Te ndryshme

Studimi: Elefantët mund ta ndiejnë stuhinë 240 km larg

Dielli po ndriçon dhe në qiell nuk shihet asnjë re. Por nëse është gati t’ia plasë një stuhi, atë mund ta ndiejnë më së miri vetëm elefantët. Një studim i ri i ndërmarrë nga Universiteti amerikan i Teksas A&M, ka treguar se elefantët mund ta ndiejnë shiun dhe stuhinë që afrohet qysh 240 kilometra larg.

Elefantët shfaqin një sjellje të çuditshme

Në këtë përfundim kanë arritur kërkuesit, duke vlerësuar të dhënat e marra nga pajisjet GPS të vëna tek elefantët në 14 tufa të ndryshme të tyre në Namibi, të cilat janë grumbulluar për shtatë vjet me radhë.

Këto të dhëna u krahasuan me fillimin e sezonit të shirave në rajon. “Ardhja e sezonit të shirave në këtë rajon është shumë e papritur dhe zgjat disa javë. Në kohën që mbetet, bie shumë pak ose aspak shi”, tha Oliver Frauenfeld, i cili mori pjesë në studim, gjatë një konference për shtyp.

“Shpesh, matjet e bëra me GPS kanë treguar se elefantët vihen në lëvizje në të njëjtën kohë në vende të ndryshme, që sidoqoftë ndodhen në afërsi të njëri-tjetrit, në një lloj mënyre që pak gjasa ka të jetë rastësore”, shkruajnë studiuesit në artikullin e tyre, i cili është botuar në revistën e specializuar “PLOSOne”.

“Kjo sjellje na dëshmon se kafshët reagojnë ndaj një sinjali natyror.” Në këtë rast, ndaj shiut.

Nevojiten kërkime shtesë

Mirëpo kërkuesit nuk kanë arritur dot të gjejnë se si kafshët lëkurëtrashë si elefantët, mund ta ndiejnë aq mirë stuhinë që po afron.

“Ne nuk e dimë nëse ata mund ta dëgjojnë e ndiejnë realisht stuhinë ose nëse ata perceptojnë dot zhurma të tjera me frekuencë të ulët të stuhive, që njerëzit nuk mund t’i dëgjojnë dot”, tha Frauenfeld. “Megjithatë, nuk ka dyshim se ata e dinë se ku dhe kur po afrohet shiu.”

Të njohësh lëvizjet e tyre, mund të ndihmonte të mbronim pakidermën (kafshë madhore si elefanti apo rinoqeronti për shembull). Tufat e tyre janë kërcënuar dukshëm nga tregtia ilegale e fildishit dhe hapësira e tyre natyrore po rrudhet dita-ditës, sipas raporteve të “International Union for Conversation of Nature and Natural Resources” (Bashkimi Ndërkombëtar i Mbrojtjes së Natyrës dhe Burimeve natyrore)

Studiuesit shkruajnë më tej se kërkime të tjera janë akoma të nevojshme, për të kuptuar lëvizjet e kushtëzuara të elefantëve.

Sjelljet e çuditshme të kafshëve para tërmetit

Ndërkaq, tashmë njihet më së miri, megjithëse diku mund të haset në trajtën e miteve e legjendave, fakti se kafshët mund të ndiejnë ndryshimet kimike në ujërat nëntokësore që ndodhin përpara se të afrohet një tërmet. Kjo, sipas shkencëtarëve, mund të jetë edhe shkaku i sjelljes së çuditshme të kafshëve të lidhura me tërmetet.

Në vitin 2009, kërkuesit nisën të hetonin këto efekte kimike, pasi vunë re një koloni me zhaba që largoheshin nga pellgu i tyre në L’Aquila në Itali, pak para se të ndodhte tërmeti famëkeq. Kësisoj, ata sugjerojnë që sjellja e kafshëve mund të integrohet në parashikimin e tërmeteve, çka është një përfundim i ngjashëm me atë të elefantëve që mund të zbulojnë stuhitë, të cilat na i përcjell studimi i fundit.

Zbulimet e publikuara asokohe në “International Journal of Environmental Research and Public Health”, bënin me dije se është një mekanizëm ku gurët e tensionuar në koren e Tokës, lëshojnë thërrmija të ngarkuara që ndërveprojnë me ujin nën tokë. Kafshët që jetojnë pranë ujërave nëntokësore, janë shumë të ndjeshme ndaj kimisë së tij, kështu që ato mund të ndiejnë diçka, kohë përpara se gurët të ‘rrëshqasin’ dhe të shkaktojnë tërmet.

Sidoqoftë, zhabat e L’Aquila-s nuk janë shembulli i parë i sjelljes së çuditshme të kafshëve përpara një ngjarjeje sizmike. Ka pasur raportime gjatë gjithë historisë për zvarranikë, amfibë dhe peshq që sillen në mënyrë të çuditshme përpara se të bjerë një tërmet.

Zvarranikë që zgjohen në mes të dimrit, amfibë që largohen apo peshq të thellësive që dalin në sipërfaqe – kanë përbërë pra nga një histori më vete. Edhe tërmetet e mëdha janë aq të rralla, sa ngjarjet që i rrethojnë janë pothuajse të pamundura që të studiohen në detaje.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button