Opinion

A i mbijetojnë gjobat tatimore testit kushtetues?

Nga Etien Isak

Dihet që sistemi tatimor dhe legjislacioni mbi të cilin ai bazohet përbëjnë një ndër shtyllat kryesore të veprimtarisë financiare të shtetit, veprimtari kjo me të cilën shteti ushtron rolin e tij në jetën e përditshme ekonomike e sociale të vendit.

Kohët e fundit në vendin tonë është diskutuar së shumti për rëndësinë thelbësore të sistemit tatimor dhe domosdoshmërinë e efikasitetit në vjeljen e detyrimeve tatimore nga subjektet tregtare që operojnë në ekonominë shqiptare (të njohura nga shkenca e financave si subjektet pasive).

Në lidhje me problematikën e mësipërme, Qeveria dhe Kuvendi ndërmorën masat e tyre për të kryer një reformë, por që si çdo reformë e ndërmarrë në këto njëzet vite konsiston në disa ndryshime legjislative, të cilat shpresohet t’i japin arkës së shtetit më shumë të ardhura dhe sa më pak firo… Theksi u vu kryesisht te disa ndryshime që legjislacioni tatimor pësoi sidomos në pjesën e sanksioneve ose thënë ndryshe dënimeve administrative. Siç veprohet rëndom, u mendua përsëri se ilaçi i përshtatshëm për ndërgjegjësimin e tregtarëve dhe shoqërive tregtare është rritja e presionit dhe frikësimi i tyre përmes sanksioneve të ashpra të administratës tatimore. Për t’u bërë më konkretë ndryshimet kryesore, të cilat u sulmuan goxha ashpër nga përfaqësues të bizneseve dhe tregtarëve të vegjël, u bënë në ligjin nr. 9920/2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar”. Në dispozitat nr. 111 e në vijim ligji parashikon sanksionet administrative të detyrueshme për aplikim nga administrata dhe hetimi tatimor në rastet e kryerjes së evazionit fiskal apo mosrespektimit të detyrimeve të caktuara të diktuara në ligj, siç janë mungesa e kasës fiskale, mosdeklarimi i saktë i punonjësve apo dhe moslëshimi i faturave tatimore nga furnizuesit e bizneseve.

Shumëkush me të drejtë argumenton se një ndërhyrje e tillë është tejet e nevojshme në kuadër të formalizimit të tregut dhe mirëfunksionimit të veprimtarisë financiare të shtetit në përgjithësi. Por nga ana tjetër, me qëllim ose jo, një pjesë nuk parapëlqen të ndalet në diskutimin e zhvilluar nga një pjesë e mirë e botës së biznesit që ka të bëjë me racionalitetin e munguar në këto amendime ligjore të votuara në Kuvend dhe tashmë me fuqi juridike të plotë në rendin tonë juridik. Ajo që bie në sy në mënyrë të drejtpërdrejtë, teksa lexon dispozitat e sipërpërmendura është se legjislatori parashikon dënime tejet të larta në shifra monetare dhe njëkohësisht këto gjoba janë fikse… P.sh. mosdeklarimi i punonjësve ose konstatimi i mospasqyrimit të pagës reale ndëshkon me të parën herë subjektin me 500.000 lekë, mosafishimi i ndonjë çmimi të mallit ose shërbimit të ofruar e ndëshkon subjektin përsëri me 500.000 lekë, në rastet e moslëshimit të kuponëve tatimorë për dokumentimin e qarkullimit të mallrave përsëri zë vend të rëndësishëm vlera 500.000 lekë si dënim administrativ…

Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se respektimi i ligjeve dhe ndëshkueshmëria, për këdo që shkel normat ligjore dhe/ose shtrembëron konkurrencën ose mashtron administratën tatimore, është i rëndësishëm dhe shfaq kulturën e ndërtimit të një shteti të fortë dhe mbi të gjitha serioz. Por nga ana tjetër, shteti (në veçanti administrata si pjesë e pushtetit ekzekutiv) i përmbahet detyrimisht (do apo s’do) një kornize e cila përcakton limitet e ushtrimit të prerogativave të saj. Këto limite i vendos në radhë të parë Kushtetuta si ligj themeltar i republikës sonë. Pikësëpari duket se në çështjen konkrete Kushtetuta është cenuar në disa parime të rëndësishme të frymës dhe të germës së saj. Qeveria teksa propozon dhe ia del të miratojë këto ndryshime harron se dështon në qëllimin kryesor të sanksionit, edukimi për të zbatuar më tej ligjin. Së dyti, anashkalohet frikshëm kriteri i proporcionalitetit dhe moscenimi i thelbit të një të drejte. Në lidhje me këto parime, Gjykatës Kushtetuese (si institucion gardian i kushtetutshmërisë në vend) i ka rastisur t’i përpunojë në lidhje me një juridiksion paralel si ai penal, ku ajo shfuqizoi disa dispozita të ligjit penal si joproporcionale dhe joefikase në qëllimin final të sanksionit që është edukimi (vendimi nr.47/2012). Duke qenë se një ndër shoqatat e tregtarëve ka paralajmëruar dërgimin e dispozitave të dënimeve administrative tatimore për shfuqizim pranë kësaj gjykate, më duket me vend që në frymën e argumentimit të Gjykatës Kushtetuese të parashtrohen mangësitë e mëdha të amendimeve të kryera.

Përmes aplikimit të këtyre gjobave të majme, qeveria në radhë të parë harron se në një ekonomi të tregut të lirë subjektet tregtare midis tyre kanë diferenca të mëdha. Këto diferenca natyrisht shfaqen në xhiron mesatare që ato kryejnë, në cilësinë e mallrave/shërbimeve që ato ofrojnë, numrin e punonjësve etj. Besoj se është tejet e lehtë për t’u kuptuar se ligji në këtë pikë shkel parimin e proporcionalitetit, pasi pakkush apo askush nuk do të mendonte se është e drejtë një gjobë prej 500.000 lekësh për moslëshim kuponi tatimor e aplikuar po njëlloj si për një dyqan të vogël fruta-perimesh ashtu edhe për një pub. Gjithashtu, tejet e pavend dhe në tejkalim të garancive kushtetuese duket po e njëjta gjobë në vlerë absolute për manovrat që subjekti mund të kryejë në pagën e punonjësve, qoftë një rrogë kamerieri apo një rrogë drejtori në një shoqëri aksionare. Një aplikim i tillë i padiferencuar i del në mospërputhje të hapur me gjendjen që ka diktuar marrjen e masës administrative. Pra në këtë pikë mendoj se këto dënime administrative minimalisht duhet të kenë një interval të caktuar dhe jo të jenë fikse.

Gjithashtu, këto gjoba tatimore në shifra të larta, për një pjesë të mirë të subjekteve tregtare që operojnë në tregun tonë të përditshëm, potencialisht do të sillnin një gjendje financiare shumë të rënduar për subjektin përkatës duke provokuar dhe falimentime të tyre. Dhe provokimi i falimentimit i shkaktuar nga një gjobë e tillë ngjan jashtëzakonisht represiv, përkeqëson humorin e operatorëve tregtarë dhe mbi të gjitha dështon edukimin e subjektit përkatës me qëllim mospërsëritjen në të ardhmen, sepse thjesht e shuan atë.

Mbështetur në sa u mundova të arsyetoj më sipër, mund të konkludoj se taktika të tilla legjislative jo vetëm bien në kundërshtim me rendin juridik (që synojmë ta përsosim dhe jo ta përkeqësojmë), por gjithashtu dështojnë rolin e administratës shtetërore, e cila duhet të kujdeset të edukojë biznesin dhe tregtarët të paguajnë detyrimet tatimore, por jo t’i trysnojë aq shumë sa të përkeqësojë klimën e të bërit biznes. Një praktikë e tillë mendoj se e dëmton biznesin dhe shteti dashur pa dashur dëmton vetveten, pasi shtetit duhet t’i interesojë një biznes i fortë pa të cilin shteti e ka të vështirë të rrisë të hyrat tatimore. Tashmë Gjykata Kushtetuese është shprehur për pranimin e kërkimit të ngritur në lidhje me pezullimin e ligjit përkohësisht deri në marrjen e vendimit përfundimtar. Sigurisht që një vendim i tillë është në vazhdën e një gjykimi të filluar në proces e sipër, dhe si i tillë nuk mund të paragjykojë ose diktojë zgjidhjen në themel të kërkesave nga shoqata përkatëse e tregtarëve. Por pranimi i pezullimit tregon logjikisht se Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se zbatimi i këtyre gjobave deri në vendimmarrjen e saj përfundimtare do të sjellë pasoja të rënda dhe gati të pariparueshme për subjektet që ligji përfshin. Nisur nga kjo, këto gjoba janë të destinuara që me shumë gjasa të mos i mbijetojnë testit kushtetues.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button