Home / Keshilla / Mesvaktet cilësore për pasditet dimërore

Mesvaktet cilësore për pasditet dimërore

Kur jashtë temperaturat zbresin shumë, rritet dëshira për të ndenjur në shtëpi dhe përse jo, për të gatuar më shumë. Ndër klasiket e këtij sezoni janë mesvaktet: për ata që janë me fat (që nuk shëndoshen), mund t’i shijojnë çdo ditë, përndryshe vetëm në fundjavë. Por shpeshherë flitet për rëndësinë e të ngrënit të diçkaje të vogël në mes të vakteve, për të qëndruar në formë dhe për të marrë energjitë e nevojshme: në dimër, kjo gjë është edhe më e rëndësishme. Sipas “Tgcom24”, inspirimi vjen nga tradita, nga e kaluara dhe ka “aromën” e qumështit me kakao, kafes, tortave të thjeshta etj.

Qumështi, kakao dhe tortat më të thjeshta

Kthehuni fëmijë duke u bashkuar me të vegjlit tuaj për të konsumuar së bashku minivaktet. I pamungueshëm është qumështi me kakao ose dhe me çokollatë, me cilësi të mirë ama! Nëse minivakti është special, atëherë mund të pini vetëm qumësht, sigurisht me shije të vërtetë dhe paksa kremoz. Ndërsa kakaon duhet ta zgjidhni me patjetër të hidhur (lejohet ta ëmbëlsoni vetëm me një kubik të vogël sheqer dietik).

Për ata të cilët janë intolerantë nga qumështi, perfekt është qumështi vegjetal, por gjithsesi i ëmbël: ai i bajameve, ndoshta është zgjedhja e duhur. Si shoqëruese mund të zgjidhni një tortë të bërë nga vetë ju në shtëpi. Në fakt, tortat që mund të shkojnë më mirë me qumështin dhe kakaon janë “donut” (petull e ëmbël në formë gurabije) dhe torta me mollë. Por nëse keni dëshirë për një ushqim më të lehtë, këto lloj petullash mund t’i përgatisni duke përdorur kos ose vaj vegjetal në vend të gjalpit.

Ora e çajit, mos harroni biskotat!

Një minivakt shumë i çmueshëm, pothuajse për të gjithë, është edhe çaji. Akoma më shumë për femrat, të cilat duke e shijuar nën shoqërinë e nënës, gjyshes, të afërmeve apo mikeshave, ndajnë edhe biseda të ndryshme. Para së gjithash, për çajin ekziston le të themi një orar preciz: padyshim, ora pesë e pasdites. Ndër të tjera, është e rëndësishme që të ftuarave t’i ofroni një sërë çajesh, në mënyrë që ato të zgjedhin më të preferuarin.

Akoma më mirë nëse janë në formën e bustinave për t’u vendosur brenda filxhanëve prej porcelani, ku shija mund të bashkohet edhe me estetikën. Së bashku me çajin shërbehen edhe biskota me gjalpë të bëra në shtëpi ose të blera posaçërisht në pastiçeri. Një alternativë janë edhe kulaçet angleze (lloj petullash të mbushura me reçel ose fruta të thata), të cilat mund të shoqërohen me kremin e duhur ose marmelatë prej boronice.

Nëse keni dëshirë, në orën e çajit, mund të “luani” edhe me dekorimet. Mjafton pak fantazi për t’u ndier sa më mirë gjatë pushimit të pasdites. Kështu, mund të shijoni gjëra të thjeshta, por të cilat mbeten të paharrueshme për nga ndjesia e bukur që falin.

Zupa dhe biskotat në formë flete

Ky është një minivakt, i cili duhet konsumuar shumë nga mosha e tretë. Për më tepër, është perfekt kur jashtë bën ftohtë dhe ju keni nevojë për energji të shtuara. Për të shërbyer një zupë perfekte, është e nevojshme të mbështeteni te receta tradicionale, duke përdorur vetëm vezë të freskëta dhe të cilësisë së parë. Së bashku me tasin e zupës, perfekte janë edhe biskotat fletë (ndryshe quhen gjuhë maceje. Janë të buta si një kek).

Tiramisu, në dy versione

Kur kaloritë janë një çështje që duhen shtyrë, mesvakti mund të marrë “formën” e një tiramisuje të shijshme. Kafe, biskota të gjata “Savoiardi”, djathë “Mascarpone”, vezë dhe sipas disa recetave, edhe krem pana. Për fëmijët, versioni i recetës klasike mund të ndryshohet duke i spërkatur biskotat me lëng portokalli. Ju bëftë mirë dhe gati për pasditen tani!

Leave a Reply

%d bloggers like this: