Home / Te ndryshme / Shtatë zakonet kronike te njerëzit që nuk janë të lumtur

Shtatë zakonet kronike te njerëzit që nuk janë të lumtur

Sipas revistës amerikane “Psychology Today”, profesoresha nga Universiteti i Kalifornisë, Sonja Lyubomirsky, shprehet se: “40% e aftësisë që njeriu të ndihet i lumtur dhe i kënaqur, qëndron brenda fuqisë së tij për të ndryshuar, “Power of Change”.

Nëse kjo statistikë është e vërtetë ka shumë shpresë për të gjithë ne.

“Me vite të tëra kam kuptuar se ka disa veti dhe zakone që njerëzit të cilët nuk janë të lumtur, i kanë bërë mjeshtër. Por përpara se të futem brenda këtij subjekti me ju, dua të shpreh që ne të gjithë kemi ditë të këqija, ndoshta edhe javë ku ne biem brenda në shtatë zonat që do të përshkruaj më poshtë”, thotë ajo.

Ndryshimi midis një jete të lumtur dhe një jete të pashpresë e të trishtuar, është fakti se sa herë dhe sa gjatë qëndrojmë në gjendjen e dytë.

Besimi juaj i parapëlqyer është se jeta është e vështirë

Njerëzit e lumtur e pranojnë se jeta në disa momente është e vështirë, por ata e kalojnë çdo vështirësi me kërshëri dhe jo me ndjenjën se ata janë viktima. Ata marrin përgjegjësi për atë që bëjnë dhe që i fut në telashe dhe përqendrohen se si të dalin sa më shpejt nga ajo gjendje.

Këmbëngulja për të gjetur një rrugëdalje dhe jo ankesat ndaj rrethanave, janë simptoma të një njeriu që është në gjendje të jetë i lumtur. Ata të cilët nuk ndihen të lumtur, e shohin veten e tyre si viktima të jetës dhe ngecin te mendimi “shihni çfarë më ndodhi mua”, në vend që të mundohen të gjejnë një zgjidhje për problemin e tyre.

Ju mendoni se njerëzve nuk u zihet besë

Nuk diskutohet që të jesh i mprehtë dhe jo naiv, është shumë e shëndetshme, por shumica e njerëzve të lumtur kanë besim te të tjerët. Ata besojnë te mirësia e njerëzve dhe jo që të tjerët do t’i fusin në grackë ata. Njerëzit e kënaqur me jetën, kanë një sens të mirë për komunitetin pranë tyre dhe takojnë njerëz të rinj me zemër të hapur dhe të çiltër.

E kundërta e tyre janë njerëzit, të cilët janë mosbesues ndaj të panjohurve që takojnë për herë të parë. Për fat të keq, kjo sjellje, mbyll dyer të reja jashtë rrethit të tyre të ngushtë dhe i pengon ata të formojnë lidhje të reja.

Përqendroheni te gjërat negative dhe jo tek ato pozitive

Nuk mund të argumentohet se ka shumë gjëra të gabuara dhe negative sot në botë, por njerëzit që nuk janë të lumtur në përgjithësi e bëjnë një sy qorr ndaj të mirave dhe përqendrohen te negativja. Ata i përgjigjen pozitives me “mirë, por….”

Njerëzit e lumtur janë në dijeni të çështjeve globale, por janë në gjendje ta baraspeshojnë të keqen me të mirën në botë. Unë e quaj këtë t’i mbash të dy sytë hapur. Këta njerëz kanë një perspektivë më të mirë për realitetin, duke e ditur mirë se bota sot ka probleme të shumta, por në të njëjtën kohë, ata shohin edhe progresin pozitiv.

Ju e krahasoni veten me të tjerët, gjë e cila mbjell xhelozi

Njerëzit që nuk janë të lumtur, e krahasojnë vazhdimisht veten e tyre me të tjerët dhe besojnë se fati i mirë i një tjetri, “vidhet” nga fati i tyre. Ata i krahasojnë të mirat e të tjerëve me veten e tyre, sikur mirësia të ishte e kufizuar dhe jo e mjaftueshme për të gjithë. Kjo gjë sjell xhelozi dhe brenga.

Në kontrast, njerëzit e lumtur kanë aspirata të arrijnë më të mirën kur e shohin këtë te të tjerët. Ata besojnë se qenia e tyre është tepër e veçantë dhe unike, dhe nuk mund të përsëritet ose të kopjohet nga askush tjetër. Këta njerëz kanë besim të patundur te mundësitë e panumërta në jetë, dhe u duket qesharake që mirëqenia e tjetrit të zvogëlojë mundësinë e tyre për sukses dhe lumturi.

Përpiqeni të keni kontroll të plotë mbi jetën tënde

Ekziston një ndryshim i madh midis kontrollit të plotë dhe përpjekjes për të arritur objektivat dhe qëllimet tuaja. Njerëzit e lumtur gjithmonë hedhin hapa të përcaktuar për të arritur qëllimet e tyre, por ama janë të vetëdijshëm se jeta shpesh të krijon surpriza jo të këndshme dhe ngjarje të paparashikueshme.

E kundërta e tyre janë njerëzit që duan të kenë kontroll të plotë mbi çdo aspekt dhe rezultat të së ardhmes dhe kur jeta u paraqet vështirësi, ata bien moralisht në një mënyrë dramatike. Qëllimi kryesor duhet të jetë përqendrimi te rezultatet dhe objektivat, por gjithashtu, duke lënë pak vend edhe për të papritura, sado të pakëndshme të jenë. Njerëzit e lumtur e quajnë këtë Plani B dhe vazhdojnë jetën pa ndërprerje për të arritur objektivat e tyre.

E konsideroni të ardhmen plot frikë dhe ankth

Duhet të dini se nuk ka dhe aq shumë hapësirë në kokën tuaj midis dy veshëve. Njerëzit që nuk janë të lumtur e mbushin kokën e tyre me mendime se si gjërat mund të shkojnë në drejtimin e gabuar dhe jo në drejtimin e dëshiruar. Këta njerëz e kanë mendjen të mbushur me frikë dhe ankth.

Njerëzit e lumtur përmbajnë një dozë të shëndetshme zhgënjimi që i lejon ata të ëndërrojnë për të ardhmen dhe dëshirat që kanë. Ata gjithashtu e ndiejnë frikën dhe ankthin, por ka ndryshim të madh; ata nuk i përjetojnë ato. Përkundrazi, kur mendojnë për diçka që u shkakton ankth, pyesin veten se çfarë kanë në dorë të bëjnë, në mënyrë që të shmangin një ngjarje që u krijon ankth. Nëse nuk e kanë në dorë ta parandalojnë, ata mundohen të merren me gjëra të tjera.

E mbushni kokën dhe bisedat me thashetheme dhe ankesa

Njerëzve që nuk ndiejnë lumturi, u pëlqen të jetojnë në kohën e shkuar. Ajo çfarë u ka ndodhur atyre dhe vështirësitë e së shkuarës mbushin bisedat e tyre. Kur nuk kanë më se ç’të thonë për të kaluarën, kthehen te jeta e të tjerëve dhe bëjnë thashetheme.

Njerëzit e lumtur jetojnë çastin dhe ëndërrojnë për të ardhmen! Çdokush mund ta ndiejë energjinë e tyre pozitive në një dhomë. Ata janë gjithmonë të kënaqur për atë që po bëjnë ose ndërtojnë, ndihen mirënjohës dhe me fat për ato që kanë, dhe ëndërrojnë për mundësitë e ndryshme që mund t’u ofrojë e ardhmja.

Sigurisht se askush nuk është i përkryer. Ne të gjithëve do të na duhet të notojmë në ujëra të trazuara herë pas here, por e rëndësishme është se sa gjatë do të qëndrojmë në ato ujëra dhe se sa shpejt do ta nxjerrim veten nga këto trazira. Praktika ditore e zakoneve pozitive, është ajo që e ndan një njeri të lumtur nga një të trishtuar, dhe jo të bësh çdo gjë në mënyrë të përkryer. Ecni, rrëzohuni, ngrihuni, përsëriteni! Ngritja përsëri në këmbë është sekreti i lumturisë.

Përktheu nga anglishtja: Doriana Duce

Leave a Reply

Your email address will not be published.