Home / Ekonomia / Lotaria e kuponëve tatimor, sot afati i fundit i dorëzimit në zyrat postare

Lotaria e kuponëve tatimor, sot afati i fundit i dorëzimit në zyrat postare

Për të gjithë qytetarët, që kanë kryer blerje të ndryshme duke tërhequr kuponin tatimor, nga data 15 nëntor e deri në datën 31 dhjetor 2015, sot është afati i fundit për dorëzimin e tij për t’u bërë pjesë e lotarisë së parë fiskale në vend.

Rregulli i vendosur nga ministria e Financave përcaktonte që personat që duan të jenë pjesë e lojës duhet t’i mbledhin kuponët dhe t’i dërgojnë me zarf përmes Postës nga data 1 janar deri më 11 janar. Mbi zarf duhet shënuar nga vet individi që do të marrë pjesë në këtë lojë, numri total i kuponave brenda zarfit dhe vlera nominale totale e tyre.

Në zarf nuk mund të ketë më pak se 50 kupona dhe vlera nominale e tyre nuk mund të jetë më e vogël se 5000 lekë. Nuk ka kufizime në vlerën e kuponit, pasi interesi i ministrisë së Financave ishte të kapte çdo lloj kuponi.
Lotaria do të ketë mbi 500 çmime fituese, të ndara në dy grupe, si çmime të mëdha dhe ato më të vogla. Për grupin e parë, fituesit do të përcaktohen sipas një formule, që bazohet te vlera e kuponave në zarf dhe numri i tyre.

70 për qind e pikëve merren nga vlera e kuponave në zarf dhe 30 për qind nga numri i tyre. Në bazë të këtij vlerësimi pikësor do të bëhet edhe kategorizimi për çmimet. Çmimi i madh është mbi 1 milion lekë, që ndiqet nga 10 çmime pasuese me nga 100 mijë lekë.

Grupi i dytë, ai i çmimeve të vogla do të shpallet nga sistemi kompjuterik i Tatimeve, i cili përzgjedh automatikisht dhe në mënyrë rastësore “bar kodin” e zarfeve. Në këtë grup ka 200 çmime me vlerë 15 mijë lekë dhe 300 të tilla me vlerë 10 mijë lekë.

Shorti për lotarinë do të hidhet në datën 15 janar. Shorti i parë do të shërbejë si test, ndërkohë që ministria thotë se, lotaria do të vazhdojë edhe më pas, por me një formulë që mbetet ende për tu përcaktuar.

Leave a Reply

%d bloggers like this: