Ekonomia

Reinke i FMN: Disa taksa janë ndryshuar për një numër të vogël përfituesish

 aaaaaFlet Jens Reinke, përfaqësues i përhershëm i FMN-së në Shqipëri:

Është i drejtpërdrejtë Jens Reinke, përfaqësues i përhershëm i FMN-së në Shqipëri, kur flet për pritshmëritë e ekonomisë për vitin 2016. Ai pohon, në një intervistë të posaçme për Monitor, se ka shumë pasiguri për rritjen, si të jashtme (çmimet e ulëta të naftës dhe rimëkëmbja e dobët në rajon) ashtu dhe të brendshme, ku përmend reformat e paplota të brendshme dhe dobësinë e vazhdueshme në administrimine taksave. Ai shkon dhe më tej kur thotë se lobimi për interesa të veçantë ka qenë ndoshta shumë i suksesshëm, dhe si rezultat, një numër i taksave dhe rregulloreve janë ndryshuar për t’iu përshtatur një numri të vogël të përfituesve. “Kjo tenton të rrisë barrën e të tjerëve, dhe të minojë konsistencën e përgjithshme të paketës”, pohon ai.

Cilat janë pritshmëritë tuaja për rritjen ekonomike në 2016 në Shqipëri? Cilat janë mundësitë dhe rreziqet?

Ne presim një rimëkëmbje të vazhdueshme, të ngadaltë, me rritjen që pritet të arrijë midis 3-3.5% deri në fund të vitit 2016. Gjithsesi, ka shumë pasiguri, me rreziqet që janë kryesisht në kahun e poshtëm. Një ulje e vazhdueshme e çmimit të naftës do të dëmtojë prodhimin dhe investimet në sektorin e naftës në Shqipëri. Rimëkëmbja e ngadaltë në rajon dëmton potencialin e eksporteve të Shqipërisë. Reformat e paplota të brendshme – përfshirë konslidimin fiskal që po ecën më ngadalë se parashikimi, dobësia e vazhdueshme në administrimin e taksave, normat tepër të larta të NPL-ve–mund ta bëjnë Shqipërinë të prekshme nga goditjet për një periudhë kohe.

Çfarë ndikimi do të kenë masat kundër informalitetit në të ardhurat nga taksat, dhe gjithashtu në mjedisin për bizneset dhe tendencat e konsumit?

Qeveria ka pranuar se evazioni fiskal i përhapur është njëpengesë për konsolidimin fiskal, si dhe për drejtësinë mes kompanive dhe punonjësve. Prandaj, ajo nisi fushatën anti-informalitet që synon përmirësimin e mbledhjes së taksave. Të ardhurat tatimore do të përmirësohen në afat të mesëm, duke supozuar se masat anti-informalitet do të jenë të vazhdueshme dhe do të zbatohen në mënyrë transparente dhe të paanshme. Parashikueshmëria më e mirë në zbatimin e taksave dhe trajtimi më i drejtë i kompanive do të përmirësojë gjithashtu klimën e biznesit.

Gjithmonë e më tepër dëgjojmë mbi nevojën e krijimit të një modeli të ri ekonomik, ndërkohë që burimet aktuale të rritjes ekonomike po pakësohen. Cilat janë rekomandime tuaja, ku dhe si duhet të fokusohet qeveria?

Është ndoshta e vërtetë që ndërtimi dhe sektori me material përpunuesi (“FACON”) nuk ka të ngjarë të orientojnë rritjen ashtu siçkanë bërë në të kaluarën. Në të ardhmen e afërt, bujqësia dhe turizmi po tregojnë interes të veçantë. Megjithatë, duhet theksuar se ekonomia shqiptare ka potencial të madh rritjeje në të gjitha sektorët. Realizimi i këtij potenciali rritjeje kërkon një përmirësim të qëndrueshëm në klimën e biznesit, duke forcuar zbatimin e ligjit dhe cilësinë e administratës publike. Ne nxisim qeverinë që të vazhdojë me reforma të rëndësishme strukturore për këtë qëllim.

Cili është vlerësimi juaj i paketës së fundit fiskale dhe ndikimit të saj në ekonomi? A rrezikohet rishikimi i radhës dhe disbursimi i këstit si rrjedhojë e heqjes së taksës së biznesit të vogël?

Paketa fiskale është projektuar për të mbështetur konsolidimin fiskal, thjeshtojë taksat, dhe të mbështesë rritjen. Megjithatë, lobimi për interesa të veçantë ka qenë ndoshta shumë i suksesshëm, dhe si rezultat, një numër i taksave dhe rregulloreve janë ndryshuar për t’iu përshtatur një numri të vogël të përfituesve. Kjo tenton të rrisë barrën e të tjerëve, dhe të minojë konsistencën e përgjithshme të paketës. Ne nxisim qeverinë shqiptare që të vazhdojë përpjekjet e saj për të përmirësuar mbledhjen e taksave dhe shërbimet ndaj taksapaguesve.

Qeveria parashikon të dalë në vitin 2016 me balancë primare pozitive. Sa të arritshëm e shikoni këtë objektiv dhe planet e qeverisë për konsolidimin fiskal afatmesëm?

Arritja e objektivave fiskale për vitin 2016 dhe më tej kërkon përpjekje të vazhdueshme për të forcuar rendimentin e të ardhurave dhe menaxhimin e financave publike, për të cilat ne jemi duke ofruar ndihmë për qeverinë shqiptare. Qëllimet e përcaktuara në programin ekonomik të qeverisë janë të arritshme nën supozimet aktuale, por do të kërkojë përkushtim dhe vendosmëri.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button