Muzike

Kartolinat me veshje popullore

Nga Robert Elsie 

Pasuria dhe shumëllojshmëria e veshjeve popullore shqiptare u fotografuan për herë të parë në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX. Izolimi tradicional i shqiptarëve nga pjesa tjetër e Europës bënë që veshjet popullore të shfaqnin tipare të veçanta dhe shpesh të rralla, të cilat mahnitën udhëtarët e parë europianë. Në Malësinë e Veriut çdo fis, madje çdo luginë dhe çdo fshat, kishte veshje të veta, të cilat ishin të dukshme për popullatën në përgjithësi. Veshjet popullore tregonin jo vetëm përkatësinë fisnore dhe fetare, por edhe – për femrat në shumë raste – nëse gruaja në fjalë ishte e martuar apo jo. Veshjet popullore shqiptare ishin në përdorim të përgjithshëm deri në vitet ’30, dhe në disa treva shqiptare edhe pas Luftës së Dytë Botërore.
Madje edhe në dhjetëvjeçarët e parë të shekullit XXI nuk është gjë e rrallë të shohësh gra të cilat përdorin veshje popullore përditë, apo të paktën në ditën e pazarit. Kjo vlen në radhë të parë për Veriun e Shqipërisë në rrethet e Shkodrës, të Malësisë së Madhe, të Lezhës dhe të Mirditës, por veshjet shfaqen tek-tuk edhe në zonat e thella të Shqipërisë së Jugut, të Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë. Mirëpo, për fat të keq, globalizimi po i zhduk këto veshje me shpejtësi të madhe. Gjatë tre dhjetëvjeçarëve të parë të shekullit XX, fotografitë e veshjeve popullore u shndërruan në kartolina dhe, si në vendet e tjera, këto të fundit u futën në qarkullim për shitje. Kjo përmbledhje kartolinash të hershme na vjen nga fondet e Qendrës për Studime Shqiptare (Centre for Albanian Studies) në Londër, së cilës i jemi mirënjohës. Në fund duhet theksuar se kjo përmbledhje ofron në radhë të parë kostumet e Veriut. Arsyeja e mungesës së veshjeve të Jugut nuk është se ato janë më pak të bukura apo më pak interesante, por thjesht sepse fotografët e parë dhe, rrjedhimisht, kartolinat e para erdhën nga Veriu.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button