Home / Arte / Teater / Çehov, hap siparin e 2016-s në teatër

Çehov, hap siparin e 2016-s në teatër

“Tri motrat” e Çehovit, premierë në janar në Teatrin Kombëtar nën regjinë e Hervin Çulit

“Tri motrat”, komedia romantike e Çehov do të ngjitet premierë në janar në skenën e Teatrit Kombëtar nën regjinë e Hervin Çulit. Prej javësh regjisori ka nisur punën për të sjellë një Çehov me gjithë dimensionin që mbart si autor. Në role për këtë vepër ai ka zgjedhur aktorë që kanë treguar se dinë të shndërrohen në personazhet që i besojnë. Gladiola Harizaj, pas suksesit me shfaqjen “Liri në Bremen” me regji të Sesilia Plasarit, dhe disa interpretimeve të tjera gjatë këtij viti, është e zgjedhura e regjisorit Çuli për këtë vepër, bashkë me aktore të tjera si Elia Zaharia dhe Anila Bisha. Në role të tjera janë Bujar Asqeriu, Neritan Liçaj, Helidon Fino dhe Gert Ferra. Pas kritikave që teatri ka pasur gjatë këtij viti mbi cilësinë e veprave të ngjitura në skenë, kjo komedi e Çehovit vjen dhe si një sfidë për regjisorin i cili është njëkohësisht dhe drejtori i këtij institucioni. “Tri motrat” e Çehovit vijon të jetë një ndër shfaqjet më të vëna në teatrot në botë, pavarësisht kohës ku u vendosën ngjarjet. Kërkimi i dashurisë që është thelbi i kërkimit të tri motrave simpatike i bën shikuesit të kërkojnë ta shohin shpesh në teatër. Vepra të zhvendos në një provincë të Rusisë në një familje të thjeshtë ku brenda saj jetojnë tri motra dhe një vëlla. Olga, motra e madhe, e cila jep mësim në gjimnaz; Masha, motra e dytë është martuar me Kulliginin një mësues; Andreji, vëllai i tyre i pasionuar pas violinës, është punonjës në administratën lokale të qytetit i martuar me Nataljen; Irina, motra e vogël, punon telegrafiste. Motrat janë vajza me botë shumë të pasur intelektuale dhe shpirtërore. Kanë ëndrra dhe pasione për jetën, kërkojnë dashurinë e vërtetë dhe thirrja e tyre e fortë është “të shkojmë në Moskë”. Moska, një nga kryeqytetet më të bukura të botës, ku zhvillohet arti dhe kultura, shkenca dhe ushtria. Ato i kanë kthyer në idhuj njerëzit që vijnë nga Moska, në njerëz shumë të rëndësishëm dhe shumë me vlerë për shpirtin e tyre. Në hapje të dramës ne shohim një harmoni të skajshme të tyre, gjithçka duket bukur dhe në vendin e vet. Por ne shohim në aktin e tretë një transformim të të gjitha personazheve, kryesisht e shohim tek Irina, motra e vogël, e cila ëndërron të realizojë dashurinë e jetës së saj dhe ëndrrën që vlon në damarë. Të shkojë në Moskë. E ndërsa Andreji, vëllai i vetëm, ka vënë në shitje shtëpinë, për shkak të borxheve që ka në kumar. Nga një njeri plot parime dhe ëndrra për të ardhmen, tani ai udhëhiqet nga Natasha, gruaja e tij. Ajo tenton të shprehet tek ai dhe për ta vendosur kundër motrave dhe gjithë të tjerëve. Gjithashtu, ai ka një punë tashmë për shkak të saj, është ajo që shkon edhe zgjidh punë me kryetarin dhe me njerëz të lartë të dikastereve përkatëse për çështjet delikate familjare. Është ajo që po merr vendime dhe drejton çdo gjë nga vetja. E dërgon Andrejin tek Olga, motra e madhe, për t’i dorëzuar çelësin, në një farë mënyre për ta zbritur nga detyra e saj si kryefamiljare apo si nënë e gjithë motrave dhe vëllait. Kjo është pak a shumë subjekti i njohur i veprës së Çehov, të cilin do ta shohim tashmë në një tjetër konceptim nga regjisori Çuli. Kostumografia në këtë vepër i është besuar Blerina Kokonës. Pas kësaj premiere pritet që shfaqja e radhës në teatër të jetë ajo e regjisores Elma Dorezi “Zbutja e kryeneçes”, më pas “Mallkimi i fukarenjve” me regjisor Kastriot Çipin, ku në role kryesore do të jenë dy aktorë të njohur të teatrit si Ndriçim Xhepa dhe Yllka Mujo.

Leave a Reply

Your email address will not be published.