Kosova

Kosovë- Protesta e opozitës, qytetarët mblidhen në shesh

bProtestuesit e thirrur nga opozita janë mbledhur te Biblioteka Kombëtare në Prishtinë për të nisur pas pak protestën e paralajmëruar kundër qeverisë për marrëveshjen e firmosur në Bruksel me Serbinë kundër Asociacionit të komunave serbe, si dhe demarkacionit me Malin e Zi.

Ata mbajnë në duar edhe harta që tregojnë për territorin që pretendojnë që qeveria do t’ia jap Malit të Zi. Ndërsa, qeveria e Kosovës nga mbledhja e pasdites së djeshme, e dyta brenda ditës, u ka bërë thirrje partive politike të opozitës që, “protestën e paralajmëruar për të shtunën në Prishtinë, ta organizojnë në mënyrë të qetë dhe paqësore”.

Herën e kaluar, në 28 nëntor, në manifestimin e opozitës në Prishtinë sipas vlerësimeve të saj ishin 35 mijë pjesëmarrës.

Në kundërshtim të katër marrëveshjeve të 25 gushtit 2015 me Serbinë, veçanërisht asaj për asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, si dhe të marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, tre subjektet opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë dhe Nisma, me gjithësej 31 deputetë në parlamentin 120 anëtarësh, kanë organizuar protesta, aksione simbolike e manifestime, si dhe kanë bllokur Kuvendin e Kosovës edhe me hedhje gazi lotsjellës në sallën e seancave plenare e jashtë saj, ndërsa në këto zhvillime kishte edhe të arrestuar, përfshirë deputetë opozitarë.

“Numri total i deputetëve opozitarë të arrestuar në datën 14 dhjetor është nëntë, ndërsa numri total i deputetëve të arrestuar është 13”, theksonte në një njoftim Lëvizja Vetëvendosje në mesnatën e mesit të dhjetorit 2015, ndërkohë që Kuvendi i Kosovës, në orët e vona të natës kishte mbajtur seancë në sallë alternative, derisa deputetët e opozitës kishin qëndruar në sallën plenare, të cilën, sipas diskutimeve të pozitës, e kishin uzurpuar dhunshëm.

Në 23 dhjetor 2015, Gjykata Kushtetuese, pas kërkesës që i është bërë nga Presidentja e Republikës të vlerësojë përputhshmërinë e dokumentit të emërtuar “Asociacioni/Bashkësia e komunave me shumicë serbe në Kosovë – parimet e përgjithshme/elementet kryesore”, ka vendosur se, “këto Parime nuk janë tërësisht në përputhje me standardet kushtetuese përkatëse dhe ka konkluduar se akti ligjor i qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Statuti duhet të jenë në përputhje”.

Pas këtij vendimi, qeveria e Kosovës ka siguruar se, “i tërë procesi dhe çdo akt juridik për të finalizuar asociacionin e komunave me shumicë serbe do bëhet duke u bazuar dhe respektuar konkluzionet e Gjykatës Kushtetues” dhe se “edhe Statuti i asociacionit do dërgohet në Kushtetuese”.

Në 21 dhjetor 2015, qeveria kosovare deklaronte se, “shpreh mirënjohje për punën verifikuese dhe përshëndet deklaratën e Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës lidhur me Raportin për Demarkacionin e Kufirit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi”.

“Duke pasur parasysh përkrahjen e jashtëzakonshme e të gjithanshme të SHBA-ve për Kosovën, si dhe rishikimin e detajuar të vijës kufitare nga ana e Departamentit të Shtetit, qeveria e Kosovës konsideron se qëndrimi i Departamentit Amerikan të Shtetit dëshmon se procesi i shënimit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi është kryer në përputhje me të gjitha aktet juridike dhe realitetin faktik në terren”, theksonte deklarata.

Para protestës së sotme në Prishtinë, liderët e opozitës kanë deklaruar se, “në 9 janar është dita e protestës gjithëpopullore, kundër marrëveshjeve të dëmshme dhe të rrezikshme që i ka nënshkruar qeveria e Kosovës dhe kundër shkelësve të Kushtetutës” dhe se, “qytetarët do të bëhen bashkë për ta kërkuar sovranitetin e vendit”.

“Të protestojmë për anulimin e marrëveshjeve të dëmshme dhe të kërkojmë llogaridhënie nga ata që e shkelën Kushtetutën”, ka bërë thirrje opozita.

Në një deklaratë, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se, “lidhur me protestën e paparalajmëruar në bazë të ligjit mbi tubimet publike, të organizuar nga tre partitë opozitare, me kohë ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme duke hartuar planin operativ”.

Policia e Kosovës “apelon tek të gjithë qytetarët që të jenë të kujdesshëm dhe të përmbahen nga çfarëdo veprimi i dhunshëm, i cili mund të shkaktojë pasoja në vetë protestuesit dhe tek zyrtarët policorë, të cilët do të kujdesen për rend dhe siguri publike”

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button