Home / Intervista / Përmbytjet, Prençi: Kaluam një situatë të rëndë

Përmbytjet, Prençi: Kaluam një situatë të rëndë

Nga Pandi Gjata

Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile, Shemsi Prençi në një lidhje telefonike në “Revistën Televizive të Mbrëmjes” foli për situatën në vend pas reshjeve të dendura të shiut të rëna gjatë  ditëve të fundit. Ai tha se gjatë pasdites së të mërkurës situata meteorologjike është përmirësuar disi, megjithëse dalja nga shtrati i disa lumenjve është problematike në disa zona, duke shkaktuar edhe dëme.

Së pari, një panoramë të përgjithshme se si paraqitet situata në tërësi në shkallë vendi.

Shemsi Prençi: Situata ka ardhur duke u përmirësuar, por në orët e mbrëmjes ka pasur një dalje të lumit Shkumbin në zonën e Ndroqit, ku është përmbytur një kompleks blegtoral dhe për pasojë kanë ngordhur rreth 25 lopë të këtij kompleksi, ndërkohë që janë shpëtuar 25 punëtorët dhe 185 lopë të tjerë. Në orët e mbrëmjes dalje nga shtrati pati edhe lumi Erzen në zonën e Shijakut, ku për pasojë ka pasur prezencë uji në rreth 100 banesa. Brenda dy orëve është bërë i mundur evakuimi i rreth 80 familjeve. Aktualisht po operojnë forcat e policisë, forcat zjarrfikëse dhe ushtria në zonën e Shijakut. Po kështu ka pasur dalje të lumit të Shkumbinit në zonën e Peqinit dhe në pjesën e poshtme në derdhjen në bregdet, ku është dëmtuar argjinatura në pjesën e Lushnjës. Megjithatë po vazhdojmë punën me mjete të rënda për ta përmirësuar argjinaturën.

Pati informacione për daljen e lumit Gjanica nga shtrati, si është situata në Fier?

Shemsi Prençi: Për momentin Fieri nuk ka probleme. Ka fryrje të madhe të lumit të Gjanicës, por nuk ka probleme në banesat e qytetarëve. Pasdite, situata më e rënduar ka qenë në pjesën e Ndroqit dhe në zonën e Shijakut, ku janë evakuuar 80 familje.

Si paraqitet situata në Lezhë?

Shemsi Prençi: Aktualisht në Lezhë situata është drejt përmirësimit sepse niveli i ujërave po vjen duke rënë. E njëjta situatë paraqitet edhe përgjatë lumit të Tiranës, ku niveli i ujërave ka rënë në mbi 1 metër. Më problematik është lumi i Erzenit në pjesën nga Ndroqi deri në derdhjen në det dhe lumit Shkumbin nga Peqini deri në derdhjen në det.

Për Tiranën a mund të themi se kaloi më e keqa dhe nuk do të kemi më rrezik gjatë ditës së sotme?

Shemsi Prençi: Duke pasur parasysh edhe të dhënat e Shërbimit Meteorologjik, gjatë së enjtes sasia e reshjeve nuk do t’i kalojë 20 mm shi në 24 orë. Mund të themi se pjesa më e keqe tashmë ka kaluar dhe tashmë strukturat operacionale do të merren me eliminimin e pasojave të shkaktuara nga këto fenomene të natyrës gjatë 24 orëve që lamë pas.

Doja të ju pyesja edhe për Vlorën e Elbasanin, pasi kemi informacione se edhe aty ka pasur probleme gjatë orëve të mbrëmjes.

Shemsi Prençi: Ka pasur bllokime të përkohshme të rrugëve, siç ishte pjesa e tunelit tek “Uji i Ftohtë”, ku u bllokua për disa orë, si edhe në segmente të tjera rrugore, por nuk ka pasur probleme që për të rrezikuar jetën e njerëzve. Në këto momente që ne po flasim të gjitha këto segmente janë të kalueshme dhe nuk ka prezencë të ujit në sipërfaqet e rrugëve. E vetmja gjë që duhet të theksohet dhe drejtuesit e automjeteve duhet të bëjnë kujdes është se nga momenti në moment në pjesën e jugut prurjet e lumenjve janë masive.

Në mbrëmje u mblodh edhe Komiteti i Koordinimit të Emergjencave Civile dhe Krizave nën drejtimin e zëvendëskryeministrit Niko Peleshi. Nga informacioni që ju shpërnda edhe medias u tha se situata do të vijojë të jetë e vështirë. Çfarë parashikimesh ka për ditën e sotme dhe sa mund të zgjasë kjo situatë, duke iu referuar informacioneve që ju keni nga shërbimet meteorologjike?

Shemsi Prençi: Në 24 orët e ardhshme situata do të jetë drejt përmirësimit, por duke pasur parasysh që dimri këtë vit ka ardhur i vonuar, strukturat operacionale dhe të gjithë shtabet e emergjencave duhet të qëndrojnë në gatishmëri, pasi pjesa e dytë e dimrit mund të priten reshje shiu të vazhdueshme e për rrjedhojë mund të ketë edhe pasoja. Por duke filluar nga dita e nesërme situata do të shkojë drejt përmirësimit. Por kjo nuk e krijon idenë që shtabet e emergjencave civile nëpër prefektura, në bashki dhe në të gjitha ministritë e linjës do të ulin gatishmërinë përkundrazi. Strukturat do të qëndrojnë të gatshme ashtu siç kanë qenë edhe gjatë kësaj të mërkure duke operuar, megjithëse situata ishte e shtrirë në disa qarqe si në Dibër në zonën e Bulqizës, në Lezhë, në Tiranë, në Shijak, Elbasan, në Vlorë, mund të themi se pothuajse në të gjithë Shqipërinë. Për këtë arsye mund të themi se kemi kaluar një situatë të rëndë, por pa pasoja në jetë njerëzish dhe materiale. Ato që janë dëmtuar mund të themi se janë minimale.

Leave a Reply

%d bloggers like this: