Home / Bota / Amerika / Republikanët kundër Obamës për armët e zjarrit

Republikanët kundër Obamës për armët e zjarrit

Ashtu siç pritej, republikanët u hodhën në sulm pas propozimit të atyre që Barack Obama i përshkroi si ‘masa praktike’ që synojnë frenimin e dhunës nga armët e zjarrit.

Masat e shpallura nga presidenti gjatë një fjalimi të martën në Shtëpinë e Bardhë anashkalojnë Kongresin e kontrolluar nga republikanët, të cilët këmbëngulin se urdhri ekzekutiv i shefit të Shtëpisë së Bardhë shkon përtej autoritetit të tij. I ashpër në reagim, kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan tha se masat e Obamës minojnë lirine e individit dhe do të sfidohen në sallën e gjyqit.

“Fjalët dhe veprimet e tij përbëjnë një lloj frikësimi që minon lirinë. Megjithatë, pavarësisht asaj çfare presidenti Obama thotë, fjalët e tij nuk e kundërshtojnë dot amendamentin e tyre. Urdhri ekzekutiv që dha, padyshimin më të vogël do të çohet në gjykatë, e në fund çdo gjë që ai si president ka bërë mund të përmbyset nga një president republikan e kjo është një tjetër arsye përse ne duhet të fitojmë në zgjedhjet e nëntorit”, tha Ryan.

Obama njoftoi një ditë më parë se nisma e re tij parashikon zgjerimin e kontrolleve mbi të kaluarën e atyre që blejnë armë, zbatimin më të efektshëm të ligjeve mbi armëmbajtjen, shtimin e masave sa i takon shendetit mendor dhe zgjerimin e studimeve në teknologjinë e sigurisë së armëve. Çdo vit, kujtoi presidenti, në Shtetet e Bashkuara nga armët humbasin jetën mbi 30 mijë njerëz, duke përfshirë këtu edhe vetëvrasjet, shifër kjo goxha më e lartë se në vende të tjera të zhvilluara të botës.

Në fjalimin e tij të ngarkuar me emocione, Obama akuzoi lobin e fuqishëm të armëve se po mban peng vendin e i perlotur risolli në kujtesë masakrën e 2012-ës në shkollën fillore Sandy Hook, ku u vranë 20 fëmijë e 6 të rritur.

Në Amerikë shitjet e armëve janë shtuar këto 12 muajt e fundit. Sipas Byrosë Federale të Hetimit, gjatë 2015-s kanë blerë armë më shumë njerëz se më parë, ndërsa kontrollet për të kaluarën e blerësve janë shtuar me 10 përqind, duke arritur në 23 milionë, çka përbën shifrën më të lartë qëkur FBI-ja filloi të mbajë statistika për blerjet e armëve në vitin 1998.

Leave a Reply

Your email address will not be published.