Home / Intervista / Ekstremizmi fetar, Hide: Ja faktorët që ndikojnë në radikalizimin e shqiptarëve

Ekstremizmi fetar, Hide: Ja faktorët që ndikojnë në radikalizimin e shqiptarëve

Instituti Shqiptar i Studimeve Ndërkombëtare publikoi disa ditë më përpara një studim për “Ekstremizmin e dhunshëm dhe radikalizmin fetar”. Në studion e “Revistës Televizive të Mbrëmjes” ishte i ftuar Enri Hide, njëri prej personave që është marrë me këtë studim.

Përballë gazetarit Pandi Gjata, Hide tregoi edhe faktorët që ndikojnë në radikalizimin e shqiptarëve, duke përmendur elementët socialë dhe kulturorë si më kryesorët.

Gjithashtu, Hide i ka ngarkuar një përgjegjësi edhe Komunitetit Mysliman Shqiptar, që sipas tij, duhet të ketë një rol më aktiv duke i kërkuar që të kapërcejë problemet e brendshme që e pengojnë luftimin e këtij fenomeni.

Intervista e plotë:

Pandi Gjata: A ka ekstremizëm të dhunshëm dhe radikalizim fetar në Shqipëri dhe në çfarë përmasash është ai?

Enri Hide: Gjatë këtyre viteve të fundit, përkundrejt zhvillimeve në Siri dhe Irak dhe organizatave terroriste që veprojnë atje, një numër shqiptarësh në këto luftime. Ky numër shqiptarësh vjen kryesisht nga një pjesë e vogël e ekstremistëve shqiptarë fetarë, pra atyre që e kanë keqinterpretuar doktrinën fetare myslimane, për interesa që nuk kanë lidhje fare me fenë por që i ka shtyrë këta njerëz që të shkojnë dhe të bashkohen një organizate terroriste dhe kriminale siç është Shteti Islamik. Ky lloj embrioni është shfaqur në Shqipëri, këta elementë kanë filluar të funksionojnë që prej vitit 2011, ndoshta edhe më parë por në këtë vit fillojnë të shfaqen si fenomen serioz në kohën kur ishin edhe kryengritjet e para të Assadit, intensifikohen gjatë viteve 2012-2013, ndërsa në 2014-n arrin kulmin si fenomen dhe kemi një rënie graduale gjatë vitit 2015 me numrin e shqiptarëve që janë përfshirë në konflikte në Siri dhe Irak. Këta njerëz janë në proces gjykimi në Shqipëri por ka edhe eksponentë të tjerë, një numër shumë i vogël, të cilët vazhdojnë të jenë në një mënyrë ose tjetër të pranishëm në Shqipëri, përndryshe edhe kjo çështje nuk do të ishte kaq alarmante. Ka pasur elementë që e kanë përforcuar edhe nga zëra brenda Komunitetit Mysliman Shqiptar për prezencën e eksponentëve të tillë, janë të lidhur me interesa që i kalojnë kufijtë e Shqipërisë shkojnë deri vendet europiane dhe Siri dhe Irak ku janë zonat e konfliktit dhe këta janë pjesë e një rrjeti që është më i gjerë sesa Shqipëria që përfshin shumë vende si Turqia, vendet e Lindjes së Mesme, etj.

Pandi Gjata: Cilët janë faktorët historikë dhe ata të rinj që kanë ndikuar në këtë radikalizim?

Enri Hide: E vërtetë. Kjo ka qenë njëri nga problemet kryesore që ne jemi përballur sepse për të studiuar një fenomen të tillë që është kompleks si nga përmbajtja sociale, politike, kulturore apo edhe fetare është dashur që të gjurmojmë fillesat e procesit post-komunist shqiptar, pra të tranzicionit të stërzgjatur shqiptar. Ka faktorë që janë historikë, pra që shkojnë thellë në kohë që në vitet ’90 me largimin e të rinjve shqiptarë që dëshironin të studionin në vendet arabe ose myslimane dhe me kthimin e tyre në Shqipëri për të kapur pozicione kyçe brenda Komunitetit Mysliman, për shkak se ishin kleri i vetëm dhe nuk kishte të tjerë, me vijimin e një procesi përplasjesh brenda llojit në KMSH që do ta quaja si luftë të brendshme për pushtet dhe pastaj duke arritur deri në ngjarjet e sotme të cilat kanë një karakter më modern sa i takon konfliktit në Irak në 2013-n apo edhe konflikti aktual në Siri. Pra, një nga faktorët kryesorë historikë është tranzicioni i stërzgjatur shqiptarë, elementë tjetër që i bashkëngjitet kësaj është mungesa e një kleri të sprovuar dhe teologjikisht të aftë për shkak edhe të presionit që ka pasur nga sistemi i mëparshëm komunist. Elementi i tretë që unë e vendos nga pikëpamja historike ka të bëjë me shfrytëzimin e konflikteve aktuale në disa rajone të botës për t’i përdorur ato si një instrument në ligjërimin e brendshëm fetar për të deformuar doktrinat tradicionale shqiptare fetare.

Pandi Gjata: Problemet sociale, ekonomike, etj. si kanë ndikuar në këtë radikalizim dhe ekstremizëm të dhunshëm?

Enri Hide: Një pjesë e konsiderueshme e faktorëve që duhet të marrim parasysh vijnë nga probleme sociale, ekonomike por edhe kulturore. E para, këta individë që janë radikalizuar vijnë nga shtresa kryesisht të varfra, të marxhinalizuara të shoqërisë, kjo është njëri ndër elementët por jo i vetmi. Kemi edhe individë të tjerë që nuk vijnë nga shtresa të varfra, kemi pasur disa raste që ne i kemi marrë edhe në studim të cilët janë në gjendje të mirë ekonomike që ne shpeshherë ju referohemi si shtresa e mesme, por që përfshiheshin në një moment në radikalizëm ose ekstremizëm, pra përfshiheshin në atë procesin e indroktinimit të tyre fetar nëpërmjet keqpërdorimit të instrumenteve të internetit apo instrumente të tjerë të përçimit të mesazheve të gabuar që vetëm mesazhe fetare nuk janë. Problemet kulturore pastaj lidhen me tjetërsimin dhe izolimin e tyre dhe kjo është pjesa kryesore, jo varfëria…

Pandi Gjata: Pra në piramidën e faktorëve kjo është e para mund të themi…

Enri Hide: Mendoj se është tjetërsimi e izolimi i tyre dhe mungesa e shtetit, që ne e quajmë vakum shtetëror, vakumi i prezencës së shtetit në zona rurale, të thella të Shqipërisë. Po të shikojmë gjeografinë e fenomenit kjo e përforcon më shumë.

Pandi Gjata: Si është gjeografia?

Enri Hide: Në pjesën më të madhe të këtyre individëve ata vijnë nga zona si Bulqiza, Dibra, Pogradeci, Peqini, Librazhdi, Elbasani por edhe rrethinat e Tiranës, Durrësit, pra rrethinat e qyteteve të mëdha.

Pandi Gjata: Çfarë gjetje keni gjetur në këtë shpërndarje, çfarë elementë kanë dalë në studimin tuaj?

Enri Hide: Përgjithësisht, shpërndarja gjeografike përkon edhe me pjesën më të varfër dhe më të marxhinalizuar të këtyre qyteteve. Njerëz të cilët janë krejtësisht të izoluar nga pjesa tjetër e shoqërisë në Bulqizë, Dibër, Librazhd, flasim për zona të thella të këtyre rretheve nuk flasim për qytete, ndoshta edhe në qytete ka prani por kjo është më e kufizuar, siç është rasti edhe me rrethinat e Tiranës dhe dy xhamitë e famshme të cilat ndodhën në një proces të caktuar ligjor.

Pandi Gjata: Si është ky radikalizëm dhe dhunë fetare në krahasim me vendet e tjera të rajonit?

Enri Hide: Për t’i dhënë një dimension krahasimor pyetjes tuaj më lejoni që paraprakisht t’ju them që sipas burimeve zyrtare të muajit korrik 2015 se janë 114 shqiptarë të cilët janë angazhuar në luftën në Siri dhe Irak, pra luftëtarë që ju janë bashkuar organizatave terroriste. Fillimisht iu  janë bashkuar Al-Nusras dhe më pas një pjesë e madhe e tyre kanë kaluar me ISIS-in, si një organizatë më e fuqishme, më e organizuar, etj.. Elementi i dytë është se shifrat variojnë dhe varet nga institucioni, nga shifra të agjencive perëndimore të intelegjencës dhe deri te burimet e instituteve kërkimore më të famshme botërore që merren me çështjet e sigurisë apo me çështjet e që i përkasin terrorizmit dhe variojnë nga 90 pjesëmarrës shqiptarë deri në 150. Duke pasur disa rezerva për shkak të dinamikës së fenomenit dhe rruëgve të ndryshme që ata gjejnë për t’u larguar, një rrugë klasike ka qenë ajo nga Turqia por kemi edhe atë nga Greqia, për shkak të këtyre elementëve dhe për shkak të paaftësisë së shtetit për të kuptuar se si lëvizin këto flukse mund ta vendosim shifrën e këtyre individëve mes 120 dhe 130 që janë të përfshirë në luftime, pa harruar këtu edhe 30 gra dhe 15 fëmijë, ndërsa shifra e të vrarëve është diku te 20 individë, pra në total shkon në 160-170, ndoshta edhe diçka më shumë, shtetas shqiptarë të përfshirë.

Pandi Gjata: Si jemi në raport me Kosovën dhe Maqedoninë?

