Home / Ekonomia / 100 kompanitë me fitim më të lartë; Ja sektorët më fitimprurës

100 kompanitë me fitim më të lartë; Ja sektorët më fitimprurës

cNga Ornela Liperi

Cilat janë 100 sipërmarrjet që kishin fitime më të larta në vitin 2014. Kryesojnë bankat dhe telekomunikacionet. Sektorët, që po maturohen dhe ato, që po lulëzojnë. Një guidë mbi segmentet me norma më të larta fitimi në ekonominë shqiptare. Nëse do të doje të hapje një biznes të ri, apo të diversifikoje portofolin larg prej segmenteve të maturuara apo në rënie, cilin sektor do të zgjidhje?! Bizneset tradicionale të tregtimit, shitjes së naftës, ndërtimit nuk “intrigojnë” më. Shërbimet financiare kanë një kthim të kënaqshëm, por konkurrenca e fortë e vështirëson hyrjen. Bizneset e reja të “call center” kanë rezultuar fitimprurëse deri tani, por ato po mbijnë si kërkudha pas shiut dhe po japin sinjalet e para të ngadalësimit të rritjes. Bizneset e dhuruara (koncesionet) po ecin mirë, por ato po përqendrohen “me mik” në pak duar. Tregtimi i energjisë ka hapësira të rritet, teksa sektori pritet të liberalizohet në vitet në vijim. HEC-et private, ndërsa ecën mirë dy vitet e fundit, u “goditën” nga vendimi i Entit Rregullator të Energjisë (ERE) për të ulur çmimin edhe me efekt prapaveprues për periudhën 2012-2014. Në mënyrë ironike, pas aksionit që synonte t’i jepte fund marrëzisë së lojërave të fatit, sipërmarrjet e kësaj të fundit po rezultojnë mjaft fitimprurëse. Ndërsa Bankers Petroleum rezulton me humbje të thella, nënkontraktorët e tij po deklarojnë norma fitimi marramendëse. Tregtia (me shumicë) dhe nafta “lodhen” shumë për pak fitime, Ekonomia dhe sipërmarrjet po kërkojnë në mënyrë të dëshpëruar të orientohen drejt një modeli të ri, më të qëndrueshëm e më pak t.ë varur nga zhvillimet ciklike. Një rrugë e vështirë kjo, duke pasur parasysh ambientin e vështirë ekonomik, mungesën e likuiditeteve dhe financimeve, pritshmëritë e dobëta të konsumit, çoroditjen fiskale, agresivitetin e administratës, ashpërsinë e masave të reja kundër informalitetit dhe evazionit, stepjen e investimeve dhe mungesën e një strategjie gjithëpërfshirëse që do të krijonte infrastrukturën e nevojshme mbështetëse drejt këtij modeli të ri.
Monitor, në vijim të shkrimeve të saj mbi renditjen e sipërmarrjeve (sipas xhiros dhe eksporteve, publikuar në numrat e mëparshëm), sjell këtë numër 100 kompanitë më të mëdha sipas fitimeve, duke u munduar të hedhë dritë mbi prirjet e ekonomisë shqiptare dhe pritshmërive për të ardhmen.

10 sipërmarrjet me fitime më të mëdha

Në raport me 2013-n, ka ndryshime të dukshme në renditjen e sipërmarrjeve më të mëdha sipas fitimeve. Koorporata Elektronenergjetike Shqiptare (KESH), që kryesonte në renditjen e vitit të mëparshëm është “zhdukur” nga lista, për shkak të ecurisë negative në 2014-n, ku rritja e lartë e shpenzimeve ka bërë që kompania të dalë me një humbje të lartë prej 22 miliardë lekësh (158 milionë euro) në 2014-n, nga 9.3 miliardë lekë që ishte fitimi i një viti më parë.
Sipërmarrjet e ndërtimit të infrastrukturës (Alb Star dhe Copri Actor) kanë dalë nga dhjetëshja, si rrjedhojë e rënies së vrullit të shpenzimeve kapitale pas zgjedheve të 2013-s. Bankat dhe telekomunikacionet vijojnë të jenë ndër bizneset më fitimprurëse në Shqipëri, ndonëse kompanitë celulare nuk po shohin më ato norma të larta fitimi si disa vite më parë (ndonëse është vështirë të jepet një gjykim për përfitueshmërinë e saktë të tyre, për arsye të futjes në treg këto vitet e fundit të operatorëve telefonikë, që përfitojnë një pjesë të volumit të xhiros e të fitimit të tyre)
Më poshtë jepen 10 sipërmarrjet me fitime më të larta (bruto, para tatimit), ndërsa për renditjen e 100 kompanive shiko tabelën kryesore.

  1. Banka Kombëtare Tregtare (BKT) është sipërmarrja që ka arritur të sigurojë më shumë fitime në vend në vitin 2014, prej 6 miliardë lekësh. Një vit më parë ajo ishte e pesta në renditje në këtë tregues, BKT është banka më e madhe në vend sipas aseteve, kredive, depozitave dhe qarkullimit vjetor.
  2. Një tjetër bankë është në vendin e dytë, Raiffeisen, me fitime prej 5.5 miliardë lekësh, 24% më të larta se një vit më parë. Edhe një vit më parë, Raiffeisen ishte po në vendin e dytë.
  3. Renditjen e vijojnë telekomunikacionet, me Telekom Albania (ish-AMC), që megjithëse ka shënuar rënie të fitimeve, është e treta në këtë tregues, me diferencën mes të ardhurave e shpenzimeve që ishte 2.9 miliardë lekë në 2014-n.
  4. Ndryshe nga KESH, që përkeqësoi rezultatet në 2014-n, Operatori i Sistem Transmetimit (OST)ka vijuar të jetë në dhjetëshen e më të mirëve, me fitime prej 2.3 miliardë lekësh, pothuajse në të njëjtin nivel me vitet e mëparshme, duke qenë dhe një ndër sipërmarrjet më të qëndrueshme me kapital shtetëror në fushën e energjetikës.
  5. Sërish një bankë, Intesa Sanpaolo raportoi fitime prej 2 miliardë lekësh, 68% më të larta se në 2013-n.
  6. Vodafone, ndonëse është shoqëria më e madhe e telekomunikacioneve në vend, përsa i përket xhiros vjetore, është e dyta në këtë sektor në renditjen e sipërmarrjeve më të mëdha sipas fitimeve, pas Telekom Albania. Vodafone kishte fitime prej 1.8 miliardë lekësh në 2014-n.
  7. Albpetrol, sipërmarrja me kapital shtetëror e prodhimit dhe tregtimit të naftës ka përmirësuar aktivitetin e saj në 2014, duke rritur të ardhurat me 44%, ndërsa fitimet janë zgjeruar me rreth 30% për të arritur në gati 1.9 miliardë lekë, duke u renditur në kompaninë e dytë shtetërore me fitime më të larta, pas OST.
  8. Phoenix Technology Services Albania, renditet për herë të parë ndër 10 kompanitë më fitimprurëse në Shqipëri. Kompania, sipas ekstraktit të saj ofron shërbime Horizontale dhe Direksionale për Naftën dhe Gazin Natyror në Shqipëri dhe raportoi në bilancin e saj fitime prej 1.5 miliardë lekësh, 26% më të larta se në 2013. Kompania është nënkontraktor i Bankers Petroleum, ndërsa kjo e fundit, që është sipërmarrja më e madhe në vend është i munguari i madh i kësaj tabele.
  9. Kastrati sha, tregtuesi me shumicë i karburanteve, ndonëse ishte në vitin 2014 sipërmarrja e dytë më e madhe në vend, pas Bankers Petroleum, me të ardhura prej rreth 67 miliardë lekësh, renditet i nënti, me fitime prej 1.4 miliardë lekësh, me dyfishim, në krahasim me 2013-n.
  10. Tirana International Airport (TIA), ndonëse ka shënuar ulje të të ardhurave me 30%, si rrjedhojë e rënies së trafikut ajror në 2014 (pas daljes nga tregu të Belle Air), ia ka dalë të rrisë fitimet me gati 10% në 1.2 miliardë lekë, duke mbajtur nën kontroll shpenzimet.

Bankat, kryesojnë me fitime

Pas disa vitesh, që shpenzimet e larta për provigjione gërryen fitimet e bankave, 2014-a ka qenë pozitive për sistemin. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, sistemi bankar shqiptar ka deklaruar fitime prej 11.1 miliardë lekësh, pothuajse dyfishin në raport me një vit më parë (Banka e Shqipërisë raporton fitimet e bankave sipas standardeve të vendosura prej saj, ndërsa në raport me fiskun, bankat raportojnë sipas standardeve ndërkombëtare IFRS, që kanë kritere më pak të rrepta për provigjionimet në krahasim me standardet e aplikuara nga Banka e Shqipërisë dhe si rrjedhojë fitimet, sipas raportimit të IFRS rezultojnë më të larta).

Tre janë arsyet kryesore të përmirësimit të ndjeshëm të rezultatit financiar të vitit bankar, i cili pas 2008-s kishte parë një rënie të ndjeshme të fitimeve, si rrjedhojë e rritjes së shpenzimeve për provigjionime (shpenzimet që bankat lënë mënjanë për mbulimin e kredive me probleme).
Së pari, të ardhurat neto nga interesat u rritën me 5 miliardë lekë, apo 12% me bazë vjetore në 2014-n. Ulja e interesave të depozitave me ritme më të larta se të rënies së normave të kredive, i ka ndihmuar bankat të përmirësojnë ndjeshëm këtë tregues, pavarësisht tendencës së qartë rënëse të interesave.
Së dyti, shpenzimet për provigjione kanë ardhur në rënie në 2014-n, duke u reduktuar me 4.2 miliardë lekë, apo 57%. Shpenzimet e larta për provigjionime kishin parë një rritje të shpejtë që nga fundi i vitit 2008, kur sistemi bankar filloi të përballej me një rritje të shpejtë të huave me probleme, duke gërryer fitimet e bankave. Kreditë me probleme arritën në 22.8% në fund të dhjetorit 2014, në krahasim me 23.22% që ishte ky tregues në fund të 2013-s.
Së treti, sistemi bankar ka raportuar të ardhura të jashtëzakonshme prej 1.5 miliardë lekësh, si rrjedhojë e shitjes së pasurive të paluajtshme të marra në zotërim nga ekzekutimi i garancive ndaj klientëve problematikë, nga një humbje prej rreth 780 milionë lekësh që ishte ky tregues një vit më parë.
BKT dhe Raiffeisen kanë marrë pjesën e “luanit” të fitimeve të sistemit, të ndjekura nga Intesa e Credins. Në renditje janë edhe Alpha Bank, Union Bank, Procredit, NBG.

Ecuria pozitive e fitimeve të sistemit bankar ka vijuar dhe për 9 mujorin e parë të këtij viti. Fitimi i sistemit bankar ishte 11.6 miliardë lekë për 9-mujorin 2015, duke shënuar rritje prej 33% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndryshe nga 2014-a, në pjesën e parë të këtij viti, përmirësimi i rezultatit të bankave ka ardhur si rrjedhojë e rënies së shpenzimeve me ritme më të larta sesa tkurrja e të ardhurave, rrjedhojë kjo e zgjerimit të diferencës mes normës së interesit të kredive (të ardhurat e bankës) dhe interesit të depozitave (kosto e bankave), çka ka sjellë një rritje të të ardhurave neto nga interesi me 3.7 miliardë lekë (nga 2.9 miliardë lekë që ishte rritja e fitimit në total, në vlerë absolute).

Telekomunikacionet, bien normat e fitimit të dy të mëdhenjve

Si Telekom Albania (ish AMC) ashtu dhe Vodafone, kanë parë për të disatin vit radhazi rënie të fitimeve të tyre, si rrjedhojë e shtimit të konkurrencës dhe maturimit të tregut të telekomunikacioneve. Normat e fitimit kanë zbritur ndjeshëm nga gati 50% disa vite më parë, në 10-20% në 2014-n.
Fitimi para taksave i Vodafone ra me 48% (!!!) në rreth 1.8 miliardë lekë, sipas të dhënave nga bilanci zyrtar i kompanisë,
Rënia e të ardhurave me ritme më të larta se tkurrja e shpenzimeve ka bërë që Vodafonë të shohë një reduktim të normës së fitimit, në rreth 11%, nga gati 20% një vit më parë. Të ardhurat, në vlerë absolute, u tkurrën me rreth 2.3 miliardë lekë dhe shpenzimet u ulën me rreth 0.5 miliardë lekë.
Të ardhurat e Vodafone ranë me rreth 12% me bazë vjetore në 2014-n, ku ndikimin më të madh (mbi 80% të rënies) e kishte tkurrja e të hyrave nga tarifat e interkoneksionit, nga 6.7 miliardë lekë në 4.8 miliardë lekë.
Kompania arriti të mbajë nën kontroll koston e shitjeve, duke e ulur me rreth 1 miliardë lekë, ndërkohë që shpenzimet administrative dhe operative janë rritur.
Për Vodafone, kjo është norma më e ulët e fitimit, që kur hyri në tregun shqiptar(fenomen vërtet i papritur pasi kompania zotëron një pozicion dominues në tregun e telefonisë së lëvizshme, të konstatuar si shqetësuese edhe nga Autoriteti i Konkurrencës (AK) – shiko vendimin e AK të datës 16.01.2014). Edhe Telekom Albania ka parë një rënie të normave të fitimit, nga 30% në 2013 në rreth 22.5% në 2014. Që prej fillimit të viteve 2000, kur privatizoi operatorin shtetëror AMC, kompania ka shënuar norma të larta fitimi, që kulmuan në vitin 2009, në 62% (!!!). Më pas, me hyrjen në treg të dy aktorëve të rinj, Eagle (sot Albtelecom Mobile) dhe Plus Communication, normat e fitimit shënuan rënie, krahas me uljen e tarifave për klientët dhe rritjen e ofertave e mundësive si pasojë e konkurrencës. Rënia e të ardhurave me 1.6 miliardë lekë, ndërkohë që shpenzimet ishin pothuajse konstante ishte arsyeja kryesore e tkurrjes së fitimeve. Ndryshe nga Vodafone, për Telekom Albania, rënia e të ardhurave erdhi në pjesën më të madhe nga shërbimet me parapagim dhe kontratë, që u tkurrën me gati 1 miliard lekë.
Edhe për Telekom Albania, 2014-a shënoi normën më të ulët historike të fitimit të kompanisë, që kur ajo hyri në tregun shqiptar. Dy operatorët e tjerë, Albletecom Mobile (ish-Eagle) dhe Plus rezultojnë ende me humbje në një treg që mbetet i dominuar nga dy operatorët e mëdhenj.

Karburantet, shumë xhiro, hiç fitime

Ndërsa në renditjen e kompanive më të mëdha sipas xhiros mbizotëronin prodhuesit dhe tregtuesit e naftës, duke realizuar 21% të qarkullimit total të 200 VIP-ave të ekonomisë shqiptare, panorama është krejt e kundërt në listën e sipërmarrjeve më më të mëdha sipas fitimeve. Numri i bizneseve të naftës është shumë i pakët dhe ato, që janë, kanë deklaruar fitime minimale.
Bankers Petroleum, sipërmarrja më e madhe në vend sipas qarkullimit vjetor në 2014-n (me 67.3 miliardë lekë), ka raportuar humbje fiskale prej 12.5 miliardë lekësh në 2014-n (rreth 100 mln USD), nga rreth 19.4 miliardë lekë që ishte humbja fiskale e një viti më parë. Që prej fillimit të aktivitetit, kompania nuk ka dalë asnjëherë me fitim sipas konceptit “fiskal” të kompanive koncesionare të prodhimit të naftës, që sipas marrëveshjes koncesionare do të duhet të tatohej me 50%. (Rezultati tatimor i shoqërisë nuk llogaritet sipas ligjit ‘Për tatimin mbi të ardhurat’ por, bazuar në Marrëveshjen e Hidrokarbureve lidhur midis Albpetrol sh.a. dhe Bankers miratuar në 2004-n, sipas së cilës rezultati llogaritet pasi nga të gjitha të ardhurat të zbriten të gjitha shpenzimet operative dhe kapitale të bëra nga nënkontraktori). Kompania është aktualisht në konflikt me tatimet, të cilat në bazë të një raporti të AKBN i kërkojnë Bankers të paguajë 75 milionë dollarë në lidhje me shpenzimet operative dhe kapitale të pranuara si kosto të rekuperueshme (shuma ishte fillimisht 57 milionë dollarë por u rrit për shkak të interesit dhe gjobave të aplikuara).
Në Bursën e Torontos, ku është e kuotuar (BKN TSX Exchange), Bankers ka raportuar në vitin 2014, të ardhura neto (fitime nga operacionet e vazhdueshme) prej 128.8 milionë USD, me një dyfishim në raport me vitin e mëparshëm. Megjithatë kompania thekson se nuk ka shpërndarë asnjëherë dividend.
Kastrati (sha dhe me pakicë) Bolv Oil, TPD Drilling (që shfrytëzon me qira kapacitetet e operatorit të përpunimit të naftës, ARMO) dhe Everest Oil janë të vetmit operatorë tregtues të karburanteve, që figurojnë në renditjen sipas fitimeve.
Sipërmarrësit e karburanteve, për gjithë mundin e tyre në menaxhimin e një aktiviteti voluminoz, duhet të kënaqen me fitime të ulëta.
Norma mesatare e fitimit para taksave të sipërmarrjeve të përqendruara në tregtimin e karburanteve luhatet në 0.5-2% (disa dhe me humbje), duke qenë sektori më pak fitimprurës në ekonomi. Aktorët e tregut i quajnë karburantet një biznes të vështirë dhe me kosto të larta. Ky sektor ka dhe lëvizjet të mëdha tek VIP-at, me mbyllje të kompanive, apo rritje stratosferike të tyre brenda një periudhe të shkurtër kohore. Ka shumë sipërmarrje, që hyjnë në treg, ashtu siç edhe ka kompani që “zhduken” nga tregu, ndërkohë që mungon kontrolli dhe informaliteti është shumë i lartë. Jo rrallë, edhe këto vitet e fundit kemi parë të ndodhë që një operator të hyjë në treg, të xhirojë deri në 100 milionë dollarë dhe të dalë vitin tjetër, duke shkarkuar kështu një pjesë të xhiros së pafaturuar të një kompanie tjetër, një formë e përdorur rëndom evazioni më se një dekadë më parë, por që duket se është rikthyer sërish në modë. Në total, tregu vlerësohet se xhiron 400-500 milionë euro, por nafta blihet e shitet shumë herë, duke rritur artificialisht volumin e tregut dhe xhiron e kompanive, por me fitime që mbeten minimale.

Call center, një biznes i mirë, por konkurrenca po shtohet ndjeshëm

Një biznes, që ka lulëzuar vitet e fundit po u sjell jo pak fitime sipërmarrjeve që po shfrytëzojnë një prej avantazheve konkurruese të Shqipërisë, njohjen e gjuhës italiane dhe koston e lirë të fuqisë punëtore. Operatorët call center janë rritur ndjeshëm vitet e fundit dhe po gjenerojnë fitime të larta.
Albacall renditet e 18-a në listën e 100 kompanive me fitime më të larta, teksa i ka shtuar ato me 37% në 773 milionë lekë.
Intercom Data Service ka rezultuar me fitime prej 632 milionë lekësh, por me rënie prej 8.3%, në një sinjal të parë që ritmet e rritjes së këtij sektori po ngadalësohen.
Deri në 2013-n, kompanitë që veprojnë në fushën e Call Center panë një rritje të ndjeshme dyshifrore. Biznesi lulëzoi disa vjet më parë, kur sipërmarrjet italiane transferuan këtë shërbim në Shqipëri, duke shfrytëzuar koston e lirë të fuqisë punëtore dhe njohjen e mirë të gjuhës italiane nga të rinjtë shqiptarë. Këto kompani u bënë një burim i mirë punësimi, sidomos për brezin e ri, megjithëse konsiderohet si punë e një cilësie të ulët, që paguajnë relativisht pak.
Shtimi i konkurrencës, si rrjedhojë e numrit të madh të kompanive që po hapen në këtë treg, por dhe maturimi i tij (gjetja e klientëve të rinj po bëhet e vështirë) vlerësohet se ka ndikuar në ngadalësimin e të mëdhenjve.

Leave a Reply

%d bloggers like this: