Ekspozita

Në tablotë e Pjerin Sheldijës

Ashtu si Onufri në shekullin XVI u dha jetë pikturave murale, hapësirave të brendshme të kishave si ajo e Shën Vllahernës në Berat apo kishës së vogël të Valshit, gati pesë shekuj më vonë, në Shqipërinë që vinte nga një raport i trishtë në raport me besimin, ku për 50 vite u ishte vënë ndryni kishave dhe xhamive, një piktor modest nga qyteti i Shkodrës nisi të hidhte në telajo imazhe që do të ringjallnin kishat pas viteve ’90. Ai është Pjerin Sheldija, një personazh që ka zgjedhur të flasë përmes veprës së tij, duke qenë i pari që trajtoi temat fetare 25 vite më parë. Një pjesë e veprave të tij mund të gjenden në Kuvendin e Françeskanëve, aty ku gjendet dhe Kisha e Shën Françeskut. Duket sikur ka një kod komunikimi mes Sheldijës dhe imazheve hyjnore që zgjedh. Duke cekur me ngjyrat e tij dhembjen, ai u bë kronikani më i mirë i asaj çfarë ndodhi për gjysmë shekulli me klerin katolik. Tablotë e tij që kërkojnë të tregojnë atë periudhë, mbartin të gjithë filozofinë e një kohe, e cila do t’i kushtonte shtrenjtë jo vetëm klerit. Një katalog me veprat e Sheldijës tregon më së mirë kontributin e tij në këtë temë. I veshur me rrobën e gjatë të besimit, një frat katolik është i kryqëzuar në një pemë. Nga pas duket lagjja e Gjuhadolit, aty ku dhe katolikët kishin strehën e tyre. Sytë e tij janë drejtuar lart nga qielli, duke e mbajtur shpresën te takimi me Hyun, pas këtij kryqëzimi pa kthim. Tabloja e realizuar në vitin 1992 mban titullin “Kryqëzimi i shekullit XX”, dhe është një ndër punët më përfaqësuese për këtë periudhë, mbi krimet që u bënë ndaj klerit katolik. Një tjetër tablo e realizuar katër vjet më vonë mban titullin “Shpifja e madhe”, ku fretërit shfaqen të sulmuar në hapësirat e kishës nga komunistët, teksa mbajnë në duar armë. Sheldija ka mundur të futet brenda psikikës së kohës, duke e vendosur historinë në një telajo, që sot gjendet si një totem në Kishën e Shën Françeskut, si dëshmi e një kohe, e cila nuk duhet të përsëritet. Këto tablo duket sikur kanë sjellë muzeun e kujtesës brenda hapësirës së kishës, e cila të përballë çdo ditë me të shkuarën, duke të kujtuar se çfarë ka ndodhur dikur në këto hapësira. Janë një mori veprash të realizuar nga Sheldija, që e bëjnë atë si përfaqësuesin më të mirë të raportit të njerëzve të zakonshëm me besimin apo dhe imazhit të kishës katolike. Të ardhura në një katalog, këto vepra janë dhe një mënyrë për të parë se si është zhvilluar arti me tema fetare në vend, një art i munguar për më shumë se katër dekada. “Fill mbas ndryshimeve politike, me përmbysjen e regjimit komunist, mbas tridhjetë viteve pjesëmarrjeje nëpër ekspozita lokale e kombëtare me temat që diktoheshin në lirinë e mendimit dhe të krijimit, Pjerin Sheldija është i pari piktor në Shqipëri që trajtoi temën e persekutimit të klerit katolik shqiptar, me tablonë kompozicionale “Kryqëzimi i shekullit XX”, të cilën e paraqiti në ekspozitën e fundit lokale të degës së Lidhjes së Artistëve të Shkodrës, që u hap në galerinë e arteve të qytetit tonë në nëntor të vitit 1992 dhe të cilën ia dhuroi Kuvendit Françeskan, që po ringjallej. Tashti kjo tablo gjendet në ambientin e Kishës së Shën Françeskut në Gjuhadol”, thotë frat Mikel Pllumi për artistin Sheldija. Kanë qenë vitet ’90 ato që do të ndryshonin kahun e pikturave të Sheldijës. Dy punë të realizuara prej tij i janë dhuruar Papa Gjon Pali II, si dhe të tjera janë pjesë e koleksioneve private në Vatikan, Milano, Magliano, Corsoli etj. 40 akuarele dhe vizatime, pjesë e një ekspozite personale, artisti do t’ia dhuronte shenjtores së Zojës në Gjenacan në vitin 2002, duke u vendosur në një ekspozim të përhershëm në kripten e saj. Kisha e Zojës Rruzare, e Shën Françeskut në Shkodër, e Martirëve Shqiptarë në Blinisht, Katedralja e Nënë Terezës në Laç, Vadejës, e Familjes së Shenjtë në Balldre janë të punuar me tablo murale prej Sheldijës. Vepra të tij gjenden dhe në Katedralen e Shkodrës, Torovicë, Gjadër etj. Ajo çfarë i dallon tablotë e Sheldijës është historia që gjendet në to. Pothuajse çdo tablo ka një histori. Portreti i Shën Roza Venerinit, gruas pioniere e edukimit të femrave në shekullin XVII, shfaqet në një telajo të realizuar prej tij në vitin 2006, e cila ndodhet në Kishën e Shën Jozefit, Gjadër. Interesante janë dhe tablotë kushtuar humanistes shqiptare Nënë Tereza. I lindur në Shkodër në vitin 1937, Pjerin Sheldija do të lidhej herët me artin. Në vitin 1956 ai nis studimet në Liceun Artistik në Tiranë, i cili do ta ndihmonte në marrjen e koncepteve mbi artin. Situata me të cilën përballeshin shumë të rinj në ato vite, do ta bënte dhe Sheldijën të mos kishte mundësi të vazhdonte studimet e larta, por kjo nuk do ta bënte të hiqte dorë nga piktura. Ai do të punonte si profesor i vizatimit, duke marrë pjesë në të gjitha ekspozitat lokale. Pas vdekjes së mikut të tij të ngushtë, piktorit Ferdinant Paci, i jepet drejtimi i kursit të pikturës në Shtëpinë e Kulturës, ku edhe punon me pasion. Pas viteve ’90, feja u bë temë e pikturave të tij, duke derdhur në telajo të gjithë përvojën e gjatë në shërbim të një kauze që i vinte së brendshmi dhe duke u bërë promotor i një arti që shumë pak lëvrohet në këtë gjini. Studiot e tij janë kishat, ku edhe pse në moshë, ai vazhdon të krijojë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button