Home / Ekonomia / Lushnje-Panariti: Po punohet për të riparuar argjinaturën në Shkumbin

Lushnje-Panariti: Po punohet për të riparuar argjinaturën në Shkumbin

Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, bëri të ditur se po bëhen të gjitha përpjekjet dhe po punohet intensivisht për të riparuar argjinaturën në Shkumbin, që u dëmtua rëndë paraditen e së enjtes nga presioni i madh i ujërave dhe reshjet e dëndura te shiut.

Në një komunikim telefonik nga zona Çermë e Lushnjes, ku po inspekton nga afer punimet për të përballuar situatën e dëmtimeve nga përmbytjet, ministri Panariti tha se argjinatura mund të bllokohet vetëm nga ajri, përmes përdorimit të helikopterëve për hedhjen e thasëve me rërë dhe blloqeve të betonit.

“Po bëjmë përpjekje maksimale për të bllokuar provizorisht çarjen e argjinaturës, për ta riparuar më vonë. E vetmja rrugë për të bllokuar argjinaturën është nga ajri, pasi bëhet fjalë për një rrip toke dhe është i pamundur bllokimi nga toka. Helikopterët duhet të hedhin thasë rëre dhe blloqe betoni për një mbyllje provizore. Hidrovori punon me kapacitet të plotë, por prurjet e ujit janë shumë të mëdha, pasi përveç prurjeve që vijnë nga shirat, është një prurje e paparashikuar nga prurjet e Shkumbinit, nga çarja e argjinaturës”, deklaroi Panariti.

Ministri bëri të ditur se “për dy-tre ditë do kemi një pauzë të reshjeve që do na lejojnë të riparojmë argjinaturën dhe investime të tjera suplementare në diga”.

Leave a Reply

%d bloggers like this: