Home / Qeveritare / Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, përshëndeti sot konkluzionet e Këshillit të Ministrave të BE-së për Shqipërinë.

Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, përshëndeti sot konkluzionet e Këshillit të Ministrave të BE-së për Shqipërinë.

Me anë të një deklarate për shtyp, ministri Bushati, mirëpriti konkluzionet e Këshillit të Ministrave të BE-së për zgjerimin.

“Për vendin tonë, konkluzionet konfirmojnë arritjet e evidentuara në raportin e Komisionit Evropian, vullnetin dhe vendosmërinë e qeverisë për intesifikimin e reformave të ndërmarra në fushën e sundimit të së drejtës në ekonomi”, u shpreh Bushati.

Sipas tij, “Këshilli ka vlerësuar progresin e qëndrueshëm të Shqipërisë në përmbushjen e prioriteteve për hapjen e negociatave për anëtarësim, veçanërisht në reformën e administratës publike dhe masat e ndërmarra në përgatitje të reformës së sistemit të drejtësisë”.

“Roli aktiv i Shqipërisë në rajon si dhe linjëzimi i plotë me Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, evidentohen si asete të vyera të politikës sonë së jashtme”, nënvizoi Bushati.

Ashtu siç evidentohet qartësisht në konkluzionet e Ministrave të BE-së, shtoi Bushati, “reforma në drejtësi është e një rëndësie parësore për hapjen e negociatave. E ndërlidhur kjo me konsoldimin e arritjeve në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe zbatimit efektiv të të drejtave dhe lirive themelore.

“Rekomandimet e Komisionit Europian, të mbështetura edhe nga konkluzionet e Këshillit të Ministrave të BE-së, do të përbëjnë orientimin e veprimit tonë politik drejt plotësimit të prioriteteve kyçe, të cilat do mundësojnë përparimin e mëtejshëm drejt hapjes së negociatave për anëtarësim”, deklaroi ministri Bushati. /a.ke/

Leave a Reply

%d bloggers like this: