Kryeartikull

Ku ta gjej lirinë në vendin tim?

Zamira Çavo – Ne jemi skllevër. Na trajtojnë si skllevër. 25 vite më parë, kur kërkuam lirinë duke përmbysur diktaturën, ishim të ngazëllyer që “fituam lirinë”. Por që këtu u gabuam. Liria mbeti një iluzion, mbeti një fjalë e bukur për t’u thënë dhe një mashtrim e vetëmashtrim historik. Në 25 vite ne jetojmë me ëndrrën e lirisë, pa e ditur realisht çfarë është ajo në të vërtetë. Populli është skllav dhe politika e trajton atë si të tillë. Te ne, media është e skllavëruar, sepse gazetari vetë është i tillë dhe ne presim lirinë prej medias…

Parlamenti është i skllavëruar, sepse krimi nuk e lejon të veprojë në vullnetin e lirë. Partitë janë të skllavëruara nga politika e “njëshit”. Të gjithë i kemi sytë nga jashtë dhe harrojmë se, edhe në këtë rast, sërish shfaqim mungesën tonë të lirisë. Jemi skllevër të një vetëmashtrimi gjigant.

Por le ta analizojmë më me qetësi.

Dikush mund të thotë: po ja, ti që flet kështu a nuk je e lirë? Fjala e lirë a nuk është arritje e demokracisë? A mund të flisje kështu në kohën e Enverit?

Mua dhe disa të tjerëve si unë na ka mbetur vetëm fjala e “lirë”, të cilën po mundohemi (nuk e di dhe për sa kohë) ta themi aty ku gjejmë pak mundësi. Por ç’të bëj unë me fjalën e “lirë”? Çfarë mund të ndreq unë me këtë “liri”?

Të jesh i lirë do të thotë të kesh mundësi të shprehësh vullnetin tënd, pa asnjë trysni. Por në një shoqëri, ku rreth 37% janë në kufijtë e mbijetesës, as që mund të bëhet fjalë për të shprehur lirisht vullnetin tënd. Varfëria nuk shkon dot me demokracinë dhe të gjitha qeveritë, përfshirë dhe Rilindjen, nuk kanë lëvizur as majën e gishtit për të zbutur këtë varfëri. Përkundrazi, e kanë shtyrë vit pas viti edhe më shumë thikën në plagën e mbijetesës.

Është e dukshme që qeverisjet në vendin tonë nuk e kanë pasur asnjëherë në axhendën e tyre luftën kundër varfërisë. Kjo dëshmon se këto qeverisje nuk janë demokratike. Sot, teksa mburremi se po bëjmë shtet, harrojmë se në vend që të bëjmë më shumë për të zbutur varfërinë, shtojmë forcën për të nënshtruar njerëzit.

Varfëria është rreth vicioz. Ajo pjell vetëm varfëri. Dhe kur fjala është për bukën e gojës, nuk ka vend për lirinë. Dhe le të më thotë lexuesi se sa për qind e popullsisë sot është në zgripin e bukës së gojës, për të kuptuar se sa të skllavëruar jemi. Por kjo nuk do të thotë se jemi budallenj. Politika vërtet na ka skllavëruar dhe na trajton si skllevër, por besoj dhe shpresoj se ka ardhur koha që të mos na konsiderojë edhe si budallenj.

Rusoi, në kohën e tij teksa hidhte bazat e një të ardhmeje të re, thoshte:” Populli nuk mund të korruptohet, por mund të mashtrohet dhe atëherë duket sikur ai është bërë palë me të keqen”. Sot, Shqipëria duket sikur është zhytur në një hon të madh korrupsioni sa asnjë reformë drejtësie nuk shpresohet, asnjë politikan dhe institucion nuk besohet, madje edhe ndërhyrjet e ndërkombëtarëve shihen me dyshim dëshpërues.

Nga një sondazh me 350 studentë në vend, 97% e tyre nuk besojnë se do ketë një reformë në drejtësi. Sepse, sipas tyre, ata që do duhet të miratojnë reformën janë skllevër të krimit. Ata nuk janë të lirë të vendosin për të mirën publike. Për rrjedhojë, edhe nëse do ketë një “vullnet politik” për një reformë, produkti do jetë një meta-reformë, e cila më pas do të degradojë vetëm në fjalë të bukura për lirinë dhe barazinë e qytetarëve. Liria dhe drejtësia shkojnë krahas njëra-tjetrës. Në mendimin tim, aty ku nuk ka liri as që bëhet fjalë për drejtësi.

Ndaj e kuptoj drejt ambasadorin amerikan, kur thotë se SHBA-ja nuk do gjejë paqe pa bërë reformën në drejtësi dhe se do propozojë një këshill (ose komision) ndërkombëtar që ta ndjekë zbatimin e saj në vend. E kuptoj, por nuk arrij të besoj si jemi katandisur deri në këtë pikë. Si jemi kthyer në vitin 1912, atëherë kur nuk dinim të bënim shtetin që sapo e kishim krijuar dhe ndërkombëtarët na drejtuan me të tilla forma. Por sot, pas 104 vitesh, të kthehemi sërish në pikën e nisjes më duket një katastrofë që më bind se ne nuk kemi liri.

Përvojat botërore në kohëra të tilla kanë treguar se i vetmi ilaç për të shpëtuar veten dhe vendin është Populli! Shqipëria ka nevojë të ndihet e lirë e të sillet si e tillë.

Liria është përgjegjësi. Dhe unë besoj në forcën dhe mendimin e popullit. Ndaj, nëse i drejtohemi popullit për të zgjedhur Presidentin, për të zgjedhur Prokurorin e Përgjithshëm, madje të krijojmë edhe gjykatat popullore, nëse ngremë në këmbë komisionet qytetare për të bërë transparencën e pasurive të politikanëve (që duan të na konsiderojnë si budallenj, teksa rreken të na shpjegojnë se u ka rënë fati të martohen me gra të pasura), atëherë do të ndihemi të lirë.

Nëse presim që të zgjidhim problemin e varfërisë me këto specie qeverisjeje që kemi, them se duhet të jemi optimistë aq sa dikur Pashko Vasa: “Lum kush të rronjë, ta shohë zonjë”. Popujt edhe gabojnë. Dhe në këto 25 vjet ne kemi gabuar, por besoj shumë që tashmë kemi fituar aq përvojë sa të kuptojmë që lirinë nuk ta fal kush. Besoj kemi kuptuar që nuk duhet të vazhdojmë të ëndërrojmë më për liri, por ta realizojmë këtë. Populli është forca dhe te populli buron dhe liria.

Related Articles

Nje koment

  1. shume e sakte, por besimi te amerika ma duket i tepruar. Amerika thot shqipetaret te mos vjedhin, por une po. Kete drejtesi do edhe Amerika.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button