Home / Arte / Film / Nënë Tereza, letrat sekrete vijnë në një film

Nënë Tereza, letrat sekrete vijnë në një film

Hollivudi, një film për Nënë Terezën. “Letrat” quhet filmi i regjisorit William Riead që sjell anën e panjohur të shqiptares së njohur.

Filmi pjesërisht flet për letrat sekrete të Nënës Terezë, të publikuara në vitin 2007, ku shpalosen krizat e saj me besimin dhe me ndjenjën se Krishti e ka braktisur. Larg nga dëmtimi i reputacionit të saj, letrat janë “një argument për shenjtërimin e saj”.

Me duart e bashkuara me njëra-tjetrën, e veshur me rrobën e lashtë të besimit, aktorja Juliet Stevenson, duket sikur është futur nën lëkurën e shenjtores shqiptare, Nënë Tereza. Për më shumë se një vit, Stevenson ka parë çdo fotografi që ka gjetur mbi Nënë Terezën, ka lexuar çdo artikull të shkruar për të, për të kuptuar më mirë karakterin e gruas së vogël që është kthyer në simbolin e mirësisë në gjithë botën. Ajo dëgjoi incizimet e zërit të saj, për të perfeksionuar theksin dhe sjelljet. “Ajo ishte e pastër, jetonte një jetë të dëlirë dhe hante shumë pak. Nga kjo njeriu pret që ajo të mos jetë e fortë. Në fakt, ishte e kundërta. Kishte duar të mëdha dhe trup të imët dhe gjithmonë i ndihmonte njerëzit”, do të shprehet Juliet. “Letrat” quhet filmi me skenar dhe regji të William Riead, që do të sjellë një anë të panjohur të jetës së Nënë Terezës. Gruaja që u kthye në një simbol të shekullit XX, përmes bamirësisë së saj, ka pasur dhe mëdyshjet e saj të vogla. Riead e bazon historinë e këtij filmi në letrat sekrete që Nënë Tereza ia niste këshilltarit të saj shpirtëror, Celeste van Exem. Në këto letra që thuhet se janë djegur, Nënë Tereza në momentet e errësirës dhe vetmisë ngrinte shpesh dyshime mbi besimin. E lidhur fort pas të varfërve dhe me dëshirën për ta ndryshuar gjendjen e tyre, ajo vuri shpesh në pikëpyetje Zotin. Regjisori ka zgjedhur ta tregojë historinë përmes personazhit të Benjamin Praagh,  një prift nga Vatikani i ngarkuar me hetimin e ngjarjeve pas vdekjes së saj, për të parë nëse Nënë Tereza duhet shenjtëruar. Në fakt, ky fakt ka qenë një kritikë që regjisori e ka marrë për filmin që në nisje të tij. Në film jepet rrugëtimi i Nënë Terezës që kur dëgjon thirrjen nga Perëndia, deri në udhëtimin drejt Indisë. Regjisori është futur brenda karakterit të Nënë Terezës, për të zbuluar botën e një vajze të brishtë që u nis nga stacioni hekurudhor i Shkupit përmes Zagrebit në Dublin për t’u kthyer më pas në misionaren shpirtërore të njerëzve në nevojë. Roli i Stevenson është konsideruar nga kritika i denjë për “Oskar”. Si aktore ajo arriti të sillte gjendjen shpirtërore të Nënë Terezës, gjithë zhgënjimet dhe emocionet e forta të jetës së saj në shërbim të një kauze. Filmi është i mbushur me skena të paharrueshme, siç është momenti kur ajo këshillon një grua shtatzënë ose takimet me studentët e rinj që duan të ndjekin shembullin e saj në jetë. Pavarësisht dyshimeve që ajo ndien në fund të jetës së saj, filmi është një histori e bukur frymëzimi i jetës së një gruaje që besoi në një botë më të mirë, dhe e vendosi veten në shërbim të saj. Aktorja Stevenson nuk ka për t’i harruar asnjëherë ditët e xhirimeve. “Po xhiroja në sarin e famshëm të bardhë dhe me vija të kaltra”, ka thënë Stevenson për “Observer”. “Njerëzit afroheshin, përkuleshin dhe preknin sarin…në Indi ajo ende nderohet. Ajo mori me mijëra njerëz nga rruga dhe u kujdes për ta”, shprehet Stevenson. Kur ky rol iu besua ajo kishte shumë dyshime në mund t’i përshtatej asaj. “Kisha shumë dyshime, sepse unë nuk i përshtatem asaj. Unë jam 176 centimetra dhe goxha një fizik të fortë. Në asnjë mënyrë nuk jam miniaturë e saj. Nuk i përkas ndonjë besimi fetar dhe ajo besonte fuqishëm në Zot. Edhe mendimet për të drejtat e grave, kontrollin e lindjes dhe aborti, na dallojnë…Por ishte një sfidë e mrekullueshme”, ka thënë Stevenson. Ndërsa regjisori Riead thotë se ideja për këtë film i lindi pas lumturimit që Nënë Tereza pati nga Papa Gjon Pali II në vitin 2003, i cili po ashtu dha bekimin të realizohet ky film. Riead është inspiruar nga filmi fitues i çmimit “Oscar”, “Gandhi” të regjisorit Richard Attenborough, ku aktori Ben Kingsley solli në jetë liderin indian.  Nëna Terezë, e cila vdiq në vitin 1997, në moshën 87-vjeçare, është bërë një prej figurave fetare më me ndikim të shekullit XX. Nëna Terezë, me etni shqiptare, krijoi një rend në lagjet e të varfërve të Kalkutës që u dedikohej të paaftëve dhe atyre që janë duke vdekur – “të gjithë ata që ndihen të padëshiruar, të padashur, të lënë pas dore”, kishte thënë ajo dikur. Papa Pali VI e përshkroi atë si një “lajmëtare të patrembur të dashurisë së Krishtit” dhe ajo u nderua me çmimin “Nobel” për Paqe. Qëllimi i filmit sipas regjisorit është humanizmi, si mesazhi më i mirë për një botë gjithnjë të shqetësuar nga trazirat fetare.

