Opinion

Ikja nga (I)liria !

Nga Fadil Lepaja

Rruga “Jamie Shea” nuk po mirëmbahet, – u ankua sot një qytetar në Zyrën e Ankesave. Askush, me vite nuk ka hedhur kripë e as rërë. Veturat rrëshqasin dhe përplasen me njëra-tjetrën, dhe shoferët janë krejtësisht të pafajshëm. Ky është turp. Ku është (pu)shteti? Madje për këtë duhet të ketë dëgjuar edhe vetë Jamie, në Bruksel, dhe prandaj edhe NATO nuk po e përkrah këtë çështjen e demarkacionit..! Sidoqoftë, qytetari i mllefosur nuk tregoi se cila është gjendja me rrugët, bulevardet ose institucionet e tjera ndërkombëtare në Prishtinë e në Kosovë, me emra personalitetesh botërorë, si Bill Clinton apo George Bush.

Kështu politika kosovare, duke ndjekur damarin popullor pas lufte, emërtoi ndonjë rrugë, shkollë apo institucion tjetër për të përjetësuar kontributin e tyre për çlirimin e Kosovës. Qysh e dini edhe vetë, kontributi vendor për së gjalli nuk respektohet ndër ne. Kur jemi te ndërkombëtarët, me siguri duhet të ketë edhe ndonjë rrugë apo institucion me emrin e zonjës Madeleine Albright ose edhe të ish-kryeministrit anglez, Tony Blair, për të cilin shumëkush mendon se në rastin më të keq do të duhej ta kishte përmendoren fare pranë me atë të ish-presidentit Clinton, në bulevardin i cili e mban me krenari emrin e tij dhe ku Tony do të duhej të portretizohej duke folur në telefon dhe duke e bindur Presidentin amerikan të ndërhynte në Kosovë.

Sidoqoftë ajo që është krejtësisht e sigurt, është që nëse rastësisht nuk jemi vendi i vetëm në botë ku të huajt nderohen më shumë se vendorët dhe atë për së gjalli, atëherë jemi ndoshta i vetmi vend në botë që “vendorët” i nderon vetëm pasi vdesin. Vendorëve edhe këngë nuk u këndohen për së gjalli. Ka ndodhur që këngëtarët me çifteli e kanë kënduar këngën e trimërisë, të ulur këmbëkryq përballë vetë heroit, dhe ai, i entuziazmuar nga trimëritë e veta për të cilat nuk kishte ditur më parë, ka nxjerrë koburen nga shoka dhe e ka zbrazur në tavan. Kështu, edhe sot e kësaj dite, për të thuhet se e ka “vra” këngën e vet, Prandaj populli është i kujdesshëm…!

Sidoqoftë, Prishtina, këtë vit e filloi me probleme dhe dilema. Me dilema, madhore gjithsesi. Pa fije dyshimi, dilema kryesore, për të cilën po debatohet është: stupcat apo “Stupcat”?!  Dallimin mes stupcave dhe “stupcave”, lexuesi do ta kuptojë, ndërkohë ne po e përmbledhim shpejt e shpejt veç për nevoja të këtij shkrimi përmbajtjen e skeçit, ku “stupcat” i përqeshin stupcat, apo thënë ndryshe, e përqeshën një kategori ish-luftëtarësh, pushtetarë të sotëm, të cilët sipas tyre, kishin hyrë në radhët e gueriljes kosovare për të përfituar për vete. Gjithnjë sipas “stupcave”, strategjia e tyre nuk ishte ta luftojnë armikun, por të ndajnë pronat publike dhe private, që do të uzurpoheshin, menjëherë sapo, pas 11 ditësh, të largohej armiku shekullor. Armikun, sipas informatave të tyre të sigurta, do ta largonte bashkësia ndërkombëtare, ndërkohë që, sipas rrëfimit, këta u kujdesën të “largojnë” nga skena idealistët, të cilët nuk dinin se çka është “strategjia e thellë” dhe nuk pranonin të ndanin mes vetes zonat e interesit në qytet dhe objektet, si pompat e benzinës, stadiumet, banesat, lokalet etj.

Nejse, hajgare hesapi. Ju mos e bëni të madhe, se nuk e kanë zbuluar Amerikën me këtë skeç, se kjo flitej me vite vesh më vesh ndër qytetarët (e besa, edhe katundarët), por deri më sot askush nuk e kishte thënë aq “pa rrotulla” në një program të Vitit të Ri. Na e zunë mishin në fyt, me një fjalë. Na zunë të papërgatitur, pak a shumë të dehur, për ta kapur krejt thellësinë e kësaj strategjie. Nejse, de, liri e shprehjes.

Pastaj dilema tjetër, që po ashtu ka të bëje me lirinë e shprehjes, është po aq serioze. Qytetarët po pyeten se kush është dama me kapelë të polices, e pikturuar nëpër muret e kryeqytetit. Po të ishte pikturuar vetëm në bulevardin “Bill Clinton” dhe bazuar në buzët e saj të plota, reçipetat dhe përgjithësisht (zh)veshjen e saj, qytetarët do të mendonin se është Monika. Po e dini Monikën?! “Billi dhe Monika”, ai filmi i njohur…apo ishte serial?! Sorry, se për ne krejt çka del në lajme është aq e largët, a duket si film, e kur zgjat shumë e marrim për serial. Ne vdesim për serialet. Gjërat e rëndësishme nuk ndodhin këtu. Realiteti është aq larg prej nesh…! Jeta jonë e përditshme është aq…ireale. Ah, qysh i bëhet të hyjmë në seria…

Kuptohet, se pas këtij “atentati” humoristik, pasuan reagimet. Duke u marrë me këtë çështje madhore, një nga ish-komandantët emblematikë të luftës, e citoi komedianin anglez, Ricky Gervais, i cili, gjithsesi duke pasur parasysh edhe këto dy dilema madhore, për Kosovën, është shprehur: Cili është qëllimi i humorit, nëse nuk mund të sulmosh më të lartit dhe më të suksesshmit?

Pra, siç po e kuptoni edhe vetë, komediani i famshëm është shprehur krejtësisht në përkrahje të “Stupcave”. Mund të thuhet se pjesërisht e ka përkrahur edhe piktorin anonim për të cilin folëm më lart dhe i cili e (pas)ka pikturuar Monikën, por në këtë veprimtari të tij klandestine ka lënë dy paqartësi të vogla. Kështu mesazhi duket të jetë keqkuptuar. Pra, nuk e vuri “pikturën” te Bulevardi i Bill-it dhe mbeti e paqartë përse Monika është me kapele policie. Sidoqoftë, no comment, njerëz! Liri e shprehjes. Natyrisht, feministet u ankuan zhurmshëm dhe publikisht, duke e mbrojtur Presidenten e vendit. Por edhe mund ta kenë gabim. Mund të ketë qenë piktore anonime, pra femër!

Padyshim, “Stupcat”, të cilët i godasin stupcat, pra stupcokratët e sotëm, që dolën nga lufta e shenjtë për liri, e kishin të njohur këtë thënie të Geravis. Edhe thënie të tjera. Gjithsesi jo vendore. Paramendojeni po ta kishte thënë këtë thënie Adem Mikullovci, Besim Dina, Koçe Devole, Gëzim Kruja, Kryeministri shqiptar, Kryeministri dhe ministri i Jashtëm kosovar apo cilido nga humoristët e tjerë vendorë? A do ta kishte marrë ndokush seriozisht? Natyrisht jo. Askush nuk i blen prodhimet vendore, Albin!

E stupcat?! Dilema kosovare: stupcat apo “Stupcat?! Lexuesi i vëmendshëm do të më kujtojë për të mbajtur premtimin që e dhashë për të sqaruar dallimin mes tyre. Nuk ka dallim, të dashur miq. “Stupcat” janë pasqyra që stupcat duan ta thyejnë, sepse nuk e durojnë pamjen që reflektohet aty.

E luajmë atë lojën me lajmin e mirë dhe të keq? E mira e kësaj pune është se Europa nuk po shqetësohet për dilemat tona. Ndërkaq, neve nuk na ka mbetur alternativë tjetër, veç të ikim nga (I)liria! E keqja është se nuk po na lejojnë. Nuk është mirë të ikim nga liria, njerëz. Ka ide se ne jemi vënë në karantinë. Kështu, virusi i lirisë së shprehjes nuk përhapet më tej. Mendojeni se ç’do të ndodhte sikur qysh tani, pa i sqaruar dilemat tona, të kishim liberalizim vizash dhe të shkonim ku të donim… Ta lëmë më mirë se nuk po guxoj as ta mendoj.

E “Stupcat group” gjithsesi janë një grup armiqësor. Stupcat, veç e kanë nisur fushatën kundër tyre. Nëse mbijetojnë, politikisht, mbase na tregojnë edhe rreth dilemës tonë themelore: kush na ka çliruar? E sidomos, pse na ka çliruar?

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button