Te ndryshme

Si funksionon zilia dhe përse ajo është e dobishme?! Si shfaqet në politikë, po në futboll?

Të gjithë e ndiejnë, por askush nuk e pranon. Sepse kjo gjë është e dhimbshme për veten dhe e rrezikshme për të tjerët. Gjithsesi është e dobishme: na paralajmëron se kemi humbur një konfrontim, duke na dhënë shtysë për t’u përmirësuar

Zilia është një “lëvizje” e shpirtit, sa “helmuese” aq edhe e parrëfyeshme, e turpshme: është ndjesia që provohet kur njeriu del humbës nga një krahasim social. Ajo provohet kur dikush tjetër ka diçka që ne e duam: objekte, pozicion social, ose cilësi si bukuri ose sukses në dashuri. Është vuajtja e cila rrjedh nga krahasimi humbës me dikë, në një fushë që është e rëndësishme për personin. Mund të jetë një emocion, pra një “shtrëngim” në momentin kur dikush tjetër na e ka kaluar: një gjendje e sëmurë e pamjaftueshmërisë, me keqdashje ndaj personit për të cilin kihet zili.

Shikimi keqdashës

Të gjithë ndiejnë zili, por askush nuk e tregon. “Ky është emocioni më negativ, më i refuzuar. Sepse në vetvete, ka dy elemente të pandershme: dobësinë për të qenë inferiorë dhe tentativën për të dëmtuar tjetrin fshehurazi në mënyrë meskine”, shpjegon Valentina D’Urso, psikologia italiane e Universitetit të Padovas. Zilia, në fakt, shpeshherë karakterizohet nga armiqësia e fshehur kundrejt tjetrit, nga dëshira për ta demaskuar – ndoshta pas shpine me komente kritikuese – dhe për ta privuar nga ajo që e bën atë…për ta pasur zili. Kështu, tradicionalisht bëhet fjalë për syrin dashakeqës të ziliqarit. Dante, në “Komedinë Hyjnore”, i vë ziliqarët në purgator, me qepalla të mbyllura me fije teli. “Vetëm kështu mund të mbyllen sytë që kanë zili ose gëzojnë nga e keqja e tjetrit”, thuhej në një fragment. Një tjetër karakteristikë e zilisë, që e bën atë të vështirë, është mospranimi i saj nga vetë njeriu që e përjeton atë.

Vëllezër apo..?

Pjesë e zilisë bëhen edhe njerëz të cilët janë të afërt me njëri- tjetrin e që duhen shumë mes tyre, si shokët e klasës, kolegët, por edhe miqtë, vëllezërit e motrat. Barazia e mundësive e bën të dhimbshëm faktin e të qenët inferiorë ndaj sukseseve të vëllait ose motrës, në një fushë të rëndësishme në vetvete.

Pra kushdo që është ziliqar, transmeton tre mesazhe të qarta: jam inferior, të jam armik për suksesin tënd dhe madje mund të bëj edhe keq!

Të frustuar dhe të pamjaftueshëm

Zilia është helmuese, e keqe, edhe për atë që e jeton. “Është e pakëndshme. Ndihet pamjaftueshmëria dhe inferioriteti. Ekziston ndjesia se avantazhi i tjetrit nuk është i merituar, sepse mendohet që ai ose ajo nuk mund të arrijë të njëjtën gjë. Ndër të tjera, kushdo që ka tendencë të jetë ziliqar, rrezikon të vlerësojë aftësitë e veta në kuptimin absolut. Kjo gjë ul vetëvlerësimin”, thonë ekspertët e psikologjisë. Pra, zilia është e dhimbshme, siç ka treguar një studim i kryer nga një grup shkencëtarësh japonezë. Ata kanë vëzhguar dhe analizuar nëpërmjet rezonancës magnetike funksionimin e trurit të disa pacientëve. Atyre u kërkohej të bisedonin me personazhe të ndryshëm. Përballë atyre të ngjashmëve me ta, por më të shkëlqyeshëm mbi disa aspekte, lindte zilia. Ndërsa në trurin e tyre rritej veprimi i vetëm i një pjese të trurit (cortexi anterior dorsal). Ajo bëhej aq e madhe sa zilia dominonte dëshirën për t’u përmirësuar në vetvete.

A e kanë fqinjët “barin më të gjelbër”?

Sipas David Buss, nga Universiteti i Teksasit (SHBA) dhe Sarah Hill nga Universiteti i Texas Christian, zilia është një emocion i zhvilluar si një “mbështetje” në konkursin për resurse (ushqim, partnerët etj). Sipas studiuesve, rëndësi ka pozita brenda grupit, lidhur me sasinë e burimeve dhe aftësinë për t’i marrë ato: për këtë, qeniet njerëzore kanë zhvilluar një vëmendje të veçantë për të gjykuar gjithçka në aspektin e krahasimit social.

Për lumturinë nuk ka rëndësi se sa shumë gjëra keni, por me faktin se sa keni bashkërisht me të tjerët, me të cilët ju lidh jeta. Gëzimi nga problemet e të tjerëve.

Me zilinë lidhet edhe një lloj kënaqësie. Kjo e keqe, është ashtuquajtur “schadenfreude”, ose ndryshe kënaqësi para fatkeqësisë së tjetrit. Nëse kriza përfshin një rival brilant, nëse ajo “bukuroshja” ka një problem të madh…ziliqari i tyre ndjen kënaqësi! Psikologu dhe studiuesi Richard Smith ka kryer eksperimente të ndryshme në të cilët studentëve pjesëmarrës iu prezantuan histori të të rinjve normalë ose brilantë dhe fitues: ndaj zilisë së lindur prej këtyre të fundit bashkëngjitej edhe kënaqësia për faktin e të diturit se edhe ata kanë pasur probleme.

“Kjo lidhje daton që në kohën e Aristotelit (384-322 p.K.) dhe të Spinozës (1632-1677)” thotë Smith. Edhe kjo kënaqësi e keqe është analizuar në nivel cerebral nga një studim japonez i udhëhequr nga Hidehiko Takahashi. Kësaj çështjeje i korrespondonte një aktivizim më i madh i striatumit të përparmë të trurit, pjesë e lidhur me “qarkun e shpërblimit” të trurit. Pra kështu ndihet një kënaqësi e vërtetë. Por si? Fatkeqësia e personit fitues apo mbizotërues e vë në lëvizje shumë herë këtë pjesë të trurit në momentin kur një individ ndien zili. “Dizavantazhi i tjetrit është një avantazh për veten në terrenin e ndarjeve shoqërore; inferioriteti dhe mospëlqimi mund të kthehet në superioritet dhe kënaqësi”, thotë më tej zoti Smith.

Në futboll dhe në politikë

Zilia dhe kënaqësia prej fatkeqësisë së tjetrit lindin kudo. Studimet kanë treguar se kjo ndjenjë vërehet edhe te tifozët e futbollit, për të mposhtur ekipin rival. Ndërkohë një nga studimet e Richard Smith e ka nxjerrë në dritë një fakt të tillë edhe në politikë: “Ndihet kënaqësi për problemet në të cilat bien politikanët e partive rivale, që nga skandalet seksuale e deri te gafat. Megjithatë, sidomos në fushatat elektorale, kënaqësi përjetohet për ngjarjet që mund të kenë një barrë për të mposhtur kundërshtarin, edhe pse është lajm i keq për të gjithë shoqërinë: për shembull, rezultatet e dobëta ekonomike. Ndjenja e zilisë është vënë re më shumë te më të përfshirët në një parti, pavarësisht se në vetvete e dinin se kjo gjë ishte diçka negative”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button