Home / Arte / Libri / Një ditë për dashnorin e letrave

Një ditë për dashnorin e letrave

Sot, 115-vjetori i lindjes së Ernest Heminguejit / Këngëtarja Eda Zari, mikëpritëse e një mbrëmjeje “Alla-Heminguej”

Në shqip, shkrimtari është përkthyer nga emra të njohur të letrave, si Ismail Kadare apo Vedat Kokona

Ernest Hemingway

“Nuk e di të them se pse sa herë të rrethoja me krahët e mi, ndihesha si në shtëpi.” Ernest Heminguej, një prej personazheve më të njohura të letrave botërore, i shkruante kështu të dashurës së tij, Marlene Dietrich. Janë pa fund letrat që ai i shkroi asaj dhe ato që ajo shkroi për të. “E dashurova menjëherë. Nuk kam reshtur kurrë së dashuruari. E dashurova në mënyrë platonike. E them këtë, sepse dashuria që Ernest Heminguej dhe unë ndienim për njëri-tjetrin ishte e jashtëzakonshme në mënyrën se si ne e përjetonim: një dashuri e pastër, absolute. Një ndjenjë e paprekur nga dyshimet, një dashuri përtej horizontit, përtej vdekjes, edhe pse e di me siguri që kjo nuk ekziston. Ndoshta prandaj edhe ndjenjat tona i rezistonin kohës, edhe atëherë kur nuk kishte më fije shprese për asnjërin”, shkruante ajo. Shkrimtari i adhuruar nga gratë, që nuk e fshehu asnjëherë tërheqjen ndaj seksit tjetër dhe e shndërroi letërsinë në një depërtim në qenien njerëzore, sot shënon 115-vjetorin e lindjes. Në çdo vend të botës, shtëpitë botuese që e botojnë, adhuruesit e librave të tij ndalen për të kujtuar njeriun që me jetën dhe punën e tij, i bëri ta donin.

Ditëlindja e Heminguejit do të festohet edhe në Shqipëri. Këngëtarja Eda Zari do të jetë mikëpritësja e një mbrëmjeje “Alla Heminguej”. “Në datën 21 korrik, për ditëlindjen e Heminguejit, në një festë alla Heminguej, në rrugën Heminguej, në orët e vona të Heminguej, me pijet e zemrës së Heminguej! Ato që ndodhin natën, nuk i shpjegojmë dot ditën, sepse atëherë ato nuk ekzistojnë… Prandaj le të festojmë të gjithë natën alla Heminguej dhe t’i lëmë të tjerët të lodhen kur të lindë dielli, të shpjegojnë qejfin ‘e pashpjegueshëm’ që do të bëjmë”, thuhet në një njoftim, të këngëtares. Pjesa më e madhe e librave të Heminguejit janë botuar edhe në gjuhën shqipe. Përkthyesit e tij në gjuhën shqipe janë emra të njohur të letrave. “Plaku dhe deti”, vepra më përfaqësuese e letërsisë së tij, është përkthyer në shqip nga shkrimtari i madh Ismail Kadare. “Ai kërkon t’i përkthehet ajo që sapo ka dëgjuar. Përveç përkthimit të jashtëm nga një gjuhë në një tjetër, ka edhe një përkthim të brendshëm, përbrenda po asaj gjuhe. Ismail Kadareja është mjeshtër i këtij përkthimi të brendshëm në veprën e vet. Jo vetëm në rastet kur drejtpërdrejt shënon po në atë vend ese dhe trajtesë, proces dhe zhdrivillim, por edhe duke e shndërruar këtë në përftesë letrare”, shkruan prof. Xhevat Lloshi për këtë përkthim. “Plaku dhe deti” është një tregim për forcën dhe dinjitetin e shpirtit të njeriut. Me simbolikën e tij, ai trajton pyetjen e madhe, se deri ku duhet të shkojë njeriu, deri ku duhet të guxojë. Për Heminguejin njeriu, edhe kur e di se do ta kapërcejë të zakonshmen, se po shkel përtej saj, në trevën e dyluftimit të pabarabartë, madje të vetë vdekjes, nuk ka përse të tërhiqet pa e provuar. Më mirë të kthehesh i mundur, pasi e ke provuar ndeshjen, pasi e ke treguar se e ke guximin ta bësh sesa të dështosh pa e bërë provën. “Lamtumirë armë”, një tjetër vepër e dashur e Heminguejit i ka ardhur lexuesit shqiptar nën shqipërimin e një tjetër emri të njohur të letrave shqipe, Vedat Kokonës. “Të kesh dhe të mos kesh” është përkthyer nga Alqi Kristo. Një pjesë e tregimeve të tij kanë ardhur vitet e fundit në shqip, botuar në faqet e revistave të ndryshme letrare. Heminguej mbetet sfida e çdo përkthyesi, dhe padyshim një shkrimtar që të rrëmben zemrën që me librin e parë që i ke lexuar. Ai lindi më Illinois, 21 korrik 1899, dhe vdiq i vetëvrarë më 02.07.1961, Ketchum, Idaho, e kujtohet nga të gjitha qarqet artistike si një ndër shkrimtarët më në zë amerikanë të shekullit XX dhe si përfaqësuesi kryesor i Brezit të Humbur. Ai përjetoi thellë tragjedinë e dy luftërave botërore, u gjend disa herë ballë për ballë me vdekjen dhe shkroi një letërsi ku dhunës njerëzore i kundërvihet dashuria, ndërsa kotësisë dhe zhgënjimit të jetës, përpjekja për të qëndruar me çdo çmim dhe me çdo kusht. Heminguej u rrit në një mjedis mbytës provincial nën autoritetin e një nëne të rreptë, ndërsa vetëvrasja e të atit la gjurmë të pashlyera në zemrën e tij. Universiteti i parë për Heminguejin u bë Lufta e Parë Botërore. Ai shkoi vullnetar si sanitar në Itali, ku u njoh me tmerret e luftës, por edhe me burrërinë dhe vetëmohimin, që do të mbushnin faqet e tregimeve dhe romanëve të tij të mëvonshëm. Atë që mundi të shkruante, duke bashkuar llojin e gazetarisë me atë të letërsisë artistike, e mblodhi në vëllimin e parë “Në kohën tonë” dhe në vëllimin e dytë “Burra pa gra”. Por në mbarë botën Heminguej u bë i njohur me romanin “Lamtumirë armë”, ku trajton një histori dashurie, që përfundon tragjikisht në një botë ku sundon ligji i luftës dhe ku njeriu vret njeriun.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Heminguej udhëtoi dhe mori pjesë në veprime luftarake si korrespondent. Në tregimet e kësaj kohe tingëllon e fuqishme ideja antifashiste kundër luftës. Heminguej u bë i famshëm me botimin e novelës “Plaku dhe deti”, për të cilën u nderua me çmimin “Nobel”. Si për të vazhduar traditën familjare, Ernest Heminguej vrau veten, duke pasur frikë nga sëmundja, e cila e mundonte prej kohësh. I konsideruar nga shumëkush si strehë e brezit të humbur, Heminguej vazhdon të mbetet shkrimtari më i shquar amerikan. Proza e tij e gjallë shquhet për nga thjeshtësia mahnitëse, dialogu i thjeshtë plot jetë. Personazhet kryesore të Heminguejit janë gjithnjë luftëtarë të paepur, me dinjitet krenar, toreador, përballë gjendjes së nderë që po përjetonte padrejtësisht brezi i humbur, brez në kurrizin e të cilit rëndoi më së shumti Lufta e Parë Botërore. Heminguej vijon të jetë një personazh, ku kritika dhe biografët vijojnë të hulumtojnë. Tre vjet më parë, një miku i tij zbuloi fakte që tregonin se shkrimtari është ndjekur vazhdimisht nga agjentë të FBI-së. Në një shkrim botuar në “New York Times” me rastin e 50-vjetorit të vdekjes së shkrimtarit, AE Hotcher, biograf i tij shkruante se FBI-ja ka kontribuuar në ankthin dhe vetëvrasjen e tij”. Por sot është një ditë për të kujtuar Heminguejin, qoftë duke hapur një libër të tij…

Leave a Reply

%d bloggers like this: