Home / Kosova / Gjakovë, përurohet sheshi me emrin e poetit Ali Podrimja

Gjakovë, përurohet sheshi me emrin e poetit Ali Podrimja

Podrimja-busti-Gjakove1-312x350Në qytetin e Gjakovës, në Kosovë, u përurua Sheshi Ali Podrimja dhe u zbulua busti i poetit të shquar në dyvjetorin e ndarjes nga jeta në Lodève, Francë.
Para adhuruesve të fjalës së shkruar dhe qyterarëve të tjerë, Mimoza Kusari Lila, kryetare e komunës së Gjakovës, u shpreh se “poeti shqiptar i lindur në këtë qytet Ali Podrimja u bë i njohur në tërë rruzullin e krijimtarisë letrare-poetike”.
Në përurimin me një organizim letrar-muzikor, mbrëmë, kryetarja e komunës së Gjakovës tha se sheshi është në ndërtim e sipër përderisa busti i Ali Podrimes tani veç është zbuluar. Për këtë nderim që i bëhet poetit Podrimja, ajo ka falënderuar fondacionin “Behgjet Pacolli” për investimin, si dhe skulptorin Luan Mulliqi, autorin e bustit të poetit.
Skulptori Mulliqi është shprehur se si krijues dhe mik i poetit ndjehet krenar se Gjakovës po i rikthehet dinjiteti kulturor.
Fjalë përkujtuese për poetin ka shprehur krijuesi dhe përkthyesi Agim Byci, pastaj Hysen Ibrahimi, kryetar i shoqatës “Papa Klementi XI” në Suedi, si dhe Gent Salihu, nipi i poetit, i cili ka falënderuar gjithë kontribuuesit që Ali Podrimja, pos bustit tani në qytetin e tij të lindjes ka edhe sheshin me emrin e tij.
Një aktivitet tjetër letrar i ka paraprirë këtij aktiviteti, ku shoqata “Papa Klementi XI” ka bërë përurimin e veprës “Thesari Kombëtar 3”, ku janë përmbledhur krijime, intervista dhe aktivitete të shoqatës.
Ali Podrimja u lind më 28 gusht 1942 në Gjakovë. Trupi i pajetë i akademikut, poetit të madh shqiptar nga Kosova Ali Podrimja u gjet para dy vitesh në afërsi të qytetit Lodève të Francës, ku kishte shkuar në festivalin e poezisë “Voix de la Méditerranée”.

Leave a Reply

%d bloggers like this: