Ekonomia

A duhet të shqetësohemi për ekonominë shqiptare? Krahasimet me Greqinë

aaaNga Dr. Bujar Leskaj

Ka një ngjashmëri të ecurisë së tregueseve bazë të cenueshmërisë mes Shqipërisë dhe Greqisë. Ndonëse niveli i përkeqësimit të këtyre treguesve në Shqipëri është dukshëm më i ulët se sa në rastin e Greqisë, kjo nuk na heq nga përgjegjësia për të riparë me kujdes kohë pas kohe këta tregues, me synim përmirësimin e tyre. Tetë vjet pas pikasjes së krizës bankare në SHBA dhe shndërrimit të saj në një krizë financiare dhe ekonomike globale që preku ndjeshëm dhe vendet e kontinentit europian, ndihet ende prezenca e saj. Për pjesën më të madhe të ekonomive ndihen pasojat e saj, sidomos në sektorin bankar dhe financiar. Një pjesë tjetër, siç është Greqia, nuk kanë dalë krejtësisht prej saj dhe po përpiqet të stabilizojë financat e vendit dhe krejt ekonominë pas krizës së thellë të borxhit që përjetoi.

Rrethanat ekonomike gjatë krizës

Sipas të dhënave statistikore të Bankës Botërore, që prej vitit 2007, ekonomitë e Bashkimit Europian ranë nga një nivel rritjeje prej 3.1% në një recesion -4.4% në vitin 2009, për t’u stabilizuar në një nivel 1.4% në vitin 2014. Ekonomia greke ra nga një nivel rritjeje ekonomike prej 3.5% në vitin 2007 në disa vite recesion, ku kulmin e arriti në vitin 2011, në një nivel prej -8.9% dhe vetëm në vitin 2014 shënoi për herë të parë rritje pozitive ekonomike në masën modeste prej 0.8%. Për të njëjtë periudhë, ecuria është më pozitive për ekonominë shqiptare. Për fat të mirë është ruajtur niveli pozitiv i rritjes ekonomike. Në vitin 2007, niveli i rritjes ekonomike ishte 5.9%, duke kapur dhe nivelin 7.5% në vitin 2008. Pas këtij viti, ritmi i rritjes ekonomike u stabilizua me shenja rënëse, duke arritur në nivelin 1.9% për vitin 2014.

Parë në këtë këndvështrim ka arsye për të qenë “të qetë” lidhur me të ardhmen e ekonomisë shqiptare. Por rreziqet janë gjithnjë prezente. Të stabilizuara kanë qenë ekonomitë e BE-së para vitit 2007. Në dukje e stabilizuar ka qenë dhe ekonomia greke përgjatë asaj periudhe. Ajo çka duket në parametrat bazikë të rritjes ekonomike duhet parë në detaje për të matur më mirë nivelin e riskut real për një ekonomi.

Treguesit e cenueshmërisë (FMN) – Shqipëria 2010-2014

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka përcaktuar disa tregues ekonomikë të cilët demonstrojnë nivelin e cenueshmërisë së një ekonomie nga krizat e mundshme. Sipas përcaktimeve të FMN-së, treguesit e cenueshmërisë janë një grup parametrash dhe raportesh, të cilët i shërbejnë këtij institucioni gjatë mbikëqyrjes dhe këshillimit të vendeve anëtare dhe sidomos atyre vendeve me ekonomi në zhvillim, siç është Shqipëria. Këta tregues lidhen me nivelin e investimeve në ekonomi, nivelin e borxhit të jashtëm dhe stokut të borxhit, të ardhurat tatimore, rezervës valutore, etj.

Në vijim janë paraqitur treguesit bazë të cenueshmërisë për 5 vitet e fundit 2010-2014, duke përdorur të dhënat bazë për ekonominë shqiptare të pasqyruara në Raportet Statistikore të Bankës së Shqipërisë. Këta tregues masin nivelin e ekspozimit të ekonomisë ndaj borxhit dhe në krizë të mundshme borxhi.

Treguesi i parë – Investimet e huaja

Dy burimet bazë të financimit të ekonomive të zhvilluara dhe sidomos atyre në zhvillim janë (1) huamarrja nga jashtë dhe (2) fondet që vijnë nëpërmjet investimeve të huaja. Sipas FMN, frenimi i investitorëve të huaj vlerësohet si një dobësi e vendeve në zhvillim që i bën ata më të ekspozuar ndaj një krize të mundshme financiare dhe ekonomike.

Investimet e huaja në ekonominë shqiptare për periudhën 2010-2014 kanë pësuar luhatje, duke shënuar rënie për dy vitet e fundit. Nga 923.2 milionë euro që ishin në vitin 2013, niveli i investimeve të huaja zbriti në 801.3 milionë euro për vitin 2014. Ky nivel i investimeve të huaja në vitin 2014 është pothuaj i barabartë me nivelin e vitit 2010. E thënë ndryshe, niveli i investimeve të huaja pothuaj nuk ka shënuar progres përgjatë 5 viteve të fundit. Përpos arsyeve që lidhen me krizën financiare dhe ekonomike mbarëbotërore, gjykoj se në nivelin e investimeve ndikon barra fiskale dhe ambienti investues në Shqipëri. Në këtë pikë, mendoj se duhet treguar një nivel i shtuar i përgjegjshmërisë për të llogaritur me kujdes pasojat që do të ketë në thithjen e investimeve të huaja zbatimi i paketës fiskale që miratoi Parlamenti për vitin 2016. Ekziston gjithnjë rreziku që synimi për të mbledhur më shumë të ardhura tatimore apo për të afruar nivelin e taksimit me vendet e zhvilluara mund ta bëjë vendin më pak tërheqës në raport me vendet e tjera të rajonit, duke dëmtuar jo vetëm sektorë të caktuar të ekonomisë por dhe vetë të hyrat publike në një shtrirje afatgjatë.

Treguesi i dytë – Borxhi publik i jashtëm

Borxhi publik i jashtëm mat cenueshmërinë e ekonomisë së vendit nga flukset dalëse të fondeve. Për këtë parametër llogariten tre raporte të cilët shërbejnë secili si një tregues sinjalizues për ekspozimin e ekonomisë ndaj risqeve të mundshme.

Raporti i parë është raporti i borxhit të jashtëm ndaj eksporteve (Borxhi i jashtëm/Eksporte).

Sipas përcaktimeve të FMN-së, ky raport është tregues i dobishëm i tendencave të ekonomisë së një vendi lidhur me borxhet. Sa më i ulët ky raport, aq më të vogla janë detyrimet e një vendi dhe më i ulët ekspozimi ndaj një krize të borxhit. Ky parametër është përkeqësuar gjatë 5 viteve të fundit, duke u rritur nga 3.35 në vitin 2010 në 3.65 për vitin 2014. Përkeqësimi i këtij raporti ka ndodhur edhe pse eksportet janë rritur. Kjo ka ardhur si pasojë e një rritje më të lartë të borxhit të jashtëm, sidomos nga viti 2013 në vitin 2014, në masë 7.91% (nga 6,177.4 milionë euro në 2013 në 6666.0 milionë euro në 2014)

Raporti i dytë është raporti i borxhit të jashtëm ndaj Produktit të Brendshëm Bruto (Borxhi i jashtëm/PBB).

Sipas FMN-së, ky është një tregues i dobishëm që mat kapacitetin e ekonomisë së një vendi për të shlyer borxhe. Një ekonomi me një nivel të lartë të këtij raporti ka më pak kapacitete për të shlyer detyrimet, rrjedhimisht është më e ekspozuar ndaj krizave të mundshme të borxhit. Në rastin e Shqipërisë, ky raport ka pasur tendenca përkeqësimi me një ritëm të shtuar në dy vitet e fundit, duke u rritur nga 0.64 në 0.69. Kjo vjen për shkak se në vitin 2014, borxhi i jashtëm është rritur me një ritëm më të lartë se sa PBB. Kështu në vitin 2014, PBB ka një rritje të përllogaritur prej 1.04%, ndërkohë që borxhi i jashtëm është rritur me 7.91%.

Raporti i tretë është raporti i borxhit të jashtëm ndaj të ardhurave tatimore (Borxhi i jashtëm/Të ardhura tatimore).

Sipas FMN-së, ky raport është veçanërisht e rëndësishëm për të vlerësuar kapacitetin e të ardhurave publike në riparimin e borxhit. Për ekonominë shqiptare, ky raport ka shfaqur tendenca përkeqësimi përgjatë gjithë periudhës 2010-2013. Të ardhurat tatimore kanë shënuar rritje të lehtë krahasuar me rritjen e borxhit të jashtëm, pasojë e së cilës është përkeqësimi i vazhduar i këtij treguesi, i cili është rritur nga 1.87 në vitin 2010 në 2.78 në vitin 2014. Edhe pse rritja ekonomike e Shqipërisë ka qenë pozitive dhe në nivele të kënaqshme krahasuar me vendet e rajonit, ky raport ka ardhur në rritje, për shkak të rritjes në nivele të larta të borxhit të jashtëm, sidomos gjatë tre viteve të fundit. Kjo natyrisht rrit ekspozimin e ekonomisë shqiptare dhe e bën atë më të cenueshme ndaj një krize borxhi.

Treguesi i tretë – Rezervat

Për një shtet në tërësi është i rëndësishëm niveli i rezervave valutore që disponon. Niveli i rezervave valutore jo domosdoshmërisht është në parametër domethënës. Shtete të ndryshme, në varësi të nivelit të tregtisë dhe borxhit, mbajnë nivele të ndryshme të rezervave valutore në bankat e tyre qendrore. Ajo që është e rëndësishme lidhet me nivelin e garancisë që rezervat valutore të një vendi ofrojnë për shlyerjen e borxhit të jashtëm afatshkurtër. Për këtë arsye llogaritet raporti i rezervave valutore ndaj borxhit të jashtëm afatshkurtër (Rezerva valutore/Borxhi i jashtëm afatshkurtër). Sipas FMN-së, ky raport është çelësi për të vlerësuar cenueshmërisë e vendeve me akses të rëndësishëm, por të pasigurt në tregjet e kapitalit. E tillë është dhe Shqipëria si vend i vogël me stok borxhi në rritje. Nga të dhënat për pesë vitet e fundit vërej se ky raport ka shënuar rënie (përkeqësim) të dukshëm. Nga 4.63 herë që ishte në vitin 2010, ky raport ka rënë në 1.76 herë në vitin 2014. Shkak i kësaj rënieje ka qenë rritja me gati 3 herë e borxhit të jashtëm afatshkurtër përgjatë 5 viteve, edhe pse rezervat valutore kanë qenë në rritje përgjatë kësaj periudhe. Nga 1.9 miliardë euro që ka qenë borxhi i jashtëm afatshkurtër marrë kryesisht nga bankat dhe institucione të tjera private në vitin 2010, ky parametër u rrit në mënyrë të vazhduar, duke arritur në rreth 2.2 miliardë euro në vitin 2014.

Skenari grek si një barrierë

Nga analiza e treguesve të cenueshmërisë së një ekonomie nga kriza, të përcaktuar nga FMN, vërehen tendenca, të cilat kanë ngjashmëri me ecurinë e të njëjtave parametra në vitet e krijimit të bazave për krizën greke. Niveli i borxhit në rritje dhe kapacitetet ekonomike për shlyerjen e borxhit në përkeqësim janë një e përbashkët mes Shqipërisë së viteve 2010-2014 me Greqinë e viteve 2005-2009. Nëse të njëjtat parametra të cenueshmërisë i analizojmë dhe për ekonominë greke për vitet 2005-2009, do të arrijmë rezultate të ngjashme. Për ekonominë greke kam zgjedhur këtë periudhë, për shkak se 2005-a është vlerësuar si viti i shfaqjes së shenjave të krizës dhe viti 2009 si vit i shpalljes së krizës së borxhit dhe krizën ekonomike në Greqi (stanjacion). Natyrisht që treguesit janë vënë përballë, jo për të hequr një paralele për pasoja të njëjta. Qëllimi është të vlerësojmë rëndësinë e treguesve të cenueshmërisë të FMN-së, përkeqësimi i të cilëve e ka paralajmëruar krizën greke që në vitin 2006.

Analiza e të njëjtëve tregues për ekonominë shqiptare vlerësojmë se duhet të shërbejë si një sinjal që tregon orientimin e ekonomisë ndaj një niveli në rritje të ekspozimit të një krize të mundshme. Shpresoj që këta tregues të shërbejnë sa më shumë në marrjen e masave të duhura për një riorientim të politikave ekonomike në shmangie të një krize ekonomike.

Nga të dhënat për të dyja vendet në kohë të ndryshme mund të gjykoj për një ngjashmëri të ecurisë së tregueseve bazë të cenueshmërisë mes Shqipërisë dhe Greqisë. Për fat të mirë, niveli i përkeqësimit të këtyre treguesve në Shqipëri është dukshëm më i ulët se sa në rastin e Greqisë. Duke analizuar në veçanti disa tregues, mund të themi se:

Së pari, rënia e investimeve të huaja është një fenomen shqetësues për një ekonomi në zhvillim. Ndryshimet e shpeshta dhe në drejtimin rritës të tatimeve dhe taksave rrezikojnë të dekurajojnë investitorët e huaj duke rritur mundësinë e përkeqësimit të këtij parametri ekonomik.

Së dyti, parametrat bazë të borxhit janë në përkeqësim njësoj si ekonomia greke e viteve 2005-2009. Niveli i përkeqësimit është dukshëm më i ulët, por kjo nuk na heq nga përgjegjësia për të riparë me kujdes kohë pas kohe këta tregues, me synim përmirësimin e tyre.

Dhe së treti, borxhi i jashtëm është rritur vazhdimisht me një ritëm të shtuar në vitin 2014, kur u rrit me 488 milionë euro ose 7.51% më shumë se viti 2013. Ky zhvillim, nëse nuk ndërpritet dhe përmirësohet, mund të rrisë dukshëm riskun e borxhit të jashtëm për ekonominë shqiptare.

I vetëdijshëm se vlerat e këtyre treguesve në rastin e Shqipërisë janë larg vlerave të ekonomisë greke, ngre shqetësimin për një kujdes të shtuar lidhur me borxhin dhe veçanërisht borxhin të jashtëm. Tendencat aktuale të këtyre parametrave janë shqetësuese, por më shqetësues do të ishte nëse kjo tendencë do të vazhdojë dhe në vitet e ardhshme, duke rritur ekspozimin e ekonomisë shqiptare ndaj një krize ekonomike apo/dhe krize borxhi.

Gjithashtu, duke analizuar dhe parametrat e tjerë bazë të ekonomisë shqiptare, vërejmë se ekonomia ka nevojë për flukse likuiditeti për shkak se ka shfaqur shenja të një rritjeje të ndjeshme të borxhit të jashtëm afatshkurtër të bankave dhe kompanive në sektorë të tjerë të ekonomisë.

Së fundmi, një ekonomi e lodhur nga pamundësia e shlyerjes së taksave shoqëruar me rritjen e nivelit të borxhit publik dhe stanjacionin e investimeve të huaja dhe vendase përbën një rrethanë, e cila nuk duhet përjashtuar. Një situatë e tillë do të ishte një rrezik për një krizë të borxhit publik dhe krize ekonomike.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button