Kryeartikull

Gostia e Ramës si ajo e Ali Pashës!

Nga Arben Manaj

 Ndoshta ngaqë jetoj në Londër për mbi dy dekada dhe më është vrarë veshi disi me humorin dhe sarkazmën angleze, nuk m’u duk hiçfare humor, ajo që u shqiptua në gostinë-replika të dytë kryeministrore alla amerikane, ku shpotitë nuk reflektonin një dëshirë të sinqertë për buzëqeshje, për shkak të përkohshmërisë kohore njerëzore, sesa nënkuptonin përbuzje narciste, në një darkë që ishte e denjë për funeralin e medias shqiptare.

Ky event që po merr trajtat e një antologjie diskreditimi dypalëshe, më kujton gostinë e famshme të sundimtarit të Tepelenës.

Kjo lloj marrëdhënie e deformuar nuk ka përse të ketë në themel hipokrizinë e dyanshme, por përballjen me problematikën e vërtetë në raportin delikat, të cenueshëm e lehtësisht të korruptueshëm, mes medias dhe politikës.

Askush nga kolegët e mi në atë gosti, nuk ka nevojë për një pjatë a një gotë pije me kupon tatimor, në një zijafet ku tallen haptazi dhe u poshtërohet puna që kanë bërë.

Për më tepër, kur u thuhet faqebotës, se nuk ua lexojnë dhe dëgjojnë ato që shkruajnë. E këtu fillon hipokrizia dhe marrëzia më e madhe.

Do të ishte e frikshme që një kryeministër të mos lexonte çfarë shkruhet për të politikisht në median vendase. Por kjo nuk është e vërtetë dhe kryeministri pretendon për të kundërtën.

Nëse vërtet do të ishte kështu, ai nuk ka nevojë as për këshilltarë, aq më tepër në media, si i publicistikës, edhe pse është si Berisha në këtë drejtim dhe në gjurmët e tij është duke ecur, për të përfunduar me siguri si ai.

Ky pretendim nuk qëndron kur ke parasysh një kryeministër që edhe kur ka qenë në opozitë, ka dëshmuar opsesion maniakal për spin dhe mbulim mediatik, deri në bezdisje me sms për gazetarët e politikës dhe editorët për çdo paraqitje të tij publike, praktikë që vazhdon edhe sot nga “Alistër Kembëlli” shqiptar, e që meriton duartrokitje, për sfilitjen nëpër shkretëtirë për gjetjen e kritikëve të eprorit.

Kryeministri, nuk bën dot pa ata që i tall në shtëpinë e vet. Por është evidente, që ai gjithnjë e më shumë po ka nevojë për kameramanët, sepse gazetaria stative ose tripod, i përshtatet çdo pushteti politik.

Por faji nuk është dhe aq i Kryeministrit sesa yni si njerëz të medias, që qoftë edhe për mirësjellje apo edhe pse e kemi lejuar veten të ulemi në gosti të tilla poshtërimi, bëjmë sikur buzëqeshim (për ata që ishin në sallë më saktë).

Disa buzëqeshin edhe sepse janë të pranguar nga një marrëdhënie e deformuar profesionale, për shkak të një autoflirtimi, por më shumë për shkak të një reforme të munguar në media dhe shtypin shqiptar, e cila dikton marrëdhëniet anormale media-politike.

Simptomë e kësaj marrëdhënie të deformuar është edhe ajo që do kohë më parë e tha, por që në këtë gosti e anashkaloj kryeministri; për ato media e pronarë gjobëvënës anonimë që i bëjnë atij presion.

E nëse kryeministrit vërtet i digjet xhani për mediat dhe nuk i do, siç pretendon ai se janë, dhe lutet tërë narcizëm që ai të mos jetë si “ne”; të palexueshëm, kishte rastin të inicionte reformën tejet të vonuar në kohë, në media që gazetarët të kenë kontrata normale pune e t’i jepej fund informalitetit edhe në këtë aspekt të jetës shqiptare, meqë e ka për qejf luftën kundër çdo informaliteti.

Kjo reformë, do të bënte që gazetarët të mos rrinë me muaj pa u paguar, dhe të kenë një pavarësi më të madhe editoriale. Që pronarët të dinë ku qëndrojnë në marrëdhënien dhe në raport me pushtetin dhe reklamën shtetërore e atë private, që anon nga fryn erërat e pushtetit, e që vetë kryeministri dhe ata që do të vijnë pas tij, të mos bëhen pre e gjobëvënies.

Kjo reformë pasi të aplikohet, sipas modeleve më të mira perëndimore të masmedias, do të shmangte nevojën e gostirave të këtilla të pasinqerta, që janë një shprehje e pakamufluar e hipokrizisë së madhe mes masmedias dhe politikes, pasi edhe Fuga do të lodhej më shumë që të siguronte për çdo gazlëshim qeveritar, mbulim mediatik në çdo televizion shqiptar, çka nuk ndodh në Angli e gjetke.

Njëkohësisht, edhe mediat, nuk do të aplikonin gazetarinë e tripodit në vend të gazetarisë dinjitoze, bazuar mbi vlerën publike të raportimit dhe jo “spin-doctoring”, që edhe aty ku ka lindur, në Angli, është sofistikuar dhe adoptuar më shumë sesa në kohën e këshilltarit anglez të Ramës.

Shqipëria ka nevojë për një kryeministër që të na fus me dinjitet në Bashkimin Europian, jo për kryeredaktor a kryetar shoqate, që të na shtojë dinjitetin në Shoqatën Europiane të Gazetarëve.

Po e lamë në dorë të Zahos punën e zapit të Ramës ndaj medias dhe talljen e tij në “drekën e fundit”, do të mbesim sa të jetë ai kryeministër, të vdekur, por të pa kallur, ose kavie në eksperimentet poshtëruese të politikës ndaj pushtetit tonë që krijon, edhe pse jo gjithmonë dhe siç duhet, në emër të publikut dhe për t’u lexuar dhe për t’u ndjekur nga publiku, e jo nga të përkohshmit që ai i delegon.

Gazetaria shqiptare është përdhunuar boll nga “dashnorët e shtypit të lirë”, të cilët kanë përdorur edhe lavat kokës, piromanët e presionin, deri në kërcënime me vdekje në distancë, kundër publicistikës dhe medias dinjitoze vendase e asaj ndërkombëtare. Gazetarët nuk janë hormovitë dhe Rama nuk ka përse sillet me ta si Ali Pasha.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button