Home / Kryeartikull / Nevoja për reforma nuk ka se si të jetë alibi për të shkelur ligjet

Nevoja për reforma nuk ka se si të jetë alibi për të shkelur ligjet

MUSTAFA NANO

Mustafa-Nano-Pati një numër reagimesh ndaj shkrimit tim të mëparshëm lidhur me “KLD-në që ish, KLD-në që është e sistemin që mbetet” që më cysin ta vijoj diskutimin e nisur, i cili është, në të vërtetë, një diskutim që s’ka të sosur. Dhe kjo për një arsye shumë të thjeshtë: kriza e sistemit të drejtësisë është e thellë, shumë e thellë; prandaj, edhe shumë e dukshme. Ne mund të mos biem dakord mbi shumë gjëra, mes të cilave edhe mbi mënyrën se si mund të dilet nga kjo krizë, por që sistemi i drejtësisë është në një krizë të rëndë, për këtë nuk ka dyshime. Mund të ketë dhe struktura të tjera shtetërore apo publike që janë po njësoj në krizë, apo në një krizë po njësoj të rëndë (fjala vjen, mass-media, apo sistemi i partive, apo …), por çfarë bie më shumë në sy, e çfarë bart më shumë rreziqe, duket se është sëmundja e sistemit të drejtësisë. Prej këtu buron nevoja për të ndërhyrë. Fort. Urgjentisht.

Ka dy pyetje që lindin në këtë mes. E para: Si mund të besohet se këtë reformim të këtij sistemi mund ta bëjë klasa politike, apo një pjesë e kësaj klase, që ose është shkaktare e kësaj situate, ose është e interesuara më e parë që ky reformim të mos bëhet? Në fakt, këtu ka një problem. Ne kemi një klasë politike jo thjesht të inkriminuar, por në një masë të madhe edhe të kriminalizuar. Nga ana tjetër, një nga kutet, me të cilat mund ta matet eficienca e një sistemi drejtësie, është forca e aftësia e këtij sistemi për të vepruar kundër njerëzve me pushtet; më saktë, për të ngritur një padi kundër tyre e për t’i detyruar të mbrohen si njerëz të thjeshtë në sallat e gjyqeve. Po ribëj pyetjen, atëherë: A kanë interes eksponentët e një klase të tillë politike të ndërtojnë një sistem, në ingranazhet e të cilit do të ngelnin ata vetë? Përgjigjja është e qartë: Jo, nuk kanë interes.

Ne mund të merreshim pa fund me këto pyetje që e bëjnë gjendjen krejt të pashpresë, por kjo do të ishte e kotë për sa kohë nuk kemi një lojtar “rezervë” që do të mund ta bënte këtë punë. Kjo klasë politike mund të jetë edhe më e korruptuar se sa është, por ajo është e vetmja fuqi publike që ka legjitimitetin e nevojshëm për ta bërë këtë gjë. Ka fuqi të tjera publike që kanë autoritetin e duhur për të bërë të njëjtat reforma të nevojshme, madje për t’i bërë me një motivim shumë më të shëndetshëm e me një kompetencë shumë më të madhe (këtu mund të futeshin gjyqtarë të ndryshëm, intelektualë publikë, politikanë, ekspertë të fushës etj), por puna është se politikanët kanë legjitimitetin për ta bërë këtë reformë. Ata kanë votëbesimin e popullit shqiptar. Mirë do ishte që këta të fundit të kishin edhe autoritetin e duhur, që vjen prej frymëzimit moral e prej kompetencës profesionale, por ja që s’e kanë. Dhe kur vjen puna që na duhet të zgjedhim mes forcave që kanë autoritetet e atyre që kanë legjitimitet, ne nuk kemi rrugë tjetër, veçse të zgjedhim të dytët. Mbi këtë logjikë është ngritur ky sistem qeverisjeje. Ndryshe, do të mund të gjenim një zgjidhje që do të na ngushëllonte për momentin, por që do të na krijonte komplikacione të mëdha në të ardhshmen. Shkurt, detyrën për ta bërë këtë reformë e ka klasa politike. E prandaj, është e kotë, a e tepërt, që të ngrihen pyetje si ato të mësipërmet. Pyetje të tilla, në këtë diskutim që bëhet, janë moralizime që nuk ndihmojnë.

Pyetja e dytë ka të bëjë me një qëndrim që është vënë re të artikulohet tek-tuk kohët e fundit e që unë e cekja në fund të shkrimit paraardhës. Dikush në publik, e shumëkush në biseda private, duke qenë me idenë se reformimi i sistemit të drejtësisë është i domosdoshëm dhe urgjent, s’e kanë pasur për gjë të thonë se “nuk bëhet hataja nëse shkelet Kushtetuta”. Madje, ndonjëri e sheh shpëtimin bash te shkelja e Kushtetutës. Dhe arsyetimi që ata bëjnë është pak a shumë kështu: “Berisha, para se të linte pushtetin, bëri çmos që ta mbushte sistemin e drejtësisë me njerëz të tij; sikur të mos ish mjaft kjo, ai mori nën hyqëm edhe një numër institucionesh që kanë në dorë funksionimin, organizimin e kontrollin e sistemit të drejtësisë; gjithçka e bëri për të garantuar mbrojtjen e vetes e të vetëve nga ndonjë ndëshkim i mundshëm për shkak të zullumeve të mëdha që ata kanë kryer për tetë vjet me radhë; mirëpo e keqja e kësaj nuk është thjesht se Berisha e të vetët janë të pandëshkueshëm; e keqja është se e gjitha kjo ka krijuar një klimë papërgjegjshmërie brenda sistemit; dhe kjo është njëra nga arsyet, më kryesorja, që sistemi është sot si mos o Zot; në këto rrethana, për ta risjellë sistemin në një regjim minimal eficence e integriteti, duhen ndërhyrje; e duke qenë se Kushtetuta nuk i lejon, apo i lejon në një kohë tjetër ndërhyrje të tilla, o burra, le ta shkelim Kushtetutën”. Duket sikur këtu jemi në rastin klasik të “qëllimit të mirë e të mjetit të gabuar”, por nuk është çudi që të jemi në rastin e “qëllimit të keq e të mjetit të lig”.

Unë bie dakord pikë për pikë me përshkrimin e shpjegimin e asaj që ka ndodhur deri më 23 qershor 2013. Por mendoj se apelit për të bërë ndërhyrje jo kushtetuese i duhet thënë stop. Ndërhyrjet në kundërshtim me ligjin e me Kushtetutën, edhe kur ngrihen mbi (përligjen me) qëllime të mira, janë një praktikë që duhet refuzuar pa një, pa dy. Duket si një gjë shumë logjike që të sublimosh qëllimet e mira në kurriz të ligjeve që pengojnë reformat e nevojshme. Por s’është hiç kështu. Përkundrazi, nuk ka një lojë më të rrezikshme sesa kjo. Dhe jo sepse qëllimi mund të mos jetë i mirë, por sepse precedentin e dhunimit të ligjeve e Kushtetutës, me t’u krijuar, asgjë s’e pengon të shndërrohet në modë. Madje, rëndom është pikërisht kjo që ndodh: Precedenti shndërrohet në modë. Dhe kur dhunimi i ligjeve e i Kushtetutës shndërrohet në modë, rezultati është diktatura. Ose në rastin më të mirë, është kaosi që ka mbretëruar në Shqipërinë e viteve 1990-2014. Edhe kaosi në sistemin e drejtësisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.