Opinion

Dhuro botë

Nga Monika Shoshori Stafa

“Ne japim, ndaj dhe marrim..”

 Shën Françesku i Asizit

Në librin me bashkautorësi të Papa Françeskut dhe Abraham Skorkës, “On Heaven and Earth”, Papa Françesku ka qëlluar në shenjë kur shkruan se ka një tjetër kuptim disi më alternativ termi “bamirësi”, shpesh i abuzuar dhe keqpërdorur. Nisur nga perceptimi që vjen prej besimit katolik, ai shkruan se bamirësia kristiane është dashuria që duhet të kemi ndaj Perëndisë, të afërmit dhe fqinjit. Ajo mund të fillojë duke ndihmuar më të dobëtin e deri në organizimin ngjarjeve të bukura festive, fondet e të cilave shkojnë drejt këtyre grupeve. Këto janë ngjarje që ne, – shkruan më tej Papa Françesku, – i quajmë ndryshe vepra bamirësie, por në të vërtetë, këto janë disa aktivitete sociale ku ajo që mund të arrihet të perceptohet është thjesht një ndërgjegje e qetësuar ndaj dukurisë së varfërisë nëpër botë. Zakonisht këto lloj programesh realizohen nga njerëz të njohur e të fuqishëm të jetës politike, ekonomike e sociale në vend, ku pikësëpari në qendër më shumë vendoset personi që i kryen këto bamirësi, dhe jo grupi në nevojë që i pret. Dashuria vijon më tej në librin e tij Papa Françesku, është një ndjesi që gjithmonë kërkon përkushtimin dhe solidaritetin ndaj tjetrit ndaj vetë personi duhet ta harrojë veten e tij për pak kohë sa kohë ka vendosur t’i përkushtohet të tjerëve me gjithë çfarë ka, mbi të gjitha me dashuri….Nuk ka kuptim asnjë “dhurim” pa dashuri, sepse nëse vaniteti është pjesë e bamirësisë ndaj nevojtarëve atëherë ajo mbetet një bamirësi e gënjeshtërt.

Gjatë javëve të fundit, numri i aktiviteteve, koncerteve, spektakleve, paratë e të cilave deklarohen se pritet të shkojnë drejt grupeve në nevojë, duket se ka hyrë në vazhdën e organizimeve që vijnë nga institucione shtetërore, shoqata humanitare, por dhe grupe biznesi, të cilat kanë një qëllim të tyren të paracaktuar. Natyrisht nisma të tilla janë për t’u përshëndetur, pavarësisht se nevojat nuk plotësohen detyrimisht. Personalitete të njohura të fushave të ndryshme, për të pasur më shumë sukses marketingu drejt një tregu të ashpër kapitalist, kanë mësuar edhe këtë axhendë të re në ditarët e biznesit të tyre, sepse platforma ‘Doing Business’ është një platformë që pjesë të saj njeh dhe konceptin Business of Giving. Këto gjëra që përshkruam më lart, e që një lexues i librit të Kardinalit Bergoglio do t’i konsideronte sipërfaqësore dhe aspak të besueshme krahasuar me atë çka mund të të dhurojë dashuria kristiane, fatkeqësisht në të shumtën e herës janë pjesëza të vërteta të shoqërive tona, sot në shekullin e 21-të. Sepse në fund të fundit, në çdo rast, çdo formë e ndihmës duam apo s’duam ne skeptikët, si unë mund ta shpjegoj ndryshe, është e mirëpritur dhe nuk bën gjë tjetër veç rrit kreditet e atyre që i iniciojnë ato (dhurimet, premtimet apo dhe ndihmat). Paketat e ndihmave dhe dhurimeve marrin përmasa të ndryshme. Ato ofrohen në para, ndihmë ushqimore, por dhe donacione në formë organizimesh argëtuese dhe dhuratash. Nuk ka në fakt deri tani një statistikë të zbardhur se sa ofrojnë individët, personalitetet, institucionet shtetërore, shoqatat joqeveritare, por dhe bizneset në të tilla sipërmarrje në Shqipëri, të gjitha për t’u përshëndetur, sepse të tilla nisma veç mirë bëjnë.

Në një nga këto sipërmarrje kisha ftesën të paraqitesha edhe unë, të rreshtuara dy deri në tre të tilla përgjatë dhjetë ditëve të dhjetorit, me rastin e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri. Organizata të ndryshme, së bashku me Qendrën Kombëtare për Shërbime Komunitare, ishin organizatorët e parë që së bashku arritën të kryejnë funksionin e një sipërmarrjeje të vogël pa shumë bujë, në një nga stinët më festive të vitit, për të argëtuar disa grupe sociale njerëzish në nevojë, mundësia e të cilëve për t’u ndier njësoj si të tjerët është e pakët. “Le të festojmë së bashku Festat e Fundvitit” ka qenë motoja e këtyre aktiviteteve që ka nisur në datën 16 dhjetor, në ambientet e shkollës speciale “Luigj Gurakuqi” me fëmijët me aftësi të kufizuar, për të vazhduar më tej në ambientet e Qendrës Rinore me fëmijë romë. Fundi i këtij organizimi është ndalesa në Shtëpinë e të Moshuarve në Tiranë ku së bashku, përmes dashurisë dhe solidaritetit ndaj njerëzve të pamundur janë shpërndarë pako me dhurata, janë organizuar argëtime dhe pantonima me animatorët e ftuar prej organizatorëve, dhe ku gjallëria dhe buzëqeshja do të duhet të jenë shenja e artë e këtyre ditëve të shenjta. Kjo ftesë mbetet të jetë një thirrje për ndërgjegjësim drejtuar qytetarisë në veçanti, të gjithsecilit prej nesh për t’iu bashkuar këtyre njerëzve në festën e tyre të fundvitit. Sepse çështja në fjalë shkon përtej motivimit dhe interesit personal (të cilat mbeten sigurisht të lidhura me punën). Shtysat për të cilat duhet të kryhen këto akte duhet të jenë themelore dhe të kenë në bazë kontributin në përmirësimin e jetës së tjetrit, mirëqenien dhe përkrahjen. Më shumë se sa pyetja e moraltë që Papa Françesku ngre në librin e tij, shkohet në një tjetër çështje, çfarë ndodh paskëtaj kur festa mbaron?

Në kushtimin e tij apostolik të Evangelii Gaudium, Papa ofron një vështrim më të thellë ndaj kësaj tragjedie. Sipas tij, dinjiteti i çdo qenie humane dhe ndjekja e së mirës sonë të përbashkët janë shqetësime që formësojnë politikat ekonomike sot në glob. Në disa raste, ato duken të jenë një shtojcë thjesht e importuar e ligjërimeve politike, të cilave u mungojnë perspektivat apo planet për zhvillimin e vërtetë dhe integral. Pikërisht këto lloj ligjërimesh e lodhin sistemin sot të lidershipit në botë! Ndaj ftesa për të ndihmuar më të dobëtin nga dashuria që kemi për të e jo për të mbushur ligjërimet politike vjen edhe si një thirrje për t’u zhveshur nga indiferenca, mospërfillja apo dhe mungesa e kurajës për t’u përballur me paragjykimin. Është një ftesë që jetën tonë do ta bënte sigurisht më të mirë, por natyrisht më të paqtë jo vetëm gjatë këtyre ditëve të shenjta të dhjetorit, por dhe gjatë atyre të vitit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button