Home / Arte / Teater / Romanca e Puçinit rikthehet në TKOB

Romanca e Puçinit rikthehet në TKOB

“La Boheme”, opera e Puçinit, këtë fundjavë në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit

“La boheme” do të ngjitet në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit në datat 22 dhe 24 dhjetor, ora 19.00.

Historia e dashurisë mes Mimit dhe Rudolfos vazhdon të emocionojë sa herë ata ngjiten në skenën e një opere. Në një lagje të vjetër të Parisit të viteve 1940, Mimi, një rrobaqepëse, beson ende tek dashuria. Ajo dëgjon me ëndje vargjet e dashurisë që Rodolfo (poet) ka bërë për të. Një histori që nuk mungon në repertorin artistik të çdo teatri në botë, duke u konsideruar si një nga romancat që nuk duhen humbur. Pavarësisht elementeve të bashkëkohësisë që regjisorët vazhdojnë t’i japin kësaj vepre, mënyra sesi Puçini e ka krijuar atmosferën bohemiane, dhe dy personazhet kryesore të kësaj vepre, e bëjnë atë të jetë thellësisht klasike. Në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit “La Boheme” ka qenë një nga operat më të dashura, që në vënien e saj për herë të parë në skenë më shumë se 40 vjet më parë. Prej 11 vitesh mungesë në skenën e TKOB, ajo u ringjit një vit më parë nën regjinë e italianit Andrea De Manincor, i cili do ta rikthejë këtë fundjavë në skenën e këtij teatri. Vepra tashmë është pjesë e repertorit të Teatrit të Operës dhe do të vihet në skenë nën interpretimin e solistëve të TKOB si Eva Golemi, e cila vjen në rolin e Mimisë, Armando Likaj në rolin e Marcellos, Jenish Ysmanov në rolin e Rodolfos. Në role të tjerë janë solistët Dorina Selimaj, Ramona Tullumani, Sidrit Bejleri, etj. Orkestra e TKOB do të drejtohet nga dirigjenti Francesco Cilluffo. Historia që zhvillohet në këtë opera me 4 akte është frymëzuar nga romani i Henri Murger, i cili portretizon jetën e disa të rinjve bohemianë që jetojnë në Lagjen Latine në Parisin e vitit 1940. Vepra gjithashtu portretizon ndjenja humane të dashurisë, miqësisë dhe solidaritetit njerëzor. Kjo opera është një nga më të njohurat e repertorit operistik botëror dhe ka qenë e suksesshme që herën e parë që është vënë në skenë në vitin 1896. Ky produksion në TKOB, përveç muzikës së bukur të Puçinit dhe inteepretimit të artistëve do të sjellë për publikun, skenografinë dhe kostumet e premierës së vitit 1971… Në premierën që kjo vepër ka pasur në skenën shqiptare më shumë se 40 vjet më parë, rolin e Mimisë e ka interpretuar sopranoja e ndjerë Nina Mula.

Leave a Reply

%d bloggers like this: