Kryeartikull

Përtej një dekorate të anatemuar

Nga Ndue Dedaj

Edhe kësaj here ka ndodhur si gjithnjë tek ne, është gjetur një pretekst dhe ka plasur sherri politik e publik. Nga mëngjesi në darkë. Nga kafenetë e mëhallëve të larme te Parlamenti laraman. I madh e i vogël, për dy javë, është marrë vetëm me medaljen dhënë një ish-hetuesi shkodran një vit më parë, në rresht me një mijë të tjerë, si pjesëmarrës në Luftën II Botërore. Derisa rasti u bë shembull në të gjitha mediumet e Tiranës askush nuk doli përtej tij, për të parë në dukurinë shqiptare të dekoratave, asnjëherë të gjithëpranuara.

Keni parë ndokënd të mbushë gjoksin me dekoratat e dhëna nga Mbreti Zog familjarëve të tij? Jo, ngaqë e dinë se do të paragjykoheshin nga ata që nuk e vlerësojnë Mbretin dhe aq në historinë e vendit. Po ndokënd tjetër të rreshtojë dekoratat “Hero i Popullit” apo “Hero i Punës Socialiste”? Përsëri jo, për të njëjtin motiv, ngaqë do të paragjykoheshin se ato ua kishte dhënë regjimi diktatorial etj. Nuk ka ndonjë shpalim të dukshëm as të dekoratave të marra në këto njëzetepesë vjet, që rëndom i quajmë demokraci, pasi dhe për to ka paragjykim se janë dhënë me e pa merita. Ky është problemi në thelbin e tij.

Në Shqipëri, gjithmonë janë dhënë dekorata për shërbime ideologjike, partiake, klanore dhe ende nuk është mbërritur te standardet që ka çdo vend i zhvilluar në këtë lëmë, ku në rastin e heroit ai është i tillë për të gjithë. Kur President i vendit ka qenë një i djathtë, peshorja e dekorimeve të larta ka anuar nga figurat e së djathtës historike. Kur ka ardhur pastaj një i majtë në krye të shtetit, me tituj të lartë janë nderuar kryesisht figura të atij kahu politik.

Prandaj dhe dekorimet nuk pranohen plotësisht në publik, aq më pak nga palët politike. Duket se i vetmi titull i pakontestuar nga askush është ai i Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriotit, Skënderbeut. Ndryshe do të ishte nëse nuk do të tregohej anësi politike në çështjen e dekorimeve. Nëse ish-partizanët i dekoroi qeveria e majtë, kryesuesit e revoltës së Spaçit i dekoroi Presidenti me lobim të organizmave të ish-të persekutuarve politikë.

E kundërta mbase do të kishte qenë e mirëpritur, që ish-partizanët (natyrisht jo me listë popullore!?) t’i kishte dekoruar Presidenti që vjen nga e djathta dhe flamurmbajtësit e revoltës së Spaçit, qeveria socialiste, që është zotuar ta kthejë në muze ish-kampin famëkeq. Kjo do të ishte “medalja” më e mirë dhe për vetë politikën shqiptare pluraliste, pasi në një shoqëri demokratike nuk mund të ketë patronat djathtist apo majtist mbi këtë apo atë trashëgimi të caktuar politike-historike.

Vjen një kohë që trashëgimia politike bëhet kombëtare dhe lufta e llogoreve partiake pushon. Sot si rregull duhej të përbënin krenari dekorimet e bëra nga Mbreti Zog, por a të bën krenar çdo dekoratë e dhënë prej tij, kur ai ka dekoruar si ndëshkuesit e kundërshtarëve të tij politikë, si disa të huaj me kontribute të shquara në studimet për Shqipërinë? Pa hyrë në dekorimet me tituj të lartë nderi të krerëve të Sigurimit gjatë regjimit komunist, si instrumenti i verbër i luftës së klasave.

Dekorimi i një viti më parë për veteranët e Luftës ishte “klandestin” për opinionin publik. Nuk ishte publikuar lista as në respekt të atyre që ishin dekoruar, kur gazetat mbushën ditë për ditë me lista nga më të ndryshmet, të atyre që marrin të drejta studimi, të atyre që përfitojnë tapitë e legalizimeve etj. Ana tjetër e diskutueshme është se ai dekorim ishte bërë me listë, për merita kolektive dhe jo vetjake.

Ndoshta as ata që i morën ato dekorata nuk ishin dakord me atë mënyrë, të gjithë me të njëjtën “madhësi” dekorate, kur disa kishin qenë komandantë batalionesh, brigadash e divizionesh me shenjat e plagëve në trup dhe sot, dhe disa “partizanë” të pasluftës. Shto faktin se dekoratat i jep qeveria përmes dikasterit të Mbrojtjes, kur njihet Presidenti si dhënësi i titujve të nderit, dhe pse ligji nuk e pengon as qeverinë të japë medalje, gjer të shpallë dëshmorë.

Nuk është hera e parë që e majta i sajdis masivisht me dekorata veteranët. Edhe në 60-vjetorin e çlirimit të vendit, pati shkuar në çdo Prefekturë nga një arkë e madhe plot me medalje për veteranët, të cilat iu shpërndaheshin atyre, sa në zyra me ceremoni, sa në klube me kafenë e mëngjesit.

Puna është se deri më sot për dekorimet është vepruar me fuqinë e pushtetit. Ka dhe së fundi një komision këshillues për dekorimet, por ai është jo bindës qysh kur përcaktohet se në ministri, bashki, qark, tre nga pesë personat në përbërje të tij, duhet të jenë të administratës dhe dy nga shoqëria civile, kur më e pakta duhet të ishte e kundërta. Pra, vetë shteti nuk është i interesuar të dekorojë meritat, por personat që i interesojnë më shumë, deri për mbështetje elektorale. Nuk është e rastit që qeveria u tërhoq nga një mijë dekoratat e një viti më parë me aq lehtësi sa ç’i kishte dhënë ato me dorë të lirë. Sidoqoftë, reflektimi i Kryeministrit pas kritikave të opozitës duhet vlerësuar, nisma e tij dhe e deputetëve për përmirësimin e kuadrit ligjor për dekorimet.

Natyrisht nuk pritet të zgjidhet gjithçka menjëherë as pas kësaj. Shoqëria jonë vazhdon të jetë e kapur në ganxhat e së djeshmes (anti)komuniste. Por kur flitet për historinë dhe panteonin, gjërat nuk mund të merren në bllok, o bardhë o zi, sikur askush nga koha e regjimit të kaluar nuk mund të dekorohet.

Nuk mund të kërkohen meritat vetëm te disidentët, martirët apo viktimat e regjimit të kaluar. Po profesorët themelues të Universitetit të Tiranës, Akademisë së Shkencave nuk kanë merita? Vërtet shiritin e përurimit të këtyre institucioneve e ka prerë kreu i partisë-shtet, por programet universitare dhe akademike i kanë hartuar pedagogët e shquar Aleksandër Xhuvani, Eqerem Çabej, Dhimitër Shuteriqi, Kostaq Cipo, Mark Ndoja, Aleks Buda, Ismet Elezi, Kolë Paparisto, Sotir Kuneshka, Kolë Popa, Pandi Geço, Selaudin Bekteshi, Çesk Zadeja, Mentor Përmeti, Aleko Minga e shumë të tjerë. Këta nuk ishin as persona, as organe represive të diktaturës së proletariatit, por elita kulturore, shkencore e vendit.

Po projektuesit dhe ndërtuesit e hidrocentralit të Fierzës, me Petrit Radovickën në krye, mos janë me biografi “komuniste” për t’u dekoruar sot e gjithmonë? Askush nuk përjashtohet nga meritat, paçka sistemit politik, person me atribute shtetërore apo private, qoftë ai hetues, gardian, politikan, artizan, prift, hoxhë, artist, sportist, biznesmen etj.

Nuk mund të shpallet heretik një nëpunës i ligjit i rangut të ulët, që mund të ketë luajtur dhe dajakun mbi kurrizin e të dënuarve dhe të hiqet i panjollë politikisht nga ai regjim një sekretar i Partisë së Punës, ministër i Brendshëm apo funksionar tjetër i lartë i diktaturës, që ishte urdhërdhënës i dënimeve, internimeve etj.

Krim nuk ka qenë vetëm dhuna fizike e psikologjike në dhomat e izolimit mbi të burgosurit e ndërgjegjes, po dhe aktet zyrtare të Byrosë Politike për thellimin e luftës së klasave, platformat e Sigurimit për goditjen e njerëzve për agjitacion e propagandë etj. Por nuk mund të jetë i njëjti shikimi dhe për ministrin e Arsimit apo Industrisë, ku njëri hapte shkolla dhe tjetri ngrinte miniera e uzina në mbarë vendin. Pastaj askush nuk mbetet peng i një kohe.

Dialektika vepron për të gjithë. Si qenka e mundur që disa ish-komunistë të nomenklaturës së djeshme partiake të merren të mirëqenë si demokratë, ndërsa të tjerëve të mos iu njihet e drejta e të ndryshuarit me kohën? Institucioneve politike pasardhëse nuk u jepet e drejta të bëhen gjykatëse të gjithçkaje që ka ndodhur më parë, vetëm koha është ajo që e ka këtë mundësi dhe ajo e bën “gjyqin” duke ngjitur në piedestal të merituarit e duke lënë jashtë të tjerët, detyrimisht bakeqësit. Mjafton sjellja e padenjë e regjimit komunist ndaj atij mbretëror për të kuptuar se nuk na lejohet të bëjmë dhe sot të njëjtin gabim historik.

Së fundi, pavarësisht natyrës kriminale të një shteti diktatorial, nga krimi nuk shpëtojnë as sistemet demokratike të qeverisjes, çka në rastin tonë mjafton të kujtosh se çfarë ka ndodhur në harkun njëzetvjeçar nga 2 prilli 1991 te 14 shtatori 1998 dhe 21 janari 2011. Njerëzit që kanë bërë krime në çdo kohë nuk mund të jenë të vlerësuar shtetërisht dhe moralisht, veçse kjo duhet të dëshmohet me dokumente arkivore dhe jo të mbushen me shpifje e etiketime patetike, nervoze tribunat politike, debatet televizive dhe rrjetet sociale, duke përgojuar e duke akuzuar individë të ndryshëm. Krimi i veshur me pushtet nuk është ekskluzivitet vetëm i regjimeve totalitare.

Përndryshe, nuk do të ishte folur kaq fort dhe miratuar ligji për dekriminalizimin e strukturave të shtetit që nga Kuvendi i Shqipërisë, të cilin jo rastësisht e quajtëm “laraman”, por për faktin se aty ka dhe ish-hetues, ish-sekretarë politikë të PP-së, ish-funksionarë të tjerë të regjimit të kaluar, pa folur për persona me rekorde kriminale, por ndoshta asnjë ish të dënuar politik. Kjo mendojmë se do të ishte dhe qasja e duhur ndaj dukurisë dhe jo thjesht anatemat ndaj një medalje të vënë në shenjë rastësisht. Dekriminalizimi ka të bëjë dhe me ç’dekorimet e kontestuara, pasi krimet, ashtu si meritat, janë vetjake. Por duhen njerëz të ndershëm dhe syze jo ideologjike për t’i parë me drejtësi dhe qytetarisht ato.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button