Libri

Botuesit dhe biblioteka “përplasen” për ISBN-të

Këtë vit botimi i librave krahas ISBN-së për çdo botim do të shoqërohet edhe më dhënien e CIP-it që është katalogimi i librit në botim.

Kontratat e përvitshme mes botuesve dhe Bibliotekës Kombëtare për pajisjen e librave me ISBN, nuk janë nënshkruar ende për vitin 2016. Përmes një njoftimi, Agjencia e ISBN-së pranë Bibliotekës u është drejtuar botuesve ku i njofton se kontratat e përvitshme do të nisin të nënshkruhen pas datës 18 janar për shkak të disa përmirësimeve ligjore në dokumentacion, gjë që e tejkalon kompetencën e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë. Por kjo vonesë, ka sjellë shqetësim te  botuesit, të cilëve kjo shtyrje u ka paralizuar punën e parashikuar për muajin janar. Përmes një njoftimi Shoqata e Botuesve e quan të rëndë këtë situatë, duke shtuar se “askush nuk ka të drejtë të pezullojë veprimtarinë botuese në Shqipëri dhe askush nuk ka të drejtë të bëjë pezullime ose ndryshime pa njoftuar qysh më parë”. “Sikurse i kemi bërë të ditur edhe Bibliotekës Kombëtare, nuk mund të bëhen ndryshime pa biseduar më parë, tre ose katër muaj më parë, për ndërhyrje që ndikojnë në punën e pavarur të subjekteve që zhvillojnë veprimtari ekonomike në Republikën e Shqipërisë. Kemi propozuar mënyra më të thjeshta dhe profesionale që ndihmojnë punën e Agjencisë, pa shtuar kostot, por nuk kemi marrë përgjigje”, thuhet në reagimin e Shoqatës së Botuesve. Sipas tyre, ndryshimet ligjore duhen biseduar më parë me profesionistët e sektorit dhe me organizatat që i përfaqësojnë ata (siç parashikojnë edhe ligjet), për të mos u shkaktuar shqetësime në punën shumë të vështirë që bëjnë. Në njoftimin që ka shpërndarë Agjencia e ISBN-së bëhen të ditura edhe masat që me sa duket janë përgatitur që më parë, pa u këshilluar dhe pa biseduar me ata që janë më të interesuarit: me botuesit! “Midis të tjerash, në njoftim lexojmë që për të marrë numrin e ISBN duhet dorëzuar kopja e librit në letër ose në format elektronik! Kjo së pari kërkon kohë dhe shton koston ekonomike, sepse do na duhet sipas kësaj risie që ne të printojmë çdo libër (qoftë ai me 60 apo 2000 faqe, ose t’ia japim gati për t’u piratuar në format elektronik). Kjo shkel edhe privacinë dhe konfidencialitetin e punës botuese”, thuhet në reagimin e Shoqatës së Botuesve. Ata janë kundër dorëzimit të materialeve të pabotuara në zyrat e Bibliotekës Kombëtare. Sipas tyre është e tepërt dhe përvetësimi me ndihmën e ligjit i 5 kopjeve pa pagesë, të cilin do të luftojnë ta ndryshojnë. “Nuk duhet të lejojmë asnjë ndryshim që cenon pavarësinë tonë profesionale dhe dëmton interesat tona ekonomike”, thuhet në reagimin e botuesve. Nga ana e saj zyra për ISBN-në pranë bibliotekës njofton se këtë vit dhënia e ISBN-së për çdo botim do të shoqërohet edhe më dhënien e CIP-it që është katalogimi i librit në botim. Sipas kësaj zyre, “pajisja me CIP mbështetet në pikën 7 të nenit 27 të Ligjit Nr.8567, dt.03. 02.2000 “Për Bibliotekat në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar, i cili shprehet se Biblioteka Kombëtare “kryen katalogimin e librit për botim”. Sipas nenit 21, germa “j” të Ligjit Nr. 9616, dt. 27.09.2006 “Për librin në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar, i cili shprehet: “Në çdo botim të botuar dhe të shtypshkruar në Republikën e Shqipërisë duhet të shënjohen dëftuesit e mëposhtëm: Katalogimi në botim (CIP)”. Ndryshe nga pretendimi i Shoqatës së Botuesve që janë bërë ndryshime në ligj pa u konsultuar me botuesit, nga njoftimi i zyrës pranë ISBN-së shihet se ligji për ISBN nuk ka ndryshuar, por janë të njëjtët, ai i vitit 2000 dhe ai i vitit 2006. Sipas kësaj zyre, nuk ekziston as edhe ndonjë propozim për t’i ndryshuar ato.”Bëhet fjalë për një përditësim të dokumentacionit (kontrata dhe formulari tip), pra jo të ligjit të sipërcituar, por të shkresave zyrtare që ndërtojnë marrëdhënien mes Agjencisë së ISBN-së dhe botuesve. Mbas shpalljes së këtij njoftimi të përcjellë në format elektronik dhe afishimit në hyrje të Agjencisë, nuk rezulton të jetë depozituar në sekretarinë e BKSH-së, asnjë ankesë ose kërkesë për shpjegimin e njoftimit”, thuhet në reagimin zyrtar të Bibliotekës Kombëtare.

CIP-i  (katalogimi në botim) është një praktikë ndërkombëtare, detyrim ligjor i BKSH-së që rrjedh nga ligjet e sipërcituara dhe nënkupton pajisjen e librit me: përshkrimin bibliografik; klasifikimin; fjalët kyçe, ISBN etj., çka shërben dhe do të shërbejë edhe më fort për sistemin kombëtar bibliotekar e atë ndërkombëtar. Për sa i përket kërkesës së bibliotekës mbi kopjen e materialit që duhet të sjellin paraprakisht në bibliotekë, bashkë me kërkesën për ISBN-në, biblioteka sqaron se  “u është lënë e lirë zgjedhja mbi formatin mbi të cilin do të gjykohet përgatitja e CIP-i (katalogimit në botim) të printuar ose në format elektronik në PDF. Ky material është i domosdoshëm për realizimin e këtij detyrimi ligjor”. “Shërbimi brenda 24 orëve i përgatitjes dhe pajisjes me CIP shmang çfarëdolloj frike naive për gjoja piraterinë, çka është objekt i një ligji tjetër të shtetit shqiptar”, thuhet në njoftim.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button