Enri Hide: Kosova fatkeqësisht ka edhe numrin më të lartë të të shtetasve të përfshirë në aktivitete terroriste në front në Siri dhe Irak. Duke iu referuar sërish burimeve zyrtare, sipas ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, janë mbi 300 individë të përfshirë. Shifrat që dhanë ata është 350, por siç thashë kjo shifër varion nga burime të ndryshme. Nga ana tjetër mos të harrojmë se ka edhe të kthyer, një shtet ka më të lartë numrin e të kthyerve, një tjetër më të ulët. Bosnja ka një numër po aq të lartë dhe varion nga 200 deri në 350, ndërsa në total për Ballkanin, burimet që ne kemi konsultuar, shkojnë nga 700 deri 1000 individë të cilët i janë bashkuar, por problemin më të madh e kanë këto tre shtete Kosova, Bosnja dhe pastaj Shqipëria. As Maqedonia nuk ngelet mbrapa, por problemi qëndron se nga Ballkani, përveç boshnjakëve janë shqiptarë dhe ne duhet ta trajtojmë këtë gjë edhe për këtë arsye.

Pandi Gjata: A e kërcënon sigurinë kombëtare ky radikalizëm apo ekstremizëm i dhunshëm?

Enri Hide: Ngjarjet e fundit në Francë, një vend me nivel shumë të lartë të shërbimeve intelegjente, sigurisë por edhe të integrimit të emigrantëve apo myslimanëve në jetën e përditshme, treguan se asnjë vend nuk mund të jetë imun nga aktivitete të tilla. Duhet një përpjekje e organizuar në shumë nivele, nuk mjafton vetëm niveli shtetëror por duhet edhe Komuniteti Mysliman Shqiptar që mban një pjesë të rëndësishme të përgjegjësisë në këtë rast sikurse shërbimet shqiptare të intelegjencës të cilat vepruan me shumë vonesë për të identifikuar dhe për t’u përballur me këtë fenomen, sikurse shoqëria civile apo shërbimet intelegjente partnere, të gjitha këta aktorë kanë përgjegjësinë që të merren dhe ta shikojnë këtë fenomen me rrënjë dhe për t’i paraprirë apo për ta izoluar atë sepse, për t’ju përgjigjur edhe pyetjes tuaj por ky është edhe një nga përfundimet e studimit tonë, ndodhemi në një fazë të parë dhe embrionale të këtij fenomeni e cila në qoftë se nuk trajtohet si duhet mund të shkaktojë pasoja serioze për sigurinë kombëtare të Shqipërisë në të ardhmen.

Pandi Gjata: A ka kapacitet shteti apo shoqëria për të luftuar këtë radikalizëm?

Enri Hide: Jam i bindur që po. Thjesht nuk jemi vendosur ende në rrugën e duhur për t’u përballur me këtë fenomen në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe të gjithanshme.

Pandi Gjata: A keni nxjerrë ju rekomandime se çfarë duhet bërë?

Enri Hide: Ne kemi menduar që rekomandimet t’i drejtojmë në formën e praktikave më të mira që kanë ndjekur edhe vendet e tjera, sepse kjo nuk është një çështje që na përket vetëm ne sepse me këtë po përballet e gjithë bota sot, në këtë kuptim ne i kemi ndarë në praktika për shtetin, për Komunitetin Mysliman Shqiptar, shoqërinë civile dhe për partneritetin publiko-privat. Rekomandimet janë të shumta, duke filluar me marrjen shumë seriozisht të problemeve që ka KMSH, duke filluar me një angazhim dhe bashkëpunim midis institucioneve si KMSH, shoqëria civile shqiptare por edhe institucionet qeverisëse, duke vazhduar me programe deradikalizimi të cilat për momentin në Shqipëri mungojnë dhe ky është njëri nga problemet tona të mëdha sepse nuk kemi institucione të mirëfillta për të ndërtuar një proces deradikalizimi, nuk kemi institucione rehabilitimi për të kthyerit sepse këta paraqesin edhe sfidën më të madhe, sikurse përmes ndryshimeve të Kodit Penal i kemi penguar ata që janë atje dhe  duan të kthehen, ndërkohë që përmes tyre mund të jepnim një mesazh për ata që janë këtu dhe mendojnë për këto gjëra. Janë mbi 30 rekomandime që ne kemi nxjerrë në studimin tonë por çelësi i suksesit është bashkëpunimi në mes të këtyre institucioneve. Është e pamundur që ky fenomen të luftohet nga një institucion sipas mënyrës së tij. Komuniteti Mysliman Shqiptar duhet vërtetë të angazhohet dhe të lërë mënjanë të gjitha ato probleme që kanë pasur së brendshmi, sikurse institucione shqiptarë duhet të kuptojnë që pa KMSH-në dhe shoqërinë civile nuk mund të luftohet një fenomen i cili ka pasoja  të gjithanshme në shoqërinë shqiptare dhe i cili duhet të mjekohet duke i gjetur medikamentin e menjëhershëm sepse cenon në planin afatgjatë harmoninë fetare midis shqiptarëve, sikurse imazhin e shqiptarëve në botë. Nuk flasim vetëm për shqiptarët e Shqipërisë, por prirja është të përgjithësohet për të gjithë shqiptarët në të gjithë rajonin duke përfshirë edhe ata të Kosovës dhe Maqedonisë, kështu që duhet të fitojmë edhe këtë luftën e imazhit që ne japim karshi partnerëve ndërkombëtarë apo të gjithë botës në përgjithësi.

Leave a Reply

Your email address will not be published.