Home / Intervista / Kriza politikë në Kosovë, Mushkolaj: Zgjedhjet janë zgjidhje

Kriza politikë në Kosovë, Mushkolaj: Zgjedhjet janë zgjidhje

Fundi i vitit 2015 e gjen Kosovën në një krizë politike të thellë. Prej muajsh në seancat e Parlamentit të Kosovës pjesë e pandashme është bërë edhe gazi lotsjellës, ndërsa përveç protestave, kemi edhe deputetë të arrestuar.

Për të diskutuar më shumë në lidhje me aktualitetin në Kosovë, në “Revistën Televizive të Mbrëmjes” ishte i ftuar analisti Imer Mushkolaj. Ky i fundit rikonfirmoi faktin se palët janë shumë larg gjetjes së zgjidhjes, ndërsa propozoi edhe zgjedhjet si mundësi për të dalë nga kriza.

Mushkolaj tha se është i habitur nga fakti se pse qeveria nuk rinegocion marrëveshjet të cilat kontestohen nga opozita. Sipas tij, për marrëveshjen e demarkracionit me Malin e Zi sinjale pozitive për rinegocim ka dhënë edhe pala malazeze.

Ndërkohë, duke folur për Gjykatën Kushtetuese ku po shqyrtohet çështja e Asosacionit, Mushkolaj tha se ky institucion nuk ka besueshmëri për shkak të ndërhyrjes së qeverisë.

I pyetur për vendimin e Brukselit për mos liberalizim vizash për qytetarët e Kosovës, Mushkolaj tha se në një situatë normale ky vendim do të ishte i drejtë, pasi pavarësisht fjalëve të liderëve kosovarë se janë përmbushur të gjitha kushtet, në të vërtetë sipas tij, nuk janë plotësuar.

Intervista e plotë:

Pandi Gjata: U bënë javë dhe muaj që në Parlamentin e Kosovës kemi gaz lotsjellës, deputetë të arrestuar, protesta, reagim të qeverisë për të dy marrëveshjet që i konteston opozita, atë të Asosacionit dhe demarkracionit me Malin e Zi. Palët nuk po gjejnë gjuhën e përbashkët, si e shikon zgjidhjen e kësaj situate?

Imer Mushkolaj, analist: Në fakt, situata ka ardhur duke u përkeqësuar dhe opozita ka shkuar shumë larg dhe nuk shoh ndonjë tërheqje mbrapa, në kuptimin që të dy palët të kenë vullnet politik për të ndërmarrë një hap të tillë dhe natyrisht se është vështirë të parashikohet se çfarë do të ndodhë. Natyrisht se nuk do të doja që kjo çështje të zgjidhet me ndonjë ndërmjetësim ndërkombëtar siç është bërë zakon në politikën shqiptare kur kemi momente të tilla të ketë një ndërmjetësues, mirëpo mund të ketë edhe zgjedhje në kuptimin e gjetjes së një zgjidhjeje. Konsideroj se zgjedhjet mund të jenë zgjidhje, mbase edhe në kuptimin e ndërrimit të konsilacioneve politike, por fillimisht duhet të zgjidhen çështjet kontestuese të cilat janë Asosacioni dhe demarkracioni me Malin e Zi. Nuk mund të shkohet ën zgjedhje nëse nuk ka zgjidhje për këto dy çështje. Është një situatë shumë e vështirë dhe mund të shpresojmë se do të ketë ndonjë zgjidhje me ndërmjetës ndërkombëtar për shkak se të dyja palët nuk kanë vullnet politik për të ndërmarrë hapin vendimtar që do të na çonte drejt zgjidhjes.

Pandi Gjata: Parashikon si zgjidhje vetëm një negociator ndërkombëtar, një të dërguar ndoshta nga Uashingtoni, pasi këta dëgjojnë më shumë politikanët kosovarë, për t’i ftuar palët në tryezë pasi deri më tani nuk duket ndonjë dritë në fund të tunelit.

Imer Mushkolaj: Nuk do të doja të ishte kështu sepse në Kosovë ekziston një demokraci e konsiliduar, parlamentare dhe partitë politike do të duhet të ishin më të pjekura dhe është për keqardhje që prapë vijmë në një situatë që të jetë një negociator ndërkombëtar që të ndërmjetësojë. Ne patëm edhe vizitën e Sekretarit të Shtetit, zt. Kerry në Prishtinë por duket se as ajo nuk bëri punë, pra ne palët po i shohim prapë në pozicione të njëjta, pavarësisht disa lëvizjeve shumë të vogla që u bënë edhe nga ana e koalicionit qeveritar, respektivisht kryeministrit Mustafa i cili bëri një ftesë për dialog por një ftesë, për mua, problematike sepse nuk ishte ftesë e sinqertë pasi u bë më tepër për shkak të presionit ndërkombëtar se sa që u bë për shkak të vullnetit të shprehur politik prej tij dhe kabinetit.

Pandi Gjata: Sa e besueshme është Gjykata Kushtetuese, kur i referohem kryeministrit dhe zv.kryeministrit ata kanë deklaruar se do të pranojnë çdo lloj vendimi përsa i përket Asosacionit të Komunave, pra është e besueshme kjo gjykatë?

Imer Mushkolaj: Gjykata Kushtetuese ka probleme me kredibilitetin në opinion. Vetëm para pak ditësh, Kuvendi i Kosovës miratoi propozimin që një zonjë, e cila ishte kandidate për deputete nga radhët e LDK-së në zgjedhjet e kaluara, të jetë anëtare e Gjykatës Kushtetuese. Pra, shikoni në çfarë situate jemi, koalicioni qeveritar propozon njerëz politik që të jenë anëtarë të Gjykatës, ndërsa në anën tjetër zt. Thaçi dhe zt. Mustafa e kanë gojën plot duke thënë se duhet respektuar vendimi i Gjykatës Kushtetuese çfarëdo qoftë ai. Unë jam që si shoqëri që të veprojmë në këtë mënyrë, t’i besojmë vendimit të Gjykatës Kushtetuese për shkak se konsiderohet ose do të duhej të konsiderohej si institucion i besueshëm por siç e thashë në Kosovë ka probleme me kredibilitetin e Gjykatës duke e bërë të pabesueshme dhe opozita e ka bërë të qartë se çfarëdo vendimi do të merret me rezerva ose nuk do të pranohet fare. Jemi në një situatë edhe më të vështirë sa i përket aspektit të besueshmërisë në Gjykatën Kushtetuese.

Pandi Gjata: Periudha e pushimeve dimërore të Parlamentit a beson që mund të jetë kohë për reflektim apo më 9 janar, me protestën e paralajmëruar nga opozita, gjithçka do të nisë nga e para me gazin lotsjellës, nëse palët nuk gjejnë një zgjidhje?

Imer Mushkolaj: Opozita ka caktuar protestën më 9 janar me logjikën se pas tre ditësh do të jepet edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese, natyrisht që do jetë si njëlloj presioni, respektivisht si një rizgjim pas pushimit dimëror të Kuvendit. Kjo kohë, që është afërsisht 1-muaj, do të duhet të shfrytëzohet për gjetjen e një zgjidhjeje. Sot dëgjuam edhe fjalimin e Presidentes Atifete Jahjaga në Kuvendin e Kosovës e cila për herë të parë gjatë 5-viteve si Presidente, u tregua shumë më e drejtpërdrejtë dhe më e ashpër me të dyja palët në kuptimin e thirrjes për reflektim dhe gjetjen e zgjidhjes në praktikë, kështu që besoj se kjo periudhë do të duhet të shfrytëzohet pikërisht për këtë gjë pavarësisht se palët nuk duan as të diskutojnë me njëra-tjetrën në aspektin e gjetjes së zgjidhjes. Por, po them se mbase me një ndërmjetësim ndërkombëtar, supozoj mund të jetë dikush nga SHBA-të duke pasur parasysh edhe ndikimin që kanë në Kosovë dhe respektin që kosovarët ka ndaj SHBA-ve mund të vijë një propozim për zgjidhje që edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, të cilën nuk e dimë se çfarë do të jetë, mund të kanalizohet dhe mund të rinegociohet pse jo të dyja marrëveshjet, nuk ka asgjë të keqe që edhe marrëveshja për Asosacionin,e dhe për demarkracionin të rinegociohen dhe sa i përket kësaj të dytës ne kemi sinjale shumë pozitive nga Mali i Zi, liderët e së cilës, pavarësisht problemeve që kanë, janë të gatshëm që të rinegociojnë marrëveshjen. Prandaj nuk e kuptoj hezitimin e koalicionit qeveritar për të rinegociuar këto marrëveshje për shkak se kjo është një gjë shumë e natyrshme.

Pandi Gjata: Me gjithë këtë klimë të tensionuar dhe të acaruar, si ndikon edhe vendimi i Brukselit për të mos liberalizuar vizat?

Imer Mushkolaj: Në një situatë normale ku do të duhej të ishte vendim i drejtë. Kur them situatë normale kam fjalën kur pavarësisht përmbushjes së të gjitha kritereve, dhe ne nuk i kemi përmbushur të gjitha edhe pse liderët si zt. Thaçi e zt. Mustafa thonë se ato janë përmbushur, por unë dua të përmend vetëm një shembull që është ligji për konfliktin e interesit i cili duhej të miratohej nga qeveria dhe u tërhoq për të dytën herë nga miratimi dhe ky ligj është njëri nga kriteret që duhet të plotësohet për liberalizimin e vizave. Me këtë ligj të parët që do të goditeshin do të ishin zyrtarët politikë të cilët nuk do të lejoheshin të mbanin dy poste ndërsa në Kosovë ekziston një numër prej më shumë se 800 zyrtarësh të lartë shtetëror cilët mbajnë nga 2 deri në 5 poste, pra kemi një hipokrizi ose demagogji në deklarimet e zyrtarëve shtetëror kur në njërën anë bëjnë thirrje për protesta përpara selisë së BE-së duke i fajësuar këta të fundit, ndërkohë që kur behët fjalë për përmbushjen e kritereve hezitojnë ta bëjnë. Vendimi i Brukselit për mos liberalizim të vizave do të ndikojë shumë keq edhe te shteti i Kosovës por edhe te qytetarët të cilët tashmë e kanë humbur çdo shpresë se mund të bëhet më mirë. Premtimet për liberalizim i kemi që nga viti 2010 dhe kanë kaluar 5 vite kur thuhet se vitin tjetër do të përfitojmë liberalizimin. Pra, është një zhgënjim i përgjithshëm nga qytetarët e Kosovës dhe për këtë dikush duhet të marrë përgjegjësi dhe përgjegjësia në radhë të parë i takon liderëve politikë të vendit.

Leave a Reply

%d bloggers like this: