Kosova

Kosovë: Kodi telefonik 383, do të ulë çmimet e shërbimeve

bbbSigurimi i kodit telefonik të Republikës së Kosovës, nga muaji mars, ashtu siç kanë premtuar zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, do të sjellë përfitime të mëdha ekonomike dhe shërbime cilësore dhe më të lira për konsumatorët. Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, tashmë ka deklaruar se Austria të hënën ka aplikuar në Organizatën Ndërkombëtare të Telekomunikacionit (ITU) për kodin telefonik të Kosovës, në pajtim me marrëveshjen e Brukselit për telekomunikacion. Kodi telefonik i Kosovës do të jetë 383 dhe marrja e këtij kodi, sipas saj, i mundëson Kosovës njohje dhe sovranitet ndërkombëtar në fushën e telekomunikacionit.

Ndryshe, në Kosovë ekzistojnë tre operatorë të telefonisë mobile dhe fikse, të cilët shfrytëzojnë kode të huaja ndërkombëtare. Telefonia mobile “Vala” shfrytëzon kodin e Monakos (+377), ajo e IPKO-s kodin e Sllovenisë (+386), kurse telefonia fikse shfrytëzon kodin (+381) të Serbisë, e për të cilat Kosova duhet të paguajë kosto të lartë të shpenzimeve. Për përfitimet që do të sjellë kodi telefonik tregon edhe drejtori teknik i Telekomit të Kosovës, Mehdi Latifaj. Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë ai shpjegon se në mungesë të kodit telefonik, kjo kompani për çdo vit i ka paguar për shfrytëzim të kodit 3 milionë euro Telekomit të Monakos, kurse për humbjet komerciale deri në 6 milionë euro.

Përveç përfitimeve komerciale, Latifaj thotë se përfitimet do të jenë të mëdha edhe në aspektin strategjik. “Kjo ndërlidhet me mundësinë që i krijohet Telekomit të Kosovës për të arritur marrëveshje komerciale me operatorët në gjithë botën për shërbim të trafikut dhe roamingut”. “Në aspektin strategjik, do ta trajtoja edhe çështjen e lehtësimit të jetës së qytetarëve, duke e bërë shumë më të thjeshtë gjendjen aktuale, kur jemi duke operuar me tre kode telefonike, me vetëm një kod telefonik unik në gjithë territorin e Kosovës”, tha Latifaj

Sipas Qeverisë, kostot e përgjithshme të shkaktuara deri më tani nga mungesa e kodit telefonik kanë arritur shifrën në mbi 200 milionë euro. Edhe ekspertë për çështje të telekomunikacionit pohojnë se më sigurimin e kodit telefonik, operatorët e telekomit nuk do paguajnë shuma milionëshe për shfrytëzimin e kodeve të huaja. Agron Dida thotë se shpenzimet e operatorëve të telekomit do të zvogëlohen dhe në këtë mënyrë mund të investojnë në shërbime të reja. “Kontrata për shfrytëzim të kodit të Telekomit të Monakos ka qenë shumë e dëmshme për Kosovën. Largimi i kësaj kontrate konsiderohet sukses dhe përparim. Kështu që kur kostoja e shpenzimeve të kompanive zvogëlohet, normal se ulen edhe çmimet e shërbimeve për konsumatorë. Edhe konkurrenca kohën e fundit është duke u zhvilluar mirë në tregun e telekomit“,ka thënë Dida. Edhe Mehdi Latifaj thotë se kodi siguron tarifa më të lira dhe shërbime më cilësore për konsumatorët.

“Automatikisht Telekomi i Kosovës mund të arrijë marrëveshje bilaterale me operatorë të ndryshëm nëpër botë. Kjo neve na sjellë para një situate që të kemi fleksibilitet shumë më të madh, që të ofrojmë edhe tarifa më të volitshme për konsumatorët tanë, për thirrjet ndërkombëtare, për tarifat e roamingut e kështu më radhë”, tha Latifaj. Ndryshe, Kosova nuk do të ketë obligime financiare ndaj Austrisë për këtë shërbim, ngase në dialogun e Brukselit ishte paraparë që një vend i Bashkimit Evropian të aplikonte për Kosovën. Austria kishte dalë si vullnetare për ta ndihmuar Kosovën në këtë fushë.  Kosova nuk ka të drejtë të aplikojë në Organizatën Ndërkombëtare të Telekomunikacionit për shkak se nuk është anëtare në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button