Opinion

Pse po dështojmë?

Jakup Krasniqi – Ku qëndrojnë dështimet tona? Në vendimet e nënshkrimet e gabuara. Çdo dështim është baras me: Tërësinë e vendimeve të gabueshme. Kjo do të thotë se, kudo e kurdo, tërësia e vendimeve të gabueshme e ka vetëm një rezultat: Dështimin. Mungesa e suksesit tonë është rezultat i vendimeve dhe i nënshkrimeve të gabueshme që i bënë qeveritarët tanë në Bruksel.

Qeveritarët gabuan edhe kur morën vendimin për të qeverisur keq. Gabuan edhe kur ekonominë dhe zhvillimin ekonomik ua lanë në duar njerëzve pa asnjë përvojë jetësore e qeverisëse!

Dështuam si shtet, se privatizimin ua lamë në duar atyre që më së paku duhej t’ua linim! Nuk vepruam më mirë as me arsimin e shëndetësinë e segmentet e tjerë vitalë të shtetit!

Dështuam pse dashurinë për kombin e kthyem ekskluzivisht në dashuri për paranë! Dhe kjo pati shtrirje të gjerë shoqërore!

Idenë e luftëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e degraduam deri në skajshmëri me veteranët e rrejshëm të luftës! Edhe me ata që luftën e panë në ekranet televizive! Me këtë mashtrim, Kryevlerës kombëtare i kemi dhënë goditje rrënuese!

Ç’ka kërkon suksesi?

Cilido sukses, në akëcilën fushë të jetës, është rezultat dhe vetëm rezultat i tërësisë së vendimeve të drejta. Pra kudo ku ka sukses, ai ka dalë si rezultat i vendimeve të drejta, i vendimeve të menduara e të planifikuara mirë e mirë dhe drejt.

Suksesi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte në vendimin e drejtë për të luftuar për liri e çlirim. Ky ishte vendimi vizionar i brezave, i avancuar nga Adem legjendari! Ishte vendimi i Adem Jasharit ajo “ora yll” që lirisë sonë e jetës sonë i dha kuptim! Le të krenohet secili që ishte pjesë e asaj ore.

Le të krenohen dhe le të krenohen shumë të gjithë ata që ishin pjesë e asaj Ore të madhe të historisë, më shumë se me çdo orë tjetër të jetës së tyre.

Paslufta, le të jetë turpi i atyre që kanë emër të përveçëm e jo kryevepra e UÇK-së, Çlirimi, Liria e Pavarësia! Ushtria Çlirimtare e Kosovës me pjesëtarët e saj të devotshëm, të renë apo të gjallë njohin e do të njohin vetëm nderin e lavdinë! Ajo kohë nuk mban përgjegjësi për një kohë tjetër. E cila kohë i ka “heronjtë” e vet të zinj të të gjitha ngjyrave?!

Tani koha është e një tjetër vendimi të drejtë të qytetarëve dhe të zgjedhurve të tyre për t’i dhënë udhë shtetit të së drejtës! A do të kemi fat të jemi pjesë e këtij vendimi të drejtë? Besoj që do të jemi.

Ndryshimi do të ndodhë me ne apo pa ne! Por uroj që ai të jetë pa hendeqe të mëdha mes grupimeve politike.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button