Vatikani i njeh mrekullinë

Nënë Tereza drejt shenjtërimit

Nënë Tereza do të jetë shenjtore brenda vitit 2016. Papa Françesku ka miratuar dje dekretin që do ta çojë atë drejt shenjtërimit. Në dokumentin e paraqitur gjatë audiencës me kardinalin Angelo Amato, u njoh ndërmjetësimi i bamirëses së madhe, në mrekullinë e shërimit të menjëhershëm e të pashpjegueshëm të një burri me kombësi braziliane, i sëmurë nga tumori në tru. Ishte viti 2008 dhe burri 35-vjeçar u shërua në mënyrë të papritur.”Mbrëmjen e 10 shtatorit 1948, Maria Tereza – ky, emri që pati marrë në çastin e kushteve, murgesha e re e Motrave të Loretos – shtegtonte me tren nga Kalkuta, në Darjeling, në viset rrëzë Himalajës, tronditur rëndë prej çrregullimeve. Tregonte më vonë Rregulltarja imcake, 38-vjeçare, e paracaktuar të bëhej ikonë planetare e dashurisë së krishterë: “Atë natë m’u hapën sytë për të parë vuajtjen dhe e kuptova me fund thelbin e thirrjes sime. Ndjeva se Zoti po më kërkonte të hiqja dorë nga jeta e qetë në gjirin e Kongregatës rregulltare, për të dalë në rrugë të madhe e për t’u shërbyer të varfërve”. E shtonte: “Nuk ishte këshillë, ftesë e as propozim. Ishte urdhër!”. Pikërisht 60 vjet më pas, më 10 shtator 2008, një inxhinier brazilian, në gjendje kome për shkak të një sëmundjeje të trurit, u mbart në sallën e operacionit për një ndërhyrje kirurgjikale gati-gati të pashpresë. Gruaja e tij lutej në kapelën e spitalit, së bashku me një meshtar e disa familjarë. Një natë më parë i qe lutur me gjithë zemër Nënë Terezës: “Mjekojeni Ju vetë tim shoq”. Gjithçka ndodhi në pak minuta. Kirurgu, që kishte dalë një gjysmë ore më parë nga salla e operacionit, duke e shtyrë për pak çaste ndërhyrjen, u rikthye përsëri dhe, çuditërisht, e gjeti të sëmurin ndenjur mbi shtrat, të zgjuar e plotësisht të vetëdijshëm. I mrekulluar, e dëgjoi t’i thotë: “Ç’bëj unë këtu?”. Shërimi, që u vërtetua  më pas, ishte i menjëhershëm, ndërsa abseset e shumta të trurit, me hidrocefale obstruktive, ishin zhdukur krejtësisht, në mënyrë fare të pashpjegueshme. Është një nga rastet e rralla të mrekullisë së “shkallës së parë”, asaj që kundron ngjalljen prej të vdekurve ose të ashtuquajturës “restitutio ad integrum”, domethënë, shërimin e plotë të të gjitha organeve të shkatërruara nga sëmundja”, tregon Radio Vatikani. Ky rast i hap rrugën drejt shenjtërimit nobelistes shqiptare, brenda vitit që vjen. Lajmi i afrimit të shenjtërimit të saj është përshëndetur jo vetëm nga personazhe të politikës, por dhe nga shqiptarët kudo që janë.

Bujar Nishani – Ky autorizim për Kongregacionin për Kauzën e Shenjtorëve nuk na lumturon vetëm ne shqiptarëve, por të gjithë botën mbarë, e veçanërisht ata që e kanë ndier mrekullinë, mirësinë dhe dashurinë e saj.

Edi Rama – Lajm emocionues nga Vatikani: Nënë Terezës i është njohur nga Papa mrekullia e dytë e një shërimi të pamundur që i jep asaj shenjtërimin!

Hashim Thaçi – Papa Françesku ka njohur mrekullinë e dytë të Nënës Terezë, duke i hapur rrugë shpalljes së saj shenjtore në vitin e ardhshëm. Për shqiptarët kudo që janë, Nëna Terezë tanimë është e shenjtë, sepse simbolizon vlerat që i kemi kultivuar me shekuj: solidaritetin, tolerancën ndërfetare dhe kujdesin për tjetrin! Ne edhe kur ishim duke u shtypur më së shumti nga të tjerët, ishim të vendosur që t’i ruajmë këto vlera dhe tradita.

Leave a Reply

%d bloggers like this: