Home / Politika / Rama: Plani i Përgjithshëm Kombëtar është vonuar 25 vjet, shkon përtej një mandati

Rama: Plani i Përgjithshëm Kombëtar është vonuar 25 vjet, shkon përtej një mandati

Kryeministri i vendit, Edi Rama gjatë fjalës së tij në aktivitetin e organizuar nga Ministria e Zhvillimit Urban dhe Territorit për prezantimin e planeve vendore të zhvillimit të territorit, e cilësoi këtë një proces të vonuar për çerek shekulli, por shtoi se asnjëherë nuk është vonë për të bërë kthesën e duhur në  shërbim të komunitetit.

Sipas Ramës, angazhimi për hartimin e planit të përgjithshëm kombëtar, i cili falë reformës territoriale i sheh njësitë jo si harta të ngrira, por si njësi të reja të zhvillimit ekonomik, shkon përtej një mandati politik, madje përtej një gjenerate.

“Angazhimi për hartimin e plantit të përgjithshëm kombëtar shkon përtej një mandati, përtej një procesi që lidhet me një klasë politike të caktuar dhe madje përtej një gjenerate. Kërkon angazhimin e instrumenteve shumë komplekse dhe të një fuqie që ne nuk e kemi, ndaj kemi ftuar këtu ata që vijnë nga jashtë, përfaqësues studiosh prestigjioze.

Falë reformës territoriale, plani kombëtar nuk do të jetë një mal me harta të ngrira dhe kufitare të përcaktuara, por një sistem i tërë i metabolizmit urban për krijimin kushteve që të gjithë vendimmarrësit dhe të gjithë zhvilluesit të kenë në dorë instrumente, po njëkohësit të mos jenë të vendosur në llogore të ndara duke penguar njëri-tjetrin. Reforma na dha njësi të reja ekonomike zhvillimi”, tha Rama, duke shtuar se plani i përgjithshëm do eci paralelisht me planet e pjesshme që janë pjesë e tij.

Rama falënderoi kryebashkiakët për kontributin e dhënë në këtë drejtim dhe veçanërisht ata të djathtë, angazhimi i të cilëve sipas kryeministrit  është një mundësi e patjetërsueshme për komunitetet që drejtojnë.

“Përshëndes kryetarët e bashkive, veçanërisht ata të opozitës, sepse prania e tyre këtu dhe angazhimi i përbashkët i kryetarëve të bashkive në këtë proces, janë një mundësi e patjetërsueshme për komunitetet që drejtojnë. I mirëkuptoj edhe shprehjet e padurimit të kryetarëve të bashkive në një proces që është i vonuar, dhe është i vonuar çerek shekull.

Nëse kjo do ishte bërë më parë, sot do kishim një Shqipëri ndryshe, do kishim një ekonomi shumë më vibruese, një zhvillim shumë më të qëndrueshëm, banesë shumë më të sigurt, do kishim një hapësirë që do të kishte potenciale shumë më të mëdha. Megjithatë, asnjëherë nuk është vonë, sepse nëse e projektojmë këtë takim në raport me historinë është një pikë ujë në oqean dhe koha për të bërë ndryshimin është gjithmonë e duhura”, tha Rama.

Leave a Reply

Your email address will not be published.