Intervista

Ish-te perndjekurit, Kola: Ne shtator nis skema e re e demshperblimit

91031Trashëgimtarët e të përndjekurve poli tikë, të cilët kanë plotësuar dokumentacionin për të përfituar dëmshpërblimin do të marrin paratë, pavarësisht se pjesa tjetër e tyre nuk i ka kompletuar. Ky është një nga ndryshimet që është parashikuar të pësojë ligji “Për dëmshpërblimin e të dënuarve politikë”, i cili pritet të lehtësojë procesin për trashëgimtarët “aktivë”.

Lajmi bëhet i ditur nga kreu i Institutit të Integrimit të të Përndjekurve Politikë, Bilal Kola, i cili përmes kësaj interviste dhënë për “Gazeta Shqiptare” shpjegon në detaje ndryshimet e plota që pritet të pësojë ligji rreth procesit të dëmshpërblimit të të dënuarve politikë. Z. Kola, tashmë është e njohur se ligji “Për dëmshpërblimin e të dënuarve politikë” po rishikohet. Deri në ç’fazë është arritur deri më tani dhe cilat janë disa nga risitë që ai do të sjellë? Aktualisht jemi në fazën që projektligji ka kaluar në disa komisione parlamentare.

Një nga risitë më kryesore që sjell ky projektligj është ndarja në disa kategori të personave që dëmshpërblehen. Kur them ndarje në kategori, do të thotë që fondi vjetor i dëmshpërblimit do të ndahet në 70% për të dënuarit që janë gjallë dhe 30% për kategorinë e trashëgimtarëve të ligjshëm. I vetmi përjashtim te trashëgimtarët ligjorë është ajo klasë e cila trashëgimtarët ligjorë i ka në moshë të mitur. Kategoria parësore ka disa nëndarje, ku prioritet marrin gratë pavarësisht moshës, burrat mbi 75 vjeç dhe më pas vijnë të dënuarit nën 75 vjeç, por që vuajnë nga sëmundje të rënda, të cilat klasifikohen si të tilla sipas akteve nënligjore.

Më pas vijnë trashëgimtarët ligjorë në moshë të mitur dhe më pas personat nën 75 vjeç. Megjithatë, ky lloj kategorizimi nuk do të thotë që do të ketë një ndarje të madhe kohore të marrjes së këstit nga gratë mbi 75 vjeç, nga burrat mbi 75 vjeç e kështu me radhë. E përkthyer në terma konkretë kjo do të thotë se në një periudhë 1-2 mujore secili prej kategorive parësore do të marrë dëmshpërblimin përkatës. Më pas, 30% e fondit total do t’u disturbohet trashëgimtarëve.

A do të ketë një kategorizim edhe në grupin e trashëgimtarëve?
Vlen për t’u përmendur një fakt. Sipas diskutimeve me grupet e interesit dhe nëpër komisionet parlamentare është hedhur një ide, që na duket e arsyeshme, ku na është kërkuar që edhe brenda 30% të ketë një kategorizim.

Ku konsiston ky propozim? 
30% që u shpërndahet trashëgimtarëve, mendohet t’u shpërndahet me një farë prioriteti trashëgimtarëve të linjës së parë, pra vajzadjem ose burra-gra dhe më pas të vazhdojë prioriteti te motra-vëllezër dhe linja e dytë. Kjo është një ide e që do shikohet mundësia të futet në projektligj. Megjithatë, ne do shikojmë që të paguajmë ata trashëgimtarë, që ende nuk kanë marrë asnjë këst të dëmshpërblimit sepse ka shumë dosje të tilla. Vetëm pasi të plotësohet kuadri, që të gjithë trashëgimtarët të kenë marrë nga 2 këste, do të vazhdohet me këstin e tretë.

Problem në ligjin aktual ka qenë plotësimi i dosjes nga të gjithë trashëgimtarët. Aktualisht, në një dosje me 5 trashëgimtarë, nëse njëri prej tyre nuk ka plotësuar dokumentacionin, penalizohen gjithë të tjerët. A ka ndonjë ndryshim në këtë rregull? 
Edhe këtu kemi një risi, e cila lehtëson shumë procesin për ata trashëgimtarët aktivë (në kuptimin që kanë plotësuar dokumentacionin). Aktualisht shumë shqiptarë, midis tyre edhe të përndjekur, jetojnë jashtë territorit, ndërkohë që janë vërejtur dosje kur një ose dy prej trashëgimtarëve kanë plotësuar dokumentacionin në mënyrë të saktë, ndërsa disa prej tyre jo. Në këto kushte, askush prej tyre nuk ka mundur të marrë asnjë këst deri më sot, nisur nga fakti që dosja konsiderohet e paplotë. Në fakt, kjo nuk është korrekte. Nga ana praktike, dosja është pjesërisht e paplotë. Në këtë kontekst është parë e arsyeshme, që të gjithë personat që kanë plotësuar dosjen të marrin në mënyrë proporcionale, pra vetëm pjesën që u takon, pavarësisht se pjesa tjetër rezulton me dokumentacion të paplotë.

Si do veprohet me pjesën tjetër të trashëgimtarëve që nuk kanë plotësuar dokumentacionin? 
Sigurisht që atyre nuk u humbet e drejta për dëmshpërblimin. Atyre do t’iu shtyhet e drejta deri në këstin e radhës për sa kohë që nuk e plotësojnë. Fondi që u takon atyre rritet këst pas kësti dhe do t’u jepet i plotë në momentin që ata dorëzojnë dokumentet.

Është përfshirë në projektligjit ky ndryshim? 
Patjetër. Dy ndryshimet kryesore që i janë bërë këtij ligji janë pikërisht kategorizimet dhe trajtimi proporcional i personave që kanë plotësuar dosjet në raport me ata që nuk i kanë plotësuar.

A do të ketë ndryshim të numrit të kësteve të dëmshpërblimit?
Këtu nuk kemi ndryshim, por kemi një qasje tjetër. Ka një përllogaritje të ish-të dënuarve që aktualisht jetojnë dhe numri i tyre është 2754. Ky është numri që na është dhënë disa kohë më parë nga Ministria e Financave, por duhet të kemi parasysh që kjo është një shtresë e stërvuajtur dhe një numër jo i vogël i tyre ndërron jetë dita-ditës. Për dëmshpërblimin total të tyre nevojitet një fond prej 85 milionë dollarësh. Ne gjykojmë që ky fond do të shlyhet për të gjithë brenda këtij mandati. Sa i takon pyetjes tuaj, nuk do të ketë ndryshim të numrit të kësteve, por meqenëse 70% e fondit do u kalojë të gjallëve, ne gjykojmë që ata do të shlyhen të gjithë.

Kur pritet të shkojë projektligji për votim në seancë plenare? 
Mendojmë në datë 24 korrik dhe mendoj se në shtator fillojmë disbursimet dhe aplikimin e skemës së re. Gjatë kësaj kohe ne do të kemi selektuar dosjet, në mënyrë që të fillojmë menjëherë me kategoritë prioritare.

Sa do të jetë numri i përfituesve për vitin 2014? 
Këtë vit do të jetë në proporcion me numrin e të gjallëve. Për të gjithë ata do të disbursohen këstet sipas përqindjes që u takon. Sipas ligjit aktual dhe këtu nuk kemi ndryshime, minimumi që mund të marrë është 100 000 lekë dhe maksimumi 1 milion lekë.
Diçka tjetër për të shtuar? 

Unë gjykoj se bëhet fjalë për një projektligj që ka si moto të tij solidaritetin. Nga grupet e interesit, të paktën kjo gjë nuk është kontestuar. Është gjëja më logjike, që fillimisht të paguhen të dënuarit politikë që janë gjallë e më pas trashëgimtarët e tyre. Padyshim që të gjithë do të marrin atë që u takon, por rendi hierarkik është shumë i rëndësishëm.

OLA MITRE

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button