende.

Vendi i 8: “Asiana Airlines”

Me pesë yje, “Asiana Airlines” duhet të gëzohet që gjendet në top-listën e “Skytrax”. Në klasin e parë, ajo gjithsesi kap vetëm nota të mira, edhe personeli në kabinë ka fituar një lëvdatë të mirë. Shoqëria ajrore koreanojugore, megjithatë, një vit më parë ka pësuar rënie me tri vende.

Vendi i 7: “Garuda Indonesia”

“Garuda Indonesia” ka arsye t’i gëzohet aktualisht katër yjeve në vlerësimet e “Skytrax”. Aktualisht kjo shoqëri ajrore posedon një flotë prej 116 avionësh, ndërkohë që 57 të tjerë janë porositur – ndër të cilët 11 prej tyre janë të tipit “Airbus A330”. Në renditjen e “Skytrax”, ajo ka avancuar me një vend më lart.

Vendi i 6: ANA – “All Nippon Airways’

“All Nippon Airways”, që në variantin e shkurtuar njihet edhe si ANA, është shoqëria ajrore më e madhe japoneze. Aktualisht janë 198 avionë të gatshëm t’i shërbejnë ANA-s, 131 të rinj janë porositur tashmë. Në dëshirën e pasagjerëve, ANA ka pësuar rënie në renditje, ndërsa një vit më parë, ajo mbante vendin e katërt.

Vendi i 5: “Turkish Airlines”

“Turkish Airlines” është një shoqëri ajrore pjesërisht me kapital shtetëror nga Turqia, dhe që fluturon lart në kuptimin e plotë të fjalës. Jo vetëm me atë çfarë ka arritur në statistika e financa: edhe në vlerësimin e pasagjerëve, kjo shoqëri po ecën me shpejtësi lart, duke braktisur vendin e nëntë që zinte vjet dhe kapur atë të pestë sivjet.

Vendi i 4: “Emirates”

“Emirates” është shoqëria ajrore shtetërore nga Emiratet në Dubai. Vetëm në vitin 2012, ndërmarrja në fjalë arriti një xhiro prej 67,4 miliardësh. Tek “Skytrax”, kjo shoqëri është vlerësuar me katër yje. Një vit më parë, ajo ishte fituese në vend të parë, ndërsa tanimë mjaftohet me vendin e katërt.

Vendi i 3: “Singapore Airlines”

“Singapore Airlines” është shoqëria e vlerësuar më shpesh në rang botëror. Nga “Skytrax”, ajo, për shkak të vlerësimeve, është zgjedhur shpesh “Shoqëria ajrore e vitit”. Në vitin 2014, ajo konfirmon sërish vendin e tretë që mbante edhe një vit më parë. Në vlerësimet më të fundit renditet edhe çmimi “Business Traveller Award 2012” që ajo e mori në kategorinë “Shoqëria më e mirë për udhëtarët biznesmenë”. Aktualisht, “Skytrax” e ka vlerësuar “Singapore Airlines” me pesë yje në regjistrin e vet.

Vendi i 2: “Qatar Airways”

Edhe shoqëria ajrore nga Katari, “Qatar Airways”, mund t’i gëzohet renditjes me pesë yje në regjistrin e “Skytrax”. Ndërmarrja në fjalë është themeluar në vitin 1993 nga familja mbretërore e Emiratit. Edhe një vit më parë, kjo shoqëri renditej te vendet e nderit.

Vendi i 1: “Cathay Pacific Airways”

Fituesi vjen nga Hong-Kongu: “Cathay Pacific” në vlerësimin e pasagjerëve ka bërë furore, duke lëvizur nga vendi i gjashtë, në vendin e parë. Por edhe në regjistrin e “Skytrax”, ky vlerësim konfirmohet plotësisht, pasi ajo ka marrë me meritë pesë yje. “Cathay Pacific” drejtohet nga emri i vjetër i Kinës, “Cathay”, si dhe nga vizioni i themeluesit të atëhershëm britanik, që donte të fluturonte një ditë mbi Paqësor. Kohët e fundit, shoqëria në fjalë i dyfishoi fitimet vjetore, ndër të tjera nëpërmjet futjes së një shërbimi ekstra në klasin “Economy”.

Leave a Reply

%d bloggers like this: