Home / Bota / Amerika / Ndalimi i armëve, Obama kërkon ndihmën e amerikanëve

Ndalimi i armëve, Obama kërkon ndihmën e amerikanëve

Presidenti amerikan, Barack Obama ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për të vënë në zbatim ato që i quan “masa praktike” për frenimin e dhunës së shkaktuar nga armët e zjarrit.

Shtrirja e dorës drejt qytetarëve nga ana e Shefit të Shtëpisë së Bardhë është bërë për t’iu kundërvënë republikanëve që kontrollojnë Kongresin e që kundërshtojnë nismën e Obamës.

Gjatë një takimi që pati Virginia, Obama u përqendrua në sqarimin e masave në çështjen e debatueshme se sa larg duhet të shkojë qeveria në masat për të kufizuar armët e zjarrit. Obama tha se qeveria mund të bëjë më shumë dhe pa e shkelur të drejtën kushtetuese të amerikanëve për të mbajtur armë.

“Unë respektoj Amendamentin e Dytë, por të gjithë ne mund të pajtohemi se është e logjikshme të bëjmë gjithçka mundemi për të mbajtur larg armët nga duart e njerëzve që duan t’u bëjnë keq të tjerëve”, u shpreh ai.

Masat e shpallura nga presidenti gjatë një fjalimi të martën në Shtëpinë e Bardhë anashkalojnë Kongresin e kontrolluar nga republikanët, të cilët këmbëngulin se urdhri ekzekutiv i shefit të Shtëpisë së Bardhë shkon përtej autoritetit të tij. I ashpër në reagim, kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan tha se masat e Obamës minojnë lirine e individit dhe do të sfidohen në sallën e gjyqit.

Nisma e Obamës parashikon zgjerimin e kontrolleve mbi të kaluarën e atyre që blejnë armë, zbatimin më të efektshëm të ligjeve mbi armëmbajtjen, shtimin e masave sa i takon shendetit mendor dhe zgjerimin e studimeve në teknologjinë e sigurisë së armëve. Çdo vit, kujtoi presidenti, në Shtetet e Bashkuara nga armët humbasin jetën mbi 30 mijë njerëz, duke përfshirë këtu edhe vetëvrasjet, shifër kjo goxha më e lartë se në vende të tjera të zhvilluara të botës.

Në fjalimin e tij të ngarkuar me emocione, Obama akuzoi lobin e fuqishëm të armëve se po mban peng vendin e i perlotur risolli në kujtesë masakrën e 2012-ës në shkollën fillore Sandy Hook, ku u vranë 20 fëmijë e 6 të rritur.

Në Amerikë shitjet e armëve janë shtuar këto 12 muajt e fundit. Sipas Byrosë Federale të Hetimit, gjatë 2015-s kanë blerë armë më shumë njerëz se më parë, ndërsa kontrollet për të kaluarën e blerësve janë shtuar me 10 përqind, duke arritur në 23 milionë, çka përbën shifrën më të lartë qëkur FBI-ja filloi të mbajë statistika për blerjet e armëve në vitin 1998.

Leave a Reply

%d bloggers like this: