Maqedonia

Punëtorët e Jugohromit protestojnë, nuk jemi ndotësit e vetëm të ajrit

Dhjetëra punëtorë të Jugohromit protestuan në hyrje të kombinatit në shenjë proteste ndaj paralajmërimeve për ndërprerjen e punës, njofton Alsat M.

Sindikalistët thonë se nuk janë kundër vendosjes së filtrave. Ata madje thonë se Jugohromi nuk është ndotësi i vetëm i ajrit në Pollog.

“Ne jemi mbledhur këtu për ti dhënë përkrahje drejtuesve të Jugohromit, sepse me ndotjen e ajrit Jugohromi merr pjesë me një përqindje minimale ose aspak. Kjo përkrahje do vazhdoj edhe më tej edhe atë përkrahje më e madhe dhe më masive bile me gjithë familje, pas një janari kur do bëhen matjet e rregullta duke u nisur nga Jugohromi dhe matjet në Tetovë dhe atëherë do del realiteti se Jugohromi nuk është ndotës i ajrit”, tha Bajram Amiti, kryetar i sindikatës.

Punëtorët thonë se protesta e tyre nuk bëhet për qëllime politike por për të mbrojtur rrogën e tyre.

“Qëllimi i kësaj proteste të jemi të qartë nuk është në baza partiake por pastër luftë për mbrojtje të ekzistencës tonë, kafshatën tonë të bukës dhe asgjë më shumë. E ai që niset për të na lënë pa at copë buke, duhet ta dëshmojë këtë me dokument e në të kundërtën ne do e çojmë këtë proces dhe kur do konfirmojmë se nuk jemi, duhet të bëhen gati të na dëmshpërblejnë”, u shpreh një punëtor i Jugohromit.

“Dikush do të na e ndërpres ekzistimin e 1060 punëtorëve në mënyrë direke e në mënyrë indirekte edhe krejt regjionit të komunës së Jegunocit por ne nuk do ndalemi. Duam të bëhen matje që sot edhe në Jegunoc edhe në Tetovë pas ndërprerjes së punës që të dëshmojmë se Jugohromi nuk është ndotësi”, tha një tjetër punëtor i Jugohromit.

Punëtorët thonë se në protestat e ardhshme do t’i marrin edhe familjet. Me vendim të drejtorisë së Jugohromit nga 31 dhjetori, 1060 punëtorë, për dy muaj nuk do të vazhdojnë punën e tyre. Kombinati pritet që në mars të vitit të ardhshëm të vendos filtrat.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button