Home / Intervista / Andrzej Dycha: Statusi kandidat do sjellë investitorët

Andrzej Dycha: Statusi kandidat do sjellë investitorët

90995Nënsekretari i shtetit polak, Andrzej Dycha, i cili ishte në Tiranë në kuadrin e sesionit të pestë të komisionit të përbashkët ndërqeveritar për bashkëpunimin ekonomik, nënvizoi në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, se është optimist për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe midis Shqipërisë dhe Polonisë. Ai u shpreh i bindur se marrja e statusit të vendit kandidat është një faktor me rëndësi në sytë e investitorëve të huaj.
A mund të na bëni një rezyme të takimeve që realizuat në Shqipëri dhe cilat ishin konkluzionet që arritët? 
Ne zhvilluam dje takime, në kuadrin e komisionit të përbashkët ndërqeveritar për bashkëpunim ekonomik. Ne diskutuam rreth një morie çështjesh të lidhura me ekonominë. Gjatë sesionit plenar, diskutuam rreth kontakteve tregtare midis dy vendeve tona. Gjithashtu, vlerësuam nivelin e investimeve midis Shqipërisë dhe Polonisë, sektorin e energjisë, turizmin, kulturën e të tjera. U takova me ministrin e Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto dhe me zv/ministren e zhvillimit ekonomik, znj. Paskali. Duhet ta pranoj se takimet ishin konstruktive dhe frytdhënëse. Marrëdhëniet tona dypalëshe po zhvillohen. Ka faktorë të rinj që po i ndikojnë këto marrëdhënie. Do të veçoja vendimin e Bashkimit Europian për dhënien e statusit të vendit kandidat Shqipërisë. Një element tjetër që unë do të doja ta nxirrja në pah është edhe vizita e kryeministrit polak në Shqipëri në muajt në vijim.
A do të shtyhen bizneset polake të vijnë në Shqipëri pas marrjes së statusit nga Shqipëria? 
Në të shumtën e rasteve, investitorët e huaj marrin në konsideratë sigurinë e investimeve të tyre. Mendoj se marrja e statusit të vendit kandidat tregon drejtimin që Shqipëria dhe qeveria juaj kanë zgjedhur të marrin. Ky fakt ka ndryshuar klimën e biznesit dhe po jep sinjale se Shqipëria, në vitet që do të vijnë, do të bëhet anëtare me të drejta të plota e BE-së dhe investimet do të jenë më të sigurta. Hyrja në BE si një anëtare me të drejta të plota dhe zbatimi i kuadrit ligjor janë garancitë më të mëdha për investimet e huaja.
Kush është suksesi i historisë së suksesit ekonomik të Polonisë dhe çfarë mund të mësojë Shqipëria nga vendi juaj në këtë drejtim?
Ky sekret është shumë i thjeshtë. Ne punuam fort në fillim të viteve ‘90. Ne vendosëm ta ndryshojmë sistemin, nga një sistem të centralizuar, në një ekonomi tregu. Ndërmorëm shumë reforma. Në një farë mënyre, hyrja e vendit tonë në BE ishte reformimi i shtetit tonë. Kështu, mund të them se elementi i parë i këtij suksesi ishte fakti se ne ndërmorëm reforma në drejtimin e duhur. Gjithashtu mendoj se një element shumë i rëndësishëm ishte konsensusi i përgjithshëm politik që shfaqi Polonia kundrejt rrugës drejt BE-së. Të gjithë ishim dakord se BE-ja ishte vendi ku Polonia duhej të ishte. Eksperienca jonë tregoi se ky ishte një vendim i mirë, sepse tek shikojmë sot shifrat, investimet e huaja, GDP-ja dhe tregtia kanë pësuar rritje më të shpejtë pas hyrjes së vendit në BE, në krahasim me periudhën para hyrjes në këtë familje të madhe.
Sa optimistë duhet të jemi për një bashkëpunim ekonomik më të afërt midis dy vendeve tona dhe ku është më shumë interesi polak në Shqipëri? 
Sipas mendimit tim, ka vend që marrëdhëniet dypalëshe midis Shqipërisë dhe Polonisë të eksplorohen edhe më tej. Ka mjaft potencial. Shkëmbimet tregtare janë në nivelin e rreth 50 milionë eurove, një shifër që nuk është shumë e lartë. Mendoj se turizmi është fusha ku ne mund të eksplorojmë edhe më tej. Polakët janë në kërkim të një destinacioni si Shqipëria. Për momentin, Kroacia është një magnet për polakët. Por këtu në Shqipëri vë re shumë burime natyrore, njerëzit janë kaq të sjellshëm, ushqimi është fantastik, ditët me diell janë të shumta. Pra duhet thjesht të eksplorojmë për ta bërë këtë një histori suksesi. Mendoj se në Poloni nevojitet më shumë informacion për Shqipërinë.
Së fundmi, a keni një mesazh për investitorët shqiptarë? 
Po, i ftoj të vijnë në Poloni, sepse ne jemi një sukses i madh i Europës Qendrore. Të dyja vendet tona kanë përshkruar të njëjtën pikë fillimi dhe mund të mësoni nga eksperienca jonë. Le të krijojmë ura ekonomike, të cilat janë më të fortat. Ju faleminderit!

RUDINA HOXHA

Leave a Reply

Your email address will not be published.