Libri

Marla Singer

Nga Darien Levani

Historia e letërsisë është patetikisht edhe histori dashurish e dashuriçkash, duke u nisur nga Zanafilla. Nuk e dimë nëse Adami e donte Evën apo, si të gjitha martesat me mblesëri, i zuri rrota bishtin e nuk kishte çfarë të bënte. Gilgameshi e donte mikun e tij, ama, po edhe Robinson Kruzo e dashuronte ishullin dhe Dorian Gray e donte pikturën. E gjithë letërsia, më duket, mundohet që të shpjegojë e të gërmojë në dashuri, secili sipas mënyrës së tij e gjithmonë në zhvillim e sipër deri në ditët tona.

Në një farë pike, nga mesi i viteve ’90, një botues amerikan lexon një dorëshkrim titulluar “Invisible Monsters”. Romani, që nuk është i keq, është i pabotueshëm. Shumë dhunë, homoseksualitet, cinizëm, humbje. Kur i komunikon autorit, i cili quhet Chuck Palahniuk, që libri i tij nuk botohet, sepse është shumë shqetësues, ky vendos që të shkruajë diçka që të jetë akoma më shqetësuese. Ka një farë ideje, sepse ka shkruar një tregim të shkurtër që flet për njerëz që rrihen me njëri-tjetrin pa asnjë arsye. Ulet e zhvillon më mirë dhe shkruan Fight Club, që akoma sot ngelet romani i tij më i mirë.

I gjithë romani, në thelb, është një festival dhune, humbje e proteste. Protagonisti apo Zëri Tregues, është një amerikan i bardhë me një punë e me një perspektivë të mirë ekonomike, por ka një problem të madh. Duke qenë se udhëton shumë nëpër kontinente të ndryshme, i gjithë sistemi i tij është i çakorduar dhe nuk arrin të flejë gjumë. Pagjumësia bëhet problem serioz dhe shkon te doktori duke u ankuar për vuajtjet. Doktori nuk e merr seriozisht. Nëse do të shikosh se çfarë është vuajtja e vërtetë, i thotë, duhet të shkosh në një takim me të sëmurë që po vdesin vërtet. Zëri tregues i romanit nuk ia bën fjalën dysh. Shkon në takimet me të sëmurë me kancer (Ngelemi burra së bashku) që flasin në një grup dhe tregojnë ndjenjat e tyre. Shkon në takime me parazitët cerebralë e shumë të tjerë. Ushqehet me dhembjen e tyre për dy vite. Sinqeriteti me të cilin tregojnë dhembjen është më mirë se çdo ilaç kundër pagjumësisë. Protagonisti është një mashtrues që nuk ka asnjë problem, por i pëlqen sinqeriteti me të cilin flasin të ftuarit e i pëlqen fakti që ka kafe falas. Hiqet sikur ka sëmundje në kocka, parazitë në tru, hiqet sikur ka tuberkuloz, parazite në gjak dhe demencë organike-cerebrale. Jeta është përsëri e bukur dhe gjithçka ka përsëri kuptim.

Derisa shikon Marla Singer. Marla Singer fillon të shfaqet në të gjithë grupet e tij, por ajo nuk ka tuberkuloz as ndonjë sëmundje tjetër. Marla Singer gënjen dhe prezenca e saj në grup është shqetësuese. Marla Singer gënjen, sepse është si Protagonisti. Marla Singer i kujton në çdo moment që edhe Ai po gënjen dhe fakti që ia kujton prish çdo ekuilibër që kishte krijuar. Marla Singer nuk është vetëm gënjeshtare, por edhe mashtruese. Protagonisti mundohet që të bjerë dakord me të: ti do të marrësh parazitët, unë do të mbaj tuberkulozin, do të ndajmë tumorin në stomak dy herë në muaj. Nuk do të takohemi më. Por Marla Singer është mashtruese dhe nuk e mban fjalën. Protagonisti shkon më tej, harron grupet e themelon Fight Club, që është akoma më mirë se terapia e grupit. Nis projektin Mayhem, majmunet e hapësirës e gjëra të tjera, për të cilat nuk po zgjatem, sepse duhet lexuar libri. Marla Singer nuk dëshiron më që t’i ketë grupet vetëm për veten, dëshiron urrejtjen e Protagonistit. Mbushet me Xanax e tenton që të vrasë veten një darkë, në të cilën nuk ka asgjë të bukur në televizor, deri diku si Nancy për të cilën na tregon Leonard Cohen. Vetëm se Marla Singer është aq e sjellshme sa të lajmërojë Zërin Tregues se bën vaki ai ka dëshirë që ta shikojë duke vdekur apo ta mbajë zgjuar gjithë natën, sepse nëse e zë gjumi, efekti i Xanax do të jetë më i fuqishëm e me siguri do të vdesë. Jo, Protagonisti nuk dëshiron as ta mbajë zgjuar as ta shikojë duke vdekur, faleminderit për lajmërimin sidoqoftë, po ashtu flasim. Pastaj, për arsye të tjera, Marla Singer shpëton dhe, po themi, “dashurohet” me Protagonistin, e herë pas here duken si një çift normal.

Vite pas botimit të librit, Fight Club do të themelohen kudo duke e bërë realitet fantazinë e shkrimtarit. Djem të pasur që kanë gjithçka në jetë do të masakrohen e po masakrohen pa pushim edhe tani, thjesht sepse nuk dinë mirë se çfarë duhet të bëjnë e se si t’i shpëtojnë diktaturës së realitetit apo ëndrrës amerikane. Ky, ama, në vetvete, nuk është një libër kundër kapitalizmit, por thjesht kundër një interpretimi të tij. Tamam-tamam, kundër atij, sipas të cilit duhen bërë shumë para, jo për të bërë diçka konkrete me to – kulturë, bamirësi, shkolla, spitale, kërkime shkencore – por për t’i investuar e për të bërë para të tjera. E nuk do të ishte keq sikur të përkthehej, sidomos në një shoqëri si kjo e jona, ku kalimi nga komunizëm në konsumizëm është kryer brenda natës.

Në këtë mes, Marla Singer është shpëtimi i vetëm i mundshëm i protagonistit. Megjithëse e gjithë historia e tyre lind e zhvillohet brenda një mashtrimi, është gjëja më e sinqertë e mundshme që u ka rënë për pjesë dhe e marrin me forcë. Këtu nuk bëhet fjalë për dashuri të mjaftueshme apo të pamjaftueshme të matur me aspiratat personale, as për dashuri që jeton, megjithëse të dashuruarit kanë humbur rrugën. Këtu nuk bëhet fjalë për dashuri si mënyrë kalimi të ndonjë pasditeje që nuk shtyhet, as si misioni i vetëm në jetë apo si mënyrë deformim realiteti. Këtu dashuria është një mënyrë për të mos qëndruar vetëm dhe një rezultat i paevitueshëm i së ardhmes. Është si e diela, bie fjala, që do s’do ti do vijë e s’mund të bësh asgjë për ta ndaluar. Nëse urrejtja/dashuria që kanë për njëri-tjetrin mund t’i shpëtojë apo jo, është pyetje pa përgjigje përfundimtare. E shyqyr që është kështu.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button