Home / Politika / Amnistia e fundvitit, Presidenti mban peng dekretin

Amnistia e fundvitit, Presidenti mban peng dekretin

Kreu i Avokatëve Penalistë, Visha: Duhet ta firmoste brenda 15 ditëve

Nga Artemisa Hoxha

Kur kanë kaluar plot 15 ditë që nga miratimi në Kuvend i projektligjit “Për dhënien e amnistisë”, nga i cili parashikohet të përfitonin plot 720 të burgosur, ky nuk është botuar ende në Fletoren Zyrtare, çka bën që ende të mos hyjë në fuqi. Njëherësh drafti i qeverisë nuk ka marrë as pëlqimin e kreut të shtetit, i cili nëse nuk vendos brenda 30 ditëve për dekretimin e tij, atëherë kalon në heshtje dhe botohet në Fletoren Zyrtare. Vonesa prej 15 ditësh e hyrjes në fuqi të këtij projektligji, i cili ishte parashikuar që me rastin e festës së fundvitit të liroheshin një numër i madh të burgosurish është ngritur si shqetësim edhe nga kreu i Shoqatës së Avokatëve Penalistë, Sajmir visha, i cili e konsideron si skandaloze dhe të paprecedentë vonesën e dekretimit të amnistisë nga ana e kreut të shtetit. Sipas avokat Vishës, kjo vonesë është e qëllimshme dhe dashakeqe, duke penguar zbatimin e tij më 5 janar.

I kontaktuar nga gazeta “Shqip”, Visha i bën thirrje kreut të shtetit që të miratojë këtë amnisti, e cila në fund të fundit e ka humbur kuptimin e saj për të liruar të burgosurit sipas parashikimeve të ligjit për festat e fundvitit. “Ne i themi zgjohu nga gjumi Presidentit se nuk ka mundësi që për 15 ditë të kenë harruar për ta dekretuar, sepse nuk ka mundësi që një amnisti që e kanë miratuar 15 ditë më parë, pra në datën 21 dhjetor, të rrijë në heshtje. Me dashje Presidenti nuk e ka dekretuar. Ne nuk mund të themi se amnistia s’ka probleme, sigurisht që ka, pasi ka kaluar në Parlament një amnisti nga më të dobëtat, por që nuk mund të justifikohet mosdekretimi i saj dhe dalja në Fletoren Zyrtare. Nëse ai e dekreton sot brenda natës do të duhen dhe 15 ditë për të hyrë në fuqi. Kjo amnisti e humbi kuptimin për fundivitin dhe tashmë i bie që kjo amnisti të ketë vlerë për 14 shkurtin, ditën e të dashuruarve”, thekson Vishaj. Ndër të tjera, duke sqaruar më tej qëndrimin e tij si kreu i Shoqatës së Avokatëve Penalistë, Sajmir Vishaj bën me dije se ky është rasti i vetëm që të burgosurit që përfitojnë nga amnistia nuk lirohen që në fund të vitit, por do të duhet të presin fundin e muajit janar. “Amnistia del me rasatin e festës së Pavarësisë ose për festat fundvitit, por jo në janar, ose ndryshe mos del me festat e janarit kinez, kjo nuk dihet. Është turp, sepse duhet të ishte dekretuar, sepse kanë kaluar 15 ditë dhe ky është një skandal, sepse të gjithë njerëzit prisnin të dilnin sot (dje) ose nesër (sot). Kjo nuk ka ndodhur asnjëherë më parë, sepse sa herë ka dalë dhe është miratuar amnistia, Presidenti e ka dekretuar brenda natës dhe ka dalë menjëherë në Fletoren Zyrtare”, thekson Vishaj.

Vendimi

Drafti i Ministrisë së Drejtësisë, i cili kaloi me votat e deputetëve të mazhorancës në seancën e fundit plenare parashikon një kategori të  caktuar personash që nëse do të hynte në fuqi brenda 15 ditëve e para pas miratimit në Kuvend do të bënte që 720 të burgosur të kalonin festat e fundvitit në familjet e tyre. Projektligji i miratuar amniston personat e dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 2 vjet për dënime të dhëna deri në datën 30 nëntor 2015, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi; personat e dënuar me vendim të formës së prerë, me gjobë (për pjesën financiare të pashlyer të dënimit deri në datën 30 nëntor 2015) ose personat, për të cilët gjykata deri më datën 30 nëntor 2015 ka caktuar një nga llojet e alternativave të dënimit; personat e dënuar me burgim, të cilëve, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u kanë mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 2 vjet, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale, të parashikuara në ligj; personat e dënuara femra, që, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 50 vjeç, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale, të parashikuara në ligj. Njëkohësisht, drafti parashikon edhe dhënien e amnistisë për personat e dënuar meshkuj, që, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 60 vjeç, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale, të parashikuara në këtë ligj si edhe personat e dënuar me burgim, të cilët, në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç, me përjashtim të atyre që janë dënuar për disa vepra penale të rënda.

Amnistohen

-Personat e dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 2 vjet për dënime të dhëna deri në datën 30 nëntor 2015, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi

-Personat e dënuar me vendim të formës së prerë, me gjobë (për pjesën financiare të pashlyer të dënimit deri në datën 30 nëntor 2015) ose personat, për të cilët gjykata deri më datën 30 nëntor 2015 ka caktuar një nga llojet e alternativave të dënimit

-Personat e dënuar me burgim, të cilëve, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u kanë mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 2 vjet, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale, të parashikuara në ligj

-Personat e dënuara femra, që, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 50 vjeç, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale, të parashikuara në ligj;

-Personat e dënuar meshkuj, që, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 60 vjeç, me përjashtim të personave të dënuar për veprat penale, të parashikuara në këtë ligj si edhe personat e dënuar me burgim, të cilët, në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç, me përjashtim të atyre që janë dënuar për disa vepra penale të rënda

Leave a Reply

Your email address will not be published.