IntervistaKronika

Reforma në drejtësi, Manjani: Është bërë vetëm 1/10 e punës

Reforma në drejtësi është kryefjalë e ditës, në mënyrë të veçantë korrupsioni në radhë të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Për të biseduar në lidhje me këtë reformë tejet të rëndësishme, i ftuar në “Revistën Televizive të Mbrëmjes” ishte ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani.

i deklaroi se ende jemi larg realizimit të reformës duke thënë se është realizuar vetëm një e dhjeta e punës. Sipas tij, në 25 vitet e fundit është marrë vetëm me sqarime se kush do ta emërojë kë në sistemin e drejtësisë, ndërkohë që interesi i qytetarëve është diku tjetër.

Intervista e plotë:

Pandi Gjata: Duket se e ka marrë në dorë, ambasadori amerikan, Lu, këtë betejë të fortë me korrupsionin, në mënyrë të veçantë në radhën e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Një e folur direkte që duket se ka munguar nga elita politike në vend…

Ylli Manjani: Pavarësisht gjuhës së folur dhe kush e flet atë, çështja e korrupsionit është reale në Shqipëri dhe nuk mund ta fshehim, apo të bëjmë sikur nuk e shohim atë. E kemi të pashmangshme. Ne duhet të merremi patjetër me këtë punë, duhet ta zgjidhim dhe duhet të gjejmë të gjitha instrumentet e nevojshme për të ndërtuar një sistem gjyqësor, që të jetë garant për njerëzit.

Pandi Gjata: Lu thotë: “Ikni ose do të hyni në burg”, duke iu referuar prokurorëve dhe gjyqëtarëve të korruptuar. Cfarë merre përsipër kjo reformë? Cili është mekanizmi që do t’i çojë këta gjyqtarë dhe prokurorë pas hekurave?

Ylli Manjani: Unë nuk mendoj se kjo është tema kryesore. Tema kryesore në drejtësi është ndërtimi i sistemit, i cili duhet të garantojë një gjyqësor funksional; duhet të garantojë një gjyqësor, i cili duhet të bëjë të paktën dy gjëra: Së pari, duhet të jetë një sistem gjyqësor, i cili duhet të funksionojë mbi pushtetin politik dhe e dyta, duhet të kemi një sistem gjyqësor që të funksionojë duke iu shërbyer njerëzve, mundësisht shpejt, pasi shtyrja e afateve është një problem themelor. Nga kjo pikëpamje unë them se për këtë arsye reforma në drejtësi është pak më komplekse se disa elementë të korruptuar brenda gjyqësorit, të cilët në një mënyrë apo në një tjetër do të largohen pasi kjo histori nuk shkon më.

Pandi Gjata: A kemi të dhëna se sa për qind e këtij sistemi janë të korruptuar?

Ylli Manjani: Nuk marrë përsipër të vë gishtin mbi askënd, pasi së pari jam jurist dhe e dyta jam edhe ministër i Drejtësisë. Nëse një person është i korruptuar sipas ligjit ai dënohet për këtë dhe nuk mund t’i thuash dikujt i korruptuar se të pëlqen ta bësh këtë. Në një shoqëri demokratike është shumë e rëndësishme të mbrojmë vlerat e parimeve demokratike dhe të shtetit ligjor. Parimi themelor në raport me të drejtat e njeriut në këtë rast është prezumimi i pafajësisë. Ministri bën inspektime, së bashku me KLD-në për të kuptuar se si sillen gjyqtarët në raport me gjyqin, në raport me procedurën dhe qytetarin.

Pandi Gjata: Thelbi për gjyqtarët dhe prokurorët ka qenë pasuria e tyre e pajustifikuar. Si do të vërtetohet kjo pasuri e pajustifikuar e prokurorëve dhe e gjyqtarëve?

Ylli Manjani: Besoj se janë dy gjëra që ne duhet ta reformojmë mirë dhe ta shkruajmë thjesht. E para: Sigurisht që është Inspektoriati i Deklarimit të Pasurive, institucioni i cili duhet të jetë shumë më i zhdërvjellët nga sa ka qenë deri më sot, në kuptimin që duhet të jetë shumë më operativ, shumë më investigues dhe në qoftë se ka nevojë të ketë edhe më shumë kompetenca. Unë për shembull do të isha në favor të një Inspektoriati që duhet të ishte aktiv, të dilte me kamera, me fotografi, të gjurmonte zyrtarin, ku fle, me kë rri, me kë hyn apo me kë del, pra duhet të bënte njëfarë investigimi deri sa të vijë te flagranca apo kapja me prova konkrete. Të gjurmojë llogaritë bankare jo vetëm të zyrtarit, por edhe të të afërmve, pra jam për këtë lloj inspektimi, e bën e gjithë bota këtë, nuk ka pse të mos e bëjmë ne.

Pandi Gjata: Pse se bëjmë? Mungon vullneti politik apo çfarë?

Ylli Manjani: Nuk besoj se është çështje vullneti politik, por çështje infrastrukture, përvoje dhe mbi të gjitha duhet bërë një proces sepse shumë zyrtarë thonë, nuk e di sa e vërtetë është kjo, thonë se janë të inspektuar nëpërmjet medias dhe në qoftë se është e vërtetë kjo nuk është një gjë normale. E dyta: Duhet t’i bëjmë ligjet shumë të thjeshta. Mund t’ju them që ligji për konfliktin e interesave është një ligj shumë i ngatërruar, një ligj që nuk e kupton askush. Në rastin e gjyqësorit ku unë insistoj sepse gjyqësorin e konsideroj si më të rëndësishmin se të gjithë pushtetet e tjera dhe për mua gjyqësori nuk është pushtet, por shtet dhe në qoftë se nuk e kuptojmë kështu nuk kemi bërë asgjë. Në qoftë se gjyqësorin nuk e vëmë në nivelin e shtetit, pra të jetë mbi të gjithë pushtetet e tjera, atëherë ne nuk kemi bërë reformë. Që ta bëjmë këtë duhet t’i japim një kredo maksimale, por duhet të garantojmë që në këtë autoritet shtetëror të funksionojnë realisht njerëz të cilët janë qelibarë dhe mënyra e vërtetë për të provuar nëse je qelibar apo jo është pasuria dhe për mua kjo reformë duhet të ketë një ligj me një nen: Cilido që kapet me një lekë më shumë sesa të ardhurat që ka vjetore nuk mund të jetë gjyqtar i Republikës, fare thjeshtë. Për arsye etike, morale dhe të besueshmërisë që duhet të ndërtojmë ne në raport me publikun, e cila mungon sot, ne duhet të kemi këtë standard, një ligj me një nen. Nëse nuk e arrijmë këtë gjë atëherë kot që flasim, le të flasë kush të dojë, ndash ambasadorë, ministër, kryeministër mund të flasim gjithë ditën por nuk kemi zgjidhur asgjë. Nëse duam zgjidhje kjo është ajo që duhet të bëjmë.

Pandi Gjata: Një prej dy elementëve është e rëndësishme që politika të jetë nën gjyqësorë, pra nën sistemin e drejtësisë. Kjo politikë gati 25-vjeçare që ka pasur dhe vazhdon ta ketë nën kontroll sistemin e drejtësisë a do ta lërë dot?

Ylli Manjani: Ka 100-vjet që ne kemi një shtet politik dhe kjo është tradita që ne njohim, pra nuk është një sfidë e lehtë, por duhet ta tentojmë sepse mundësitë janë dhe nuk ka pse ta prishim shpresën në këtë pikëpamje. Unë them që ka instrumente ligjore sot të përshtatshme për kushtet dhe mentalitetin shqiptar që mund të bëjnë një gjykatë realisht mbi politikën.

Pandi Gjata: A do të jetë projektligj kjo paketë e përgatitur nga ekspertët e nivelit të lartë që ka shkuar edhe për një opinion në Komisionin e Venecias, a do të ketë ndryshime, a mund të përfshihen sugjerime të Partisë Demokratike?

Ylli Manjani: Këtu ka një ngatërresë shumë të madhe. Deri më sot është bërë vetëm një draftligj për amandamentet kushtetuese e cila nuk është ende thelbi i reformës, pra jemi shumë larg asaj çfarë po kërkoj unë si ministër i Drejtësisë por edhe opinioni i shëndoshë juristësh, institucionet, Parlamenti që po shprehin shqetësimin që jemi ende larg reformës në drejtësi. Deri tani kemi bërë disa amandamente kushtetuese, i kanë bërë disa ekspertë që pritet të vijë një vlerësim mbi këto amandamente nga Komisioni i Venecias, por këto janë shumë pak.

Pandi Gjata: Mund ta themi sa për qind dhe çfarë ka ngelur kryesore?

Ylli Manjani: Një e dhjeta e reformës. Gjithçka ka ngelur kryesore. Deri më tani jemi duke u marrë kush ka bërë ky, si hiqet ky apo si vihet ai tjetri, kush është Gjykata e lartë, si emërohet, si shkarkohet, si bëhet Gjykata Kushtetuese, çfarë bën Presidenti, si e emëron Kuvendi.. kemi 25-vjet që po bëjmë të njëjtën gjë. Me thënë të vërtetën jemi stërlodhur me këtë histori dhe jam i bindur që edhe opinioni gjithashtu sepse njerëzit nuk duan të dinë kush emëron kë, por si do të më zgjidhësh gjyqin, si do të ma bësh gjyqin e shpejtë, si do të ma bësh gjykatën të përdorshme. Jemi ende larg realizimit të reformës së nevojshme, jemi ende larg konceptit se si do ta organizojmë këtë shtet, si do ta ndërtojmë shërbimin gjyqësor.

Pandi Gjata: Kush do ta bëjë këtë pjesë të mbetur? Një komision tjetër parlamentar, Ministria e Drejtësisë, qeveria, kush?

Ylli Manjani: Në dijeninë time dhe në mandatin fillestar të Komisionit të posaçëm parlamentar, kjo është detyrë e këtij komisioni sigurisht në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, por ai komision do të duhet të udhëheqë punën dhe ministri i Drejtësisë është i gatshëm që të ulet jo vetëm me ekspertë, por edhe të prodhojë akte të cilat shqetësojnë organizimin gjyqësor, opinionin publik dhe kanë të bëjnë me thelbin e reformës. Unë vet kam anoncuar disa nisma që kanë të bëjnë me ligjin e Gjykatës së Lartë, me organizimin e pushtetit gjyqësor, me ligjin për matjen e punës së gjyqtarëve sepse duhet t’i bëjmë me ligje këto punë, nuk mund t’i thuash gjyqtarit “ik se je i korruptuar”. Duhet të bëhet me ligj çështja e verifikimit apo vlerësimit të gjyqtarëve, duhet t’ia masësh me ligj punën tjetrit dhe jo të mbash qëndrim subjektiv. Unë kam anoncuar nevojën për të rishkruar nga e para të dyja kodet e procedurave, Penale dhe Civile, ashtu siç duhet shkruar nga e para Kodi Penal që të ketë sens sepse të treja nuk kanë sens ashtu siç janë katandisur.

Pandi Gjata: Të gjitha këto që po thoni do të jenë paketë e reformës?

Ylli Manjani: Kjo është reforma, për këtë reformë po flas. Nuk më intereson shumë se si emërohet gjyqtari i Gjykatës së lartë, etj. etj. kanë edhe ato rëndësinë e tyre, por nuk është kjo thelbi. Ministrin e Drejtësisë e shqetësojnë këto që po ju them, si do ta bëjmë gjykatën funksionale sepse në zyrat e Ministrisë së Drejtësisë sot ka dhjetëra qindra njerëz që vijnë dhe shqetësohen për këtë çështje dhe unë jam përfaqësuesi i këtyre çështjeve.

Pandi Gjata: Zoti Manjani, sa kohë do të duhet që të përfundojë i gjithë procesi dhe ne të miratojmë të gjitha këto ligje?

Ylli Manjani: Besoj që ne nuk duhet të kemi nxitim kohe, ne kemi nevojë për kualitet. Ne kemi nevojë për kualitet këtë radhë sepse ligje kemi bërë pafund dhe i kemi bërë edhe me ndërkombëtarë. Ne kërkojmë që ta ndryshojmë Kushtetutën e pazbatuar dhe mos kujtoni që është garanci që Kushtetuta e re që do të vijë nesër nuk do të ndryshohet prapë.

Pandi Gjata: Jua bëj këtë pyetje sepse miratimi i reformës në drejtësi është një prej kushteve që Shqipëria të hapë negociatat e anëtarësimit me BE-në dhe ndërkombëtarët e kanë kërkuar brenda këtij viti të miratohet…

Ylli Manjani: Jo nuk besoj se është kështu. Ka një kakofoni në raportet ndërkombëtare. Unë di që këshilli i Ministrave dhe Komisioni Europian në mënyrë të vazhdueshme e thekson nevojën e reformës në drejtësi dhe pavarësisht se e thonë ata, është e rëndësishme për ne sepse po se kuptuam kështu nuk kemi bërë dot asgjë. Në qoftë se ne do të bëjmë një reformë që do të kënaqet Brukseli dhe të shkatërrohet Shqipëria mua nuk më duket se është reale. Mua më duket më reale që të bëjmë një reformë që t’ju shërbejë njerëzve sepse pa ju shërbyer njerëzve nuk i shërben as Brukselit. Brukseli ka të drejtë që thekson nevojën për koncensus politik sepse flasim për reforma të shtetit dhe për këto reforma pushteti duhet të jetë unik. Sigurisht që moskomunkimi politik, ndasitë politike hera-herës artificiale dhe të panevojshme, tensionimi i situatës politike nuk janë gjëra të mira dhe që i shërbejnë reformës. Vendi ka nevojë për reforma konsensuale sepse gjithçka që kemi bërë në mënyrë të njëanshme ka treguar se ka qenë dështim. Mund të kemi bërë materiale dhe ligje shumë të mira por në mënyrë të njëanshme, të pabesueshme nga pala tjetër, kanë krijuar destabilitet dhe kjo është historia e 25 viteve dhe nuk kemi pse të fillojmë 25-vjeçarin e dytë me të njëjtat gabime.

Pandi Gjata: Jemi në prag të Vitit të Ri dhe a mund të na thoni se sa vetë do të përfitojnë nga aministia e fundvitit dhe pse nuk janë përfshirë edhe veprat e lehta që ndodhen nën hetim?

Ylli Manjani: Ne kemi propozuar që të shtrijmë dhe të përdorim aministinë për të gjithë personat që janë në fazën terminatore të vendimit, pra u kanë mbetur dy vite për të përfunduar dënimin ose janë dënuar deri në 2 vite, sigurisht duke përjashtuar disa krime të rënda të cilat janë të paamnistueshme. Sigurisht për të dhënë edhe një mesazh human njerëzve sepse shteti nuk mund të jetë gjithmonë burg, burg, burg, por i njëjti shtet thotë që “dakord, edhe mund të flasim, edhe mund të krijojmë një situatë sociale”.

Pandi Gjata: Për të liruar edhe disa vende sepse çdo ditë po arrestohen njerëz.

Ylli Manjani: Pavarësisht kësaj, duhet të kuptojmë një gjë që i gjithë trendi i rritjes së personave në burg apo institucionet e paraburgimit përkoi me kohën kur në Shqipëri filloi të flitej për krizë ekonomike. Pra, flasim për vitin 2011, aty ka filluar trendi i rritjes dhe me shtrëngesën ekonomike njerëzit tentojnë të gjejnë rrugë të shkurtra kriminale dhe shtohen burgjet.

Pandi Gjata: Sa mund të jetë numri i përafërt që mund të përfitojnë?

Ylli Manjani: Besoj që jo me pak se 750, pastaj do të shikojmë se si do të adresohet. Tani pse nuk e kemi shtrire të ndjekjet penale sepse nuk duam të krijojmë konfuzion, pra nga njëra anë ne themi që duam të zbatojmë ligjin dhe nga ana tjetër pa e zbatuar ligjin ne i nxjerrim nga burgu. Kjo nuk duam që të ndodhë, përkundrazi duam te presim që gjykata të shprehet për çdo qytetar.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button