Keshilla

Këshillat që duhet t’i dini përpara se të kërkoni divorcin

Të divorcuarit dhe partnerët e martesave të shëndetshme japin këshillat e tyre për të qëndruar bashkë ose për të dalë të shëndetshëm nga një martesë. Ja çfarë duhet të dini përpara se të nënshkruani divorcin.

Divorci është një ngjarje që askush nuk ia uron vetes, sidomos pas martesës ‘dhe ata jetuan përgjithmonë të lumtur’. Megjithatë, ndonjëherë, bashkëjetesa me persona të caktuar bëhet e padurueshme dhe si çdo gjë tjetër në këtë botë, edhe gabimi i të martuarit me njeriun e gabuar mund të ndreqet. Ja disa këshilla që duhet të dini përpara se të vendosni të divorcoheni.

Ankthi është i pashmangshëm

Edhe nëse jeni ju ai/ajo që kërkon divorcin, ndjesia e trishtimit, humbjes, frikës dhe ankthit nuk do të zhduket. Pavarësisht dëshirës për t’i dhënë fund, asgjë nuk mund t’ju përgatisë për hapin e madh të divorcit. Ndarja me dikë është gjithnjë e trishtuar për shkak se në mendjen tuaj do të kalojnë shumë kujtime dhe mendime… Vendosni me arsye.

Ju mund ta shpëtoni martesën tuaj

Ka gjithnjë një mënyrë për të gjetur rrugën e mesme me një partner/e. Mos u nxitoni të kërkoni divorcin për gjëra që mund t’i riparoni te njëri-tjetri, qofshin këto falje të gabimeve të tjetrit ose edhe kushtim i më tepër vëmendje ndaj njeriut që keni afër. Mos hiqni dorë shpejt!

Kujdes me dokumentet

Dashuria është një gjë, por kini parasysh që përpara se t’i jepni shkelmin martesës suaj duhet ta keni të sigurt që ju figuron emri te të gjitha asetet tuaja financiare, në mënyrë që të dilni nga martesa duke marrë pjesën që ju takon.

Problemet nuk zhduken me divorcin

Kini parasysh se e keqja që latë pas duke u divorcuar nuk do të zhduket sapo të merrni dokumentet e ndarjes suaj. Ndonjëherë do t’ju duhet të jetoni edhe për disa kohë më pas me zakonet e këqija të personit që divorcuat. Zgjidhja më e mirë në këtë rast është të mos lejoni që ato sjellje t’ju mërzisin.

Mos iu trembni ndryshimit dhe përpiquni të kuptoni

Është normale që përgjatë martesës të dy personat të ndryshojnë. Por ashtu sikurse partneri/ja juaj ndryshon, i njëjti ndryshim ndodh edhe te ju. Nuk është një arsyetim i mirë t’i thoni dikujt “ti nuk je më i njëjti”. Është shumë e lehtë të hiqni dorë kështu nga personi juaj i zemrës. Por në vend të kësaj, përpiquni të kuptoni arsyen pas veprimeve të tij/saj.

Ju mbani përgjegjësi për veten

Nëse arsyeja përse kërkoni divorcin është se dëshironi që partneri t’ju kënaqë nevojat tuaja dhe t’ju bëjë të lumtur, dijeni se shumë shpejt do të mbeteni vetëm. Është përgjegjësia juaj të kujdeseni për mirëqenien tuaj dhe e askujt tjetër. Mos harroni se jeni pjesë e një skuadre dhe se duhet të punoni po ashtu me njëri-tjetrin për të arritur aty ku dëshironi.

Fëmijët do ta kenë të vështirë

Fëmijët tuaj mund të mbyllen në vetvete dhe të mos ju tregojnë se si ndihen, por këtë ju mund ta kuptoni nga sjellja e tyre. Ata mund të fillojnë të flenë në shtratin tuaj, të zihen me njëri-tjetrin apo të tregojnë shenja depresioni. Gjithnjë ka një reagim ndaj divorcit, mjafton që ju të flisni me fëmijët tuaj dhe të kuptoni se çfarë po ndodh me ta.

Puna e vërtetë fillon pas divorcit

Me të nënshkruar dokumentet e divorcit, dijeni se atëherë fillon puna e vërtetë. Do t’ju duhet të shëroheni emocionalisht nga martesa e keqe dhe ta lini atë pas krahëve. Po ashtu, duhet të mësoni të jeni të lumtur vetëm përpara se të krijoni një marrëdhënie të re.

Mund të humbisni miq

Kjo do t’ju befasojë, por ka njerëz që besojnë se divorci mund të jetë ngjitës. Ata mund t’i tremben ndikimit tuaj në jetën e tyre me idenë se mund t’i infektoni me mendime që do t’i çojnë drejt divorcit. Mësohuni me këtë. Disa miq do t’ju largohen, por ju mund të bëni gjithnjë miq të rinj që ju duan për atë që jeni në të vërtetë dhe që ju mbështesin.

Arsyet më të shpeshta për divorcin

Shqyrtimi i të dhënave të divorcit tregon se ndër arsyet kryesore përse njerëzit ndahen është tradhtia. Shkaku i dytë është mospërputhja, ndërsa i treti abuzimi me pijen ose drogën. Ndër shkaqe të tjera janë marrja e rrugëve të ndryshme në jetë, problemet e personalitetit, mungesa e komunikimit, abuzimi fizik ose mendor, zbehja e dashurisë, mosplotësimi i detyrimeve familjare dhe problemet e punësimit.

Burimi: Self.com & Today.com

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button