Kryeartikull

Po me politikanët e korruptuar, kur..?

Nga Arben Manaj

Që amerikanët dhe BE-ja janë pas reformës për drejtësi, është ndoshta dhurata më e bukur për festat e fundvitit për shqiptarët. Por, që këta gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar, aq sa janë, të mbështesin këtë reformë, është njësoj sikur gjeli i detit të jetë pro festës së Krishtlindjeve dhe asaj të Vitit të Ri. Por, gjel deti mos prisni të jenë edhe politikanët e korruptuar dhe ata që e kanë mizën nën kësulë, me llogaritë bankare në Qipro apo parajsa të tjera offshore, qoftë edhe pronat që nuk i fshehin dot, e që kur ua përplas në fytyrë ambasadori Lu, sërish krekosen si gjela deti, pa e ditur se po jetojnë profesionalisht dhe jo, me kohë borxh. Sistemi shqiptar i drejtësisë është i pashoq në kontinent dhe ende mungesa e korrektimit të tij, po aq e pashoqe.

Plugimi që pritet të ndodhë në drejtësi në Shqipëri ka nevojë për mbjellje dhe farë të re në këtë fushë vitale të jetës shqiptare, e cila i ka shkaktuar një dëm të pallogaritshëm përditshmërisë dhe imazhit të Shqipërisë dhe shqiptarëve, duke bërë që të humbasin besimin në thuajse gjithçka, pasi nuk shohin ndëshkim.

Gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar kanë gjetur shesh dhe kanë bërë përshesh. Por të mos harrojmë edhe një fakt tjetër, se bashkëfajtorë në këtë gjendje, por jo bashkëvuajtës, mbeten politikanët që ua kanë krijuar atyre terrenin, madje, i kanë inkurajuar aktivisht ose pasivisht, për t’u korruptuar. I kanë korruptuar keqas për qëllimet e tyre të mbrapshta, që në fund të fundit, kanë synuar mosndëshkimin e tyre për super-transgresionet, krimet dhe dëmet që i kanë shkaktuar vendit.

Nuk është se kam ndonjë besim dhe ndonjë optimizëm ekzaltues për reformën në drejtësi, pasi me këtë miell që ndodhet në tepsinë shqiptare, me atë do të gatuhet, edhe pse do hiqen shumë krunde.

Sfida mbetet mentaliteti korruptues në radhët e të korruptuarve dhe korruptuese, dhe efekti i antidotit ligjor. Simbioza politikë-drejtësi dhe anasjelltas, nuk është shpresëdhënëse. Prerja e njërës, vetëm, është e njëjtë me prerjen e bishtit të hardhucës, e cila me kohë e rigjeneron pjesën e këputur.

Influenca dhe presioni ndërkombëtar, jo vetëm ndaj segmentit të drejtësisë, por edhe politikës shqiptare, paralelisht, do të ishte ndoshta ilaçi i vetëm në habitatin e dekurajuar terminalisht për drejtësi në Shqipëri. Është fatkeqësi që ka institucione të specializuara dhe të paguara nga taksat e shqiptarëve, si ai për verifikimin e pronave dhe pasurive të politikanëve dhe funksionarëve të administratës e shtetit, por që është shndërruar në një institucion mëkatar, pasi është totalisht irrelevant dhe nuk e ka kush frikë.

Edhe kur identifikon, aq sa mundet dhe në mënyrë selektive, pronat dhe pasuritë e politikanëve, gjyqtarëve a prokurorëve, punonjësve të pushtetit lokal a qendror, ky institucion bashkë me një prokurori skandaloze e një drejtësi të krimbur, veçse tallen me paradën e të ardhurave dhe makinacioneve revoltuese të shtetarëve shqiptarë, që vetëm në Shqipëri ndodh si praktikë, kur thonë se marrin kredi nga të afërm e kur deklarojnë, jam i bindur, majën e ajsbergut, të pronave të tyre, që edhe si të tilla, sërish të pataksin dhe ta gërdisin me arrogancën që transmetojnë.

Nuk është e vështirë, nëse ka vullnet të inspektohen, sesa të ardhura kanë politikanët e pjesëtarët e drejtësisë së korruptuar shqiptare, që i kanë orët më të shtrenjta se makina e ambasadorit amerikan dhe vilat më të mëdha sesa rezidenca zyrtare e kryediplomatit amerikan në Tiranë, apo edhe sesa ndoshta shtëpinë e tij private në Amerikë. Verifikoni dhe krahasoni rrogat zyrtare dhe të ardhurat, qoftë edhe nga aktivitetet private, e sërish, do ketë hendek skandaloz me pasurinë marramendëse të tyre, e cila shfaqet në aksesorë luksi, si ato që përmendi ambasadori amerikan.

Verifikoni të ardhurat e tyre zyrtare dhe shikoni sesi arrin “paria” të mbulojë shpenzimet për pronat, vizitat jashtë shtetit, makinat e pushimet, apo shkollimin e fëmijëve sa në Angli e gjetkë, e deri tek kostumet, kollaret e këmishat super të shtrenjta që i ndërrojnë për ditë, më keq se “mbreti gratë”.

Të gjithë, sa majtas e djathtas, njësoj zengjin janë, të ngjinjur e sqimatarë vanitozë, kur vijnë në pushtet, e gjithnjë e më pak të përvuajtur kur dalin në opozitë, por sërish të kamur e të siguruar për shtatë breza. Amerika dhe Europa ka mjetet dhe mundësitë për të demaskuar korruptimin e tyre dhe s’ka nevojë ta theksoj unë sesi, dhe në ç’mënyrë, mund ta bëjnë shërbimet inteligjente dhe ligjzbatuese në bashkëpunim me institucionet financiare.

Shumë kollaj, nëse kanë dëshirë.

Përndryshe, përmendja e orëve dhe krahasimet me makina, që i bëjnë vetë shqiptarët, dhe deklarata të tilla si ajo e ambasadorit Lu, mbesin në nivelin e paraqitjeve dhe titujve interesantë mediatikë. Përndryshe, nëse humbasin shqiptarët besimin e mbetur edhe te ndërkombëtarët se vetëm ata mund ta nxjerrin Shqipërinë nga halli që i ka zënë me drejtësinë dhe politikën e korruptuar, reformat do të mbesin në letër, që nuk do jenë të vlefshme, as për ndonjë nevojë higjienike.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button