Maqedonia

Maqedonia vitin e ardhshëm do të harxhojë për 4 përqind më shumë energji elektrike

Nevoja e energjensave në Maqedoni vitin e ardhshëm do të rritet për 4 për qind, parasheh Bilanci energjetik për vitin 2016. Rritje do të ketë në të gjitha segmentet, ndërsa më shumë harxhohet për energji, gaz dhe naftë.

Bilanci energjetik, dokument i cili e përmban konsumin e përgjithshëm të të gjitha energjensave në vend për një vit dhe i përshkruan konsumentët, gjegjësisht konsumin e energjisë, për periudhën 2013 -2017 parasheh rritje të konsumit të të gjitha energjensave për shkallën mesatare prej 3,3 për qind në nivel vjetor.

Në bilanc precizohet se në vitin 2016 do të harxhohet për 3 për qind më shumë naftë dhe derivate të naftës nga viti i kaluar dhe për 4 për qind më shumë energji elektrike. Për disa vite me radhë parashihet edhe konsum i rritur i gazit natyror, biomasës dhe të llojeve të tjera të energjive.

Nevojat e rritura të energjisë do të sigurohen prej burimeve vendore dhe nga importimi. Nafta dhe derivatet e naftës dhe gazi në tërësi do të sigurojnë nga importimi, ndërsa te energjia elektrike varësisht hidrologjisë dhe çmimit të gazit dhe të energjisë elektrike do të varet aktiviteti i TE-TO, ndërsa sipas kësaj, do të ndryshojë përqindja e energjisë elektrike të prodhuar dhe të importuar vendore.

“Në strukturën e energjisë 50 për qind i takon naftës dhe derivateve të naftës, 31 për qind energjisë elektrike, ndërsa 9 për qind biomasës dhe të gjitha llojeve të energjensave. Konsum më të madh të energjisë 32 për qind ka në komunikacion, 29 për qind të energjisë e harxhon industria, 25 për qind amvisëritë, ndërsa 14 për qind të gjithë faktorët e tjerë. Gëzon fakti që parashihet konsum i rritur i gazit natyror që është jashtëzakonisht pozitive, pasi që bëhet fjalë për lëndë ekologjike e cila duhet të përfaqësohet sa më shumë”, deklaroi Koço Angjushev, kryetari i Asociacionit energjetik të Maqedonisë – AEM.

Ai theksoi se AEM veçanërisht e mbështet nismën që gazi të zbatohet në amvisëri, pasi që, siç tha, është më ekonomik për konsum.

Precizoi se prodhimi i energjisë elektrike vendore në masë të madhe do të varet prej gjendjes hidrometorologjike dhe çfarë do të jetë aktiviteti i elektranës së gazit TE-TO.

Sipas Angjushev, është paraparë prodhimi vendor i energjisë elektrike të ketë 1 për qind rritje në raport me vitin 2014 ose, të mbetet në nivelin e njëjtë apo të ketë ulje të vogël në raport me vitin 2015. TE-TO duhet të marrë pjesë me mbi 400 gigavat në prodhimin vendor në vitin 2016.

Angjushev sqaroi se 20 për qind të energjisë elektrike në Maqedoni e harxhojnë gjashtë kompani – Feni, Jugohromi, Makstil, Arçelormital, Buçim dhe Cementara.

Maqedonia në vitin 2015 ka harxhuar 74.759 teraxhulë energji të të gjitha llojeve, sivjet konsumi është 79.709, ndërsa vitin e ardhshëm parashihet të harxhohen 82.578 teraxhulë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button