Home / Kronika / Për azil në Gjermani, Shishtaveci pa klasë të parë

Për azil në Gjermani, Shishtaveci pa klasë të parë

Ikja e familjeve me synim marrjen e azilit në Gjermani ka boshatisur shumë klasa në shkollat e Kukësit.

Në shkollën e Shishtavecit dhe Topojanit nuk ka patur këtë vit asnjë regjistrim të fëmijëve në klasën e parë. Familjet e tyre kanë ikur në Gjermani e presin nëpër kampe. Ndërkohë që klasat e tjera janë reduktuar ndjeshëm.

“Sidomos në Shishtavec ka një largim masiv të nxënësve në shkolla. Kjo është një zonë që është e varfër nga ana ekonomike. Janë faktorët ekonomikë dhe pastaj faktorët tradicionalë. Nga kjo shkollë unë mbaj mend që kanë qënë nga dy klasa. Tani klasa maksimale janë të bashkuara e mund të ketë deri në 12 nxënës më e madhja”, thotë një mësues.

Fenomeni është shumë i ndjeshëm edhe në bashkinë e Kukësit ku numërohen 267 nxënës të larguar. Pas refuzimit të azilit në Gjermani, një pjesë e familjeve që ikën kanë nisur të rikthehen. Në Kukës janë rikthyer 13 nxënës në arsimin 9-vjeçar dhe të mesëm dhe sipas drejtuesve të arsimit ka nisur një program riintegrimi i tyre dhe që do të vijojë edhe pas pushimeve të fundvitit.

“Pavarësisht në kohën që paraqiten, realizohen programe të veçanta për pjesën e munguar dhe ndiqen vazhdimisht nga psikologu. Drejtoritë e shkollave kanë hartuar programe të veçanta për këta nxënës, dhe deri tani janë riintegruar dhe po ecin normalisht në procesin mësimor”, tha Kujtim Ademi, drejtor i DAR-së Kukës.

Në total nga Kukësi, prej muajit shkurt të këtij viti deri në gusht kanë ikur mbi 7 mijë persona të cilët kërkojnë azil në Gjermani. Ndërkohë që ende nuk dihet numri i saktë i të rikthyerve.

Leave a Reply

%d bloggers like this: