Ekonomia

Inaugurohet “Fashion VET-AL”, Klosi: Koha të kalojmë nga fasoneria në prodhimin ‘Made in Albania’

Për herë të parë, në vendin tonë do të hapet një kurs i mirëfilltë profesional për formimin e modelistëve të këpucëve. Kjo do të bëhet e mundur falë programit italo-shqiptar të konvertimit  të borxhit italian (IADSA) dhe do të realizohet nga bashkëpunimi i Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë me Rajonin Marche të Italisë, nëpërmjet projektit “Fashion VET-AL”, që do të zgjasë për 2 vjet. Faza e parë e këtij projekti ka nisur të zbatohet dhe tashmë janë gati ambientet e reja të pajisura me bazën e duhur mësimore, sipas standardeve më të mira europiane.

Inaugurimi i këtyre ambienteve u bë sot, gjatë një ceremonie të posaçme, ku morën pjesë: ministri i MSR-së, Blendi Klosi, ambasadori i Italisë, Alberto Cutillo,  si dhe përfaqësues të biznesit që vepron në fushën e prodhimit të këpucëve në vendin tonë.

Në fjalën e tij përshëndetëse gjatë kësaj ceremonie, ministri Blendi Klosi e cilësoi këtë laborator si një dhuratë që i bëhet arsimit profesional dhe sidomos biznesit që vepron në fushën e prodhimit të këpucëve, pasi siç theksoi ai, tashmë nëpërmjet tij do mund të formohen dizenjues të vërtetë të këpucëve shqiptare. “Është një punë disamujore e MMSR-së dhe Ambasadës Italiane për të realizuar nëpërmjet projektit IADSA një laborator shumë interesant në vendin tonë, një laborator, i cili mund të ndihmojë tashmë biznesin e këpucëve në vendin tonë për t’u ngritur një shkallë më lartë. Ajo që kemi thënë gjithmonë: nuk mjaftojnë vetëm të kemi shkolla profesionale, porse ato duhet të kenë marrëdhënie direkte me biznesin për t’i përshtatur kurrikulat e tyre me kërkesat e biznesit”, – tha ministri Klosi në fjalën e tij.

Gjithashtu, ai theksoi se falë zbatimit të këtij projekti dhe këtij laboratori të ngritur do mund të kemi një markë shumë të mirë shqiptare të prodhimit të këpucëve. “Nëpërmjet këtij projekti, biznesi i këpucëve në Shqipëri mund të bëjë një hap përpara për të kaluar nga faza fason në një fazë të prodhimit ‘Made in Albania’. Shpresojmë shumë që edhe në Shqipëri ky biznes do transformohet nga një biznes fason në një biznes me profesionistë të vërtetë dhe me njerëz që nëpërmjet punës së denjë dhe zanatit të tyre mund të ndihmojnë familjet e tyre dhe shoqërinë shqiptare për të ecur përpara. Vetëm nëpërmjet punës së denjë e ardhmja mund të jetë më e mirë”, – tha Klosi.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button