Opinion

Ditët e shpresës së madhe

Nga Vangjel Tavo

Data 31 tetor e vitit 1991 mbetet një datë e shënuar në jetën time. Së bashku me disa shokë të mirë, me zemrat plot me dëshirën për të ndryshuar vendin dhe për t’i shërbyer rinisë shqiptare, dolëm nga godina e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës me shkresën e firmosur nga ministri  i asaj kohe, Maqo Lakrori, për krijimin e Unionit Studentor. Ajo ishte një ditë e rëndësishme për studentët shqiptarë dhe ato ishin ditët e shpresës së madhe, të ëndrrës së madhe që Shqipëria kishte nisur rrugëtimin e pakthyeshëm drejt Europës.

Unioni Studentor u shtri në të gjitha universitetet e vendit dhe u bë zëri i shpresës. Ishte ajo shpresë dhe aspiratë e madhe e studentëve, e rinisë, dhe e të gjitha shtresave shoqërore që për dy dekada e gjysmë e ndërtuan këtë vend përmes punës, mundit, kurajës për të hapur biznese të vogla dhe të mëdha dhe emigracionit. Jo të pakta ishin trazirat, dhe jo i vogël destabiliteti politik, por me forcën e shpresës shqiptarët punuan dhe ngritën mirëqenien e tyre me dedikim ndaj punës, dhe edukuan fëmijët e tyre me frytet e duarve të tyre.

Me qindra mijëra shqiptarë emigruan në vendet fqinje, europiane, por edhe përtej oqeanit, duke i dhënë nder emrit shqiptar me shembullin e etikës së punës dhe dallimit në shkollat ku studionin në ato vende. Me të ardhurat e tyre ndihmuan në përmirësimin e standardit të jetesës te familjet e tyre në atdhe dhe kontribuuan në ekonominë e vendit. Remitancat luajtën një rol të rëndësishëm në zbutjen e papunësisë dhe të varfërisë përgjatë viteve të vështira të tranzicionit. Ajo ndikoi pozitivisht në rritjen e mirëqenies materiale. Dërgesat e emigrantëve shqiptarë kanë ndikuar në dhënien e një ndihme ekonomike të vlefshme jo vetëm për familjet e tyre, por edhe për stabilizimin socio-ekonomik të vendit në tërësi. Flukset e remitancave për Shqipërinë si një vend në zhvillim kanë qenë dy herë më shumë se ndihmesa që vendi ynë ka marrë për zhvillim. Për shumë vite me radhë, ato kanë tejkaluar dukshëm investimet e huaja direkte.

Përpjekjet e shqiptarëve që ndërtonin vendin e tyre nga brenda dhe ata rreth një milion të tjerët që kontribuonin nga jashtë shkruan historinë e shpresës së këtij vendi që nga fillimi i viteve ‘90 e deri më tani dhe u takon merita për zhvillimin e Shqipërisë.

Ato ditë të vitit 1991 ishin vitet e shpresës së madhe. Por edhe sot, në fillim të vitit 2016, po jetojmë ditët e një ëndrre edhe më të madhe që një ditë do të bëhet realitet, atë të anëtarësimit të Shqipërisë me të drejta të plota në BE. Për ta bërë këtë ëndërr realitet reforma në drejtësi dhe ekonomia duhet të jenë çështjet prioritare për këtë vit. Reformat janë instrumente për forcimin e shtetit ligjor, luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, përmirësimin e klimës së biznesit, dhe zhvillimin ekonomik.

Shpresa vazhdon të jetojë ende brenda zemrave të shqiptarëve, por Shqipëria ka nevojë për një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm dhe strategji afatgjata zhvillimi dhe punësimi, që mund ta përafrojnë standardin e jetesës së shqiptarëve me atë europian. Por për ta arritur këtë, përveç mundit të pareshtur të qytetarëve të thjeshtë, të cilët kanë meritat për zhvillimin e këtij vendi, lypset edhe mundi i politikës për të krijuar kushtet e duhura të stabilitetit politik dhe si rrjedhojë edhe atij ekonomik.

Çdo forcë politike ka mision të saj qeverisjen, por përtej kësaj ambicieje Shqipëria e kohëve moderne kërkon që interesat kombëtare të jenë përmbi ato partiake, dhe se e mira e një populli qëndron mbi aspiratat e çdo politikani. Dialogu, kontributi, qëndrimi konstruktiv, integriteti dhe retorika fisnike, na çojnë drejt një të ardhmeje më të sigurt dhe të begatë dhe të realizojmë plotësisht ëndrrat e rinisë së viteve ‘90 dhe t’u japim më shumë shtysë ëndrrave të brezit të tanishëm.

Duhet të jemi europianë në sjelljet dhe qëndrimet politike, në përballjet më të ashpra që lejon sistemi demokratik dhe filozofia e demokracisë liberale, por edhe vizionarë inspirues për edukimin e brezave të rinj, dhe racionalë në atë që shërben si themeli i çdo aspekti emancipues: ekonomia.

“Integrimi, integrimi dhe vetëm integrimi, ekonomik dhe politik” i Shqipërisë në përshtatje me filozofinë e shembujve europianë të punësimit, edukimit, turizmit dhe zhvillimit, duhet të jetë misioni i të gjithë politikës shqiptare. Ky mision do e ndihmojë rrugëtimin tonë kombëtar drejt anëtarësimit të plotë në BE.

Shqiptarët janë një popull liberator dhe me zemër europiane dhe pavarësisht çdo vështirësie ata nuk e braktisin shpresën ashtu siç nuk i braktisi ajo gjatë kapitujve më të errët të historisë së këtij vendi. Por ne kemi një detyrim ndaj brezit të viteve ’90, dhe një përgjegjësi edhe më të madhe ndaj brezit të tanishëm, i cili është modern në mentalitet dhe meriton punësim, mundësi, kushte edukimi dhe karriere, standarde jetese, shëndetësore dhe komunitare, po aq moderne sa bashkëmoshatarët e tyre europianë. Ndaj, le të shpresojmë që dekadat e shpresës së madhe, gjatë këtij viti që sapo ka filluar, të përmbyllen me realizimin e ëndrrës së Shqipërisë anëtare e familjes europiane dhe fillimin e një ëndrre të re.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button