Home / Arte / Nesër nis Festivali i muzikës ‘Jazz’ në Shqipëri

Nesër nis Festivali i muzikës ‘Jazz’ në Shqipëri

“International Jazz Festival” është Festivali Ndërkombëtar i Muzikës Jazz, i cili në edicionin e tij të tretë do të zhvillohet për gjatë 6 ditëve në vëndin tonë (22 deri 27 korrik) në moton “JAZZ in ALBANIA 2014“.

xhaz

“JAZZ in ALBANIA 2014“, që do të startojë nesër në mbrëmje ora 20:00 në ambientet e Hotel Sheraton në Tiranë, në ditët në vazhdim do të transferohet në Shkodër, Korçë, Apoloni, e Porto Palermo, sjell në Shqipëri 9 grupe kombëtare e ndërkombëtare, të cilët nën tingujt muzikor të këtij zhanri, pritet të sjellin një atmosferë të veçantë në vend.

Në konferencën për shtyp të mbajtur sot në ambientet e Hotel Sheraton Tirana, organizatorët e aktivitetit kanë shprehur edhe qëllimet e ralizimit të Festivalit, si dhe objektivat që kanë ata në realizimin e tij në të ardhmen.

Besim Petrela, njëri prej producentëve, siç transmeton atsh, është shprehur se “Festivali i mbështetur nga Ministria e Kulturës, si dhe Bashkitë përkatëse ku ai do të zhvendoset, ndër qëllimet kryesore të tij, ka edhe tërheqjen dhe vëmëndjen jo vetëm të publikut, por edhe të turistëve drejt vëndeve të trashëgimisë kulturore”.

Ai shtoi se “Festivali i cili vjen i organizuar nga, Shoqata Syri Blu dhe Fondacioni “Xoxa”, sjell në Shqipëri një aktivitet i cili i mungon vendit tonë, dhe që nëpërmjet tij, ne do të përpiqemi të promovojmë këtë zhanër i cili në Shqipëri nuk është edhe aq i pëlqyer sa muzika Rrock apo Pop”. “Edhe pjesëmarrja e mbështetja e pothuajse e gjithë ambasadave në vendin tonë në këtë aktivitet”, vijon Petrela, “ tregon qartë se është një aktivitet i cili ka një vlerë e një rëndësi mjaft të madhe, dhe ne po mendojmë që tani që në edicionin e radhës ta shtrijmë atë edhe jashtë kufijve të Shqipërisë, si në Kosovë apo Maqedoni”.

Ndërkohë që në konferencën për shtyp, të pranishëm ishin edhe 2 prej artistëve (grupeve) që do të performojë gjatë aktivitetit, ku Tal Kravitz, artisti izraelit u shpreh se “kam udhëtuar në shumë vende, nga të cilat kam zgjedhur mjaft instrumente të cilat i kam përzierë, por e them me shumë sinqeritet se folklori më pëlqen mjaft shumë, sepse është e vetmja muzikë natyrore e cila më prek dhe emocionon”.

Kravitz shtoi se ”në këto ditë të vështira që po kalon vendi im, Izraeli, kam pasur fatin që të kontribuoj nëpërmjet muzikës, duke kënduar edhe me vëllezërit e mi Palestinezë, sepse arti dhe muzika është gjuha që na bashkon me Palestinën e gjithë botën, dhe çdo këngë e imja, do të vijë si një lutje drejt popullit tim”.

Nga ana tjetër Zvicerani Marco Zappa një tjetër artist ndërkombëtar i cili do të marrë pjesë në festival u shpreh se “ashtu sikurse vëndi nga unë vij, një vënd multikulturor, ç’ka nënkupton se është një vend mjaft i hapur edhe në kuptimin muzikor, sjell në Shqipëri një trio Zvicerano-Shqiptaro-Serbe të përbërë nga unë, shqiptari Ilir Kryekurti, si dhe Serbi Goran Stojadinoviq, dhe që nëpërmjet bashkëpunimit tonë të shkëlqyer, ne do të servirim muzikën si një sintezë të kulturës zviceriane, e përzier me atë shqiptaro ballkanike”.

Marco Castelli Trio (Itali), Marco Zappa (Zvicër), Tal Kravitz (Izrael), Lebi Derya (Gjermani), Evrim Demirel Ensemble (Turqi), Das Großmütterchen (Austri), Martin Brunner Trio (Ceki), Manos Tavlakis Trio (Greqi) dhe Gent Rushi Quartet (Shqipri-Kosovë) do të jenë edhe grupet që do të performojnë gjatë 6 netëve të “JAZZ in ALBANIA 2014″.

Leave a Reply

%d bloggers like this: