Opinion

Është koha për prokurorë dhe gjyqtarë të ndershëm

Nga Donald Lu*

Pesëmbëdhjetë vjet më parë, një gjyqtar amerikan nga Kalifornia vizitoi Kinën. Në një drekë me gjyqtarë, një gjyqtare e re kineze e pyeti homologun amerikan: “Çfarë bëni kur politikanët përpiqen t’ju tregojnë se si të vendosni ose kur dikush ju ofron ryshfet?”. Gjyqtari amerikan i tha: “Nuk e di”. Pastaj i shpjegoi se gjatë dy dekadave që kishte shërbyer në karrigen e gjykatësit, kurrë nuk i ishte ofruar ryshfet dhe kurrë ndonjë politikan nuk i kishte thënë se si të vendoste për një çështje të caktuar. Jo ngaqë nuk ka disa zyrtarë e gjyqtarë të korruptuar në Shtetet e Bashkuara, por sepse rreziqet nga ekspozimi dhe pasojat e korrupsionit janë aq të mëdha saqë janë të paktë ata që janë të gatshëm ta marrin atë rrezik. Kur gjyqtarët amerikanë kapen, ata futen në burg për një kohë shumë të gjatë.

Për sa i përket Shqipërisë, po hamendësoj se nuk jam popullor mes disa gjyqtarëve këtu. Kjo është e kuptueshme pasi kam thënë disa gjëra brutalisht të sinqerta në lidhje me profesionin tuaj. Ndaj, sot më lejoni t’u flas ndryshe dy grupeve shumë të ndryshme gjyqtarësh – gjyqtarëve të korruptuar dhe gjyqtarëve të ndershëm.

Së pari, për gjyqtarët e korruptuar: Ma merr mendja se shumë prej jush nuk do ta identifikonin veten si gjyqtarë të korruptuar. Më lejoni t’jua them këtë në shqip, për të qenë i qartë. Prova ime për korrupsionin është e thjeshtë: nëse keni marrë ndonjëherë para ose favore në shkëmbim të një vendimi gjykate, jeni një gjyqtar i korruptuar. Edhe nëse e ke bërë këtë vetëm një herë, ke thyer ligjin dhe nuk je i përshtatshëm të shërbesh si gjyqtar. Një kriter tjetër i thjeshtë, nëse ulni kokën dhe shihni kyçin e dorës suaj dhe mbani një orë që kushton më shumë se makina ime, ka të ngjarë të jeni një gjyqtar i korruptuar. Ju nxis ta lini këtë profesion menjëherë. Mund edhe të futeni në burg së shpejti.

Së dyti, për gjyqtarët e ndershëm: kini besim, ndryshimi po vjen.

Unë besoj se pjesa më e madhe e gjyqtarëve dhe e prokurorëve në këtë vend janë profesionistë të ndershëm e punëtorë që duan të jenë krenarë për profesionin e tyre.

E di që është e vështirë të jesh një gjyqtar i ndershëm. Nuk punon për shumë para dhe ka trysni nga çdo drejtim për të marrë vendime të rëndësishme për të gjitha arsyet e gabuara.

Gjyqtarët e ndershëm, si ju, meritojnë të punojnë në një sistem që shpërblen integritetin. Ju meritoni të promovoheni në bazë të meritës dhe të përvojës. Dhe duhet të bëheni simboli i sistemit të ri, në vend të imazhit të sotëm të gjyqtarëve të korruptuar që mbajnë ora “Cartier”.

Gjyqtarët e ndershëm e dinë gjithashtu se ndryshimi i sistemit të drejtësisë nuk do të jetë i lehtë. Reforma të mëdha, të menduara, janë të nevojshme për të zvogëluar korrupsionin, për ta bërë sistemin më të pavarur dhe më llogaridhënës.

Tani është koha për gjyqtarë dhe prokurorë të ndershëm që të flasin në favor të konceptit të reformës në drejtësi dhe kundër politikanëve të korruptuar dhe gjyqtarëve të paaftë që qëndrojnë në rrugën e ndryshimit.

Ju mund të bini ose të mos bini dakord me propozimet aktuale të reformës në drejtësi. Kjo është normale në çdo demokraci. Ju lutem mësoni se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian kanë qenë hartues aktivë të çdo pjese të reformës dhe se ne e mbështesim plotësisht paketën aktuale të reformave. Ne dimë gjithashtu se pas 19 tryezave të rrumbullakëta dhe informacionit këtë muaj prej Komisionit të Venecias, ky propozim reforme do të ndryshohet për t’u siguruar që të pasqyrojë idetë më të mira të shoqërisë dhe të standardeve ndërkombëtare.

Së fundi, më lejoni t’ju bëj një pyetje: “Çfarë bëni ju kur një politikan përpiqet t’ju tregojë se si të vendosni ose kur dikush përpiqet t’ju japë ryshfet?”. Mezi pres ditën që në Shqipëri përgjigjja të mund të jetë: “Nuk e di. Kjo nuk më ka ndodhur kurrë”.

*Ambasador i SHBA në Shqipëri.

Fjala e mbajtur dje, në Konferencën Gjyqësore Kombëtare

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button