Opinion

Ju jeni problemi më i madh i Kosovës

Nga Rexhep Qosja

Protesta e 9 janarit ishte një protestë e madhe, historike, me pjesëmarrje masive edhe të të papartishmëve, e organizuar prej tri partive opozitare; prej Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Vetëvendosjes dhe Nismës, me të cilën u bënë përpjekje që të ndërpritet shkelja e këtyre parimeve dhe e vlerave demokratike. Mjerisht, koktejet e Molotovit dhe autoblindat e policisë i qitën hije, të shpresojmë vetëm përkohësisht, qëllimit dhe kuptimit larghedhës të protestës.

Gjykata Kushtetuese e shpalli të papajtueshme me frymën e Kushtetutës së Kosovës e kjo domethënë me parimet qendrore të saj, Marrëveshjen për Krijimin e Bashkësisë së Komunave Serbe, por qeveria e Kosovës, që e nënshkroi këtë marrëveshje, po e shpërfill vendimin e gjykatës.

Pjesa më e madhe e popullit shqiptar të Kosovës, Marrëveshjen për Krijimin e Bashkësisë së Komunave Serbe dhe Marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi i priti si marrëveshje kundërkombëtare, fort të dëmshme për të sotmen dhe të ardhmen e Kosovës, kurse qeveria e Kosovës po bëhet e shurdhër ndaj vullnetit dhe zërit të popullit!

Duke e shpallur të papajtueshme me frymën e Kushtetutës së Kosovës, e kjo domethënë duke e shpallur të paligjshme Marrëveshjen në fjalë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës deshi s’deshi i dha të drejtë opozitës për protestat e saj shumëmujore në Kuvend dhe jashtë Kuvendit kundër këtyre Marrëveshjeve. Duke mos u pajtuar me dy marrëveshjet në fjalë pjesa më e madhe e popullit shqiptar i dha të drejtë opozitës për protestat e saj kundër këtyre dy marrëveshjeve.

Ata që e shpërfillën Vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe Vullnetin politik të pjesës më të madhe të popullit shqiptar të Kosovës ata po vazhdojnë të ushtrojnë funksionet e tyre si të ishte Kosova despoti orientale, në të cilën despotët s’duan të dinë as për Kushtetutë e as për Popull!

Ata që po e shpërfillin Vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe Vullnetin e pjesës më të madhe të popullit shqiptar të Kosovës, ata po vazhdojnë të ushtrojnë funksionet e tyre tashmë të paligjshme, kurse kryetarja e Kosovës po kërkon që për tejkalimin e krizës të bëhet dialog me një qeveri tashmë të paligjshme! Dhe, kështu edhe kryetarja e Kosovës, jo për herë të parë, po shkel vlerat dhe parimet demokratike!

Megjithëse Gjykata Kushtetuese e Kosovës e shpalli të papajtueshme me frymën e Kushtetutës së Kosovës Marrëveshjen për krijimin e Bashkësisë së Komunave Serbe dhe megjithëse pjesa më e madhe e popullit shqiptar të Kosovës i trajton kundërkombëtare, të dëmshme fort për të sotmen dhe larg më të dëmshme për të ardhmen e Kosovës marrëveshjet e sipërpërmendura, qeveria e Kosovës, me prokurorët dhe gjykatësit e saj politikë, vazhdon t’i mbajë në arrest deputetët e opozitës, duka ua cenuar atyre të drejtën politike dhe duke fyer kështu të gjithë ne, të tjerët, që kemi shpresuar se me pavarësinë e Kosovës nuk do pësojmë kurrë më arrestime politike!

Kjo nuk është Kosova për lirinë dhe pavarësinë e së cilës është bërë luftë! Kjo nuk është Kosova që e kemi ëndërruar. Kjo nuk është Kosova së cilës ia kemi kushtuar kush jetën, kush mendjen e kush pasurinë.

Por, nuk janë të gjitha këto të përmendurat këtu, të vetmet të këqija që po e dëshpërojnë dhe revoltojnë popullin e Kosovës.

Të këqija të tjera, të mëdha, që helmojnë jetën e njerëzve janë: korrupsioni i pështirë, krimi i organizuar, nepotizmi, papunësia e shumë e shumë qytetarëve si pasojë e korrupsionit, krimit të organizuar dhe nepotizmit me të cilat të këqija qeveria e sotme dhe paraardhëset e saj, si e tha një studiues amerikan, ka vënë kurorë politike e shtetërore! Nuk është, prandaj, vetëm Vendimi i Gjykatës Kushtetuese që e ka bërë të paligjshme qeverinë e sotme të Kosovës: të komprometuar, plotësisht të komprometuar, për veprimtari shtetërore këtë qeveri e bëjnë të gjitha këto të këqija bashkërisht.

Kriza politike dhe institucionale e Kosovës nuk do të kalohet pa u larguar kjo qeveri prej pushtetit! Me përgjegjësi të plotë u them atyre qeveritarëve: problemi më i madh i Kosovës jeni ju! Jeni ju: me tregtitë tuaja politike, me kapitalin tuaj të fituar duke qenë në pozita politike, me korrupsionin tuaj, me kapitalin dhe nepotizmin tuaj, me 70 dosjet tuaja, të cilat, fatkeqësisht, s’kemi prokurorë e as gjykatës që kanë guximin t’i trajtojnë!

Shteti i Kosovës nuk do të shërohet as në pikëpamje politike, as në pikëpamje shtetërore, as në pikëpamje morale pa u bërë beteja të organizuara politike, institucionale, shtetërore për parandalimin e të këqijave të sipërpërmendura që po nxisin gjithnjë e më shumë banorë të saj për të kërkuar shpëtim në vende të tjera.

Kosova nuk do të qetësohet derisa të jenë në pushtet këta që e kanë sjellë në gjendjen në të cilën është, këta të cilët, si u dëgjua prej një miku të Kosovës, më shumë i tuten gazit lotsjellës në Kuvend, se projektit të Serbisë për shtet të dytë serb në Kosovë, më shumë e konsiderojnë të dëmshëm efektin e gazit lotsjellës në Kuvend sesa humbjen e sovranitetit dhe kthimin e Serbisë në Kosovë!

Hapi i parë drejt këtij shërimi të Kosovës është largimi i qeverisë së atij, i cili me jetëshkrimin, me fjalët dhe me mendimin e tij na e sjell në kujtesë regjimin e para njëzet e pesë vjetëve! Por, në qoftë se nuk duan të largohen vullnetshëm ai dhe bashkësundimtarët e tij, demokracia europiane dhe ajo amerikane na mësojnë: Ata që me dhunë e mbajnë pushtetin, ata me dhunë duhet të dëbohen prej pushtetit!

